E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chavez rikthehet nga Kuba: Jam shëruar plotësisht

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, deklaroi në rikthimin në vend pas vizitave mjekësore në Kubë se është shëruar përfundimisht nga një tumor që e goditi më parë gjatë vitit.

Njeriu që ka drejtuar Karakasin zyrtar në një politikë të qartë anti-amerikane, i është nënshtruar më parë katër cikleve të kimioterapisë, ndërsa një mjek deklaroi se pavarësisht pretendimeve, Chavez ka në rastin më të mirë edhe dy vjet jetë.

”Gjithçka shkoi në mënyrë perfekte dhe testimet mjekësore treguan se unë kam një shëndet të shkëlqyer”, deklaroi presidenti përpara gazetarëve. “Jam shëruar nga sëmundja. Një Chavez i ri është rikthyer dhe ai ka ndërmend të jetojë gjatë”.

Rikthimi i udhëheqësit 57-vjeçar nga Kuba u trajtua si një ngjarje madhore në vend, duke u transmetuar drejtëpërsëdrejti nga televizionet dhe radiot. Njeriu që qëndron në pushtet që prej vitit 1999 thotë se sëmundja e tij nuk do ta pengojë që të rikandidojë dhe të fitojë në zgjedhjet e vitit të arrdhshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›