E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chavez, mbron të drejtën e Iranit për çështjen bërthamore

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, u takua sot në Teheran me homologun iranian, Mahmud Ahmadinexhad, pasi ka mbrojtur të drejtën e Iranit për të përpunuar një program bërthamor civil. Vizita e Chavezit, aleati kryesor i Iranit në Amerikën Latine, zhvillohet një ditë pas njoftimit të Ahmadinexhadit se vendi i tij i shpërfill sanksione të reja të mundshme ndërkombëtare dhe se do të vazhdojë programin e tij bërthamor për qëllime energjetike. "Jemi të sigurt se Irani, siç e tregoi, nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të siguruar të gjitha pajisjet dhe strukturat për të përdorur energjinë atomike për qëllime civile, gjë që është e drejta sovrane e çdo populli", deklaroi Chavez i cituar nga televizioni i Venezuelës. "Nuk ka asnjë provë se Irani po prodhon një bombë atomike", deklaroi Chavez në televizion pas mbërritjes në kryeqytetin iranian nga Damasku. "Së shpejti, ata do të na akuzojnë edhe ne për prodhimin e një bombe atomike!", u shpreh ai duke e hedhur fjalën për perëndimorët, sidomos për Shtetet e Bashkuara, të cilat dyshojnë se Irani po përpiqet të pajiset me armën bërthamore nën pretekstin e programit të tij civil, gjë që Teherani e përgënjeshtron.
Venezuela po përpiqet për një projekt paraprak për ndërtimin e një "fshati bërthamor" me ndihmën e Iranit, "që populli i Venezuelës të mund jetë i sigurt në të ardhmen me këtë burim të jashtëzakonshëm të përdorur për qëllime paqësore", vazhdoi ai. Chavez, i cili ishte ndër të parët që e përgëzoi Ahmadinexhadin për rizgjedhjen e kundërshtuar në qershor, pritet të qëndrojë dy ditë në Iran.
Sipas agjencisë iraniane Mehr, kjo është vizita e tij e shtatë në Iran. Përpara Iranit ai ka shkuar në Libi dhe Algjeri dhe pritet ende të vizitojë Bjellorusinë, Rusinë, Turkmenistanin dhe Spanjën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›