Chelsea e City, në rrezik

Dy nga klubet e mëdha angleze të futbollit mund të përjashtohen nga garat evropiane në të ardhmen, nëse nuk i respektojnë rregullat e UEFA-s që pritet të fuqizohen. Rregullorja për fair-play financiar nuk hyn në funksion deri më 1 qershor dhe nuk do të godasë shkelësit deri më 2013.
Mirëpo, një hulumtim në llogaritë e fundit nga BBC Sport ka treguar se Chelsea dhe Manchester City do të jenë larg përmbushjes së kërkesave, nëse ajo do të aplikohej sot.
City regjistroi 110 milionë funte humbje, ndërsa Chelsea publikoi deficit prej mbi 50 milionë funtesh. Rregullat e UEFA-s ua lejojnë klubeve të kenë humbje prej 65 milionë funtesh në pesë vitet e para.
Fair-play financiar është prezantuar nga Federata Evropiane e Futbollit UEFA, në përpjekje të barazojë fushëveprimin mes klubeve të financuara nga pronarët e pasur dhe atyre më pak të fuqishme në aspektin financiar.
Në shkallë të barabartë, ekipet nuk mund të shpenzojnë më tepër se ajo që gjenerojnë nga aspekti i biznesit të tyre. UEFA do të ketë fuqinë të dënojë cilindo ekip që nuk u përmbahet rregullave. Masat kanë për synim kontrollimin e të hyrave.
Të hyrat nga ana e biznesit si pronësia, hotelet apo mediet, janë të përjashtuara. Ashtu edhe shpenzimet që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me klubin e futbollit, si pagesat e mëdha të interesit si ato të pronarëve të Manchester Unitedit, familjes Glazer.
Arsenali me lehtësi do t’u përshtatej rregullave. Ata regjistruan profit prej 55 milionë funtesh. Me asnjë pronar të pasur në Emirates Stadium, ata krenohen me veten për krijimin e një biznesi të qëndrueshëm të futbollit.
Eksperti financiar i futbollit Andy Green, i cili kreu hulumtimin në llogaritë e klubeve, beson se Chelsea dhe Manchester City në veçanti do të kenë punë të madhe për të bërë për respektimin e rregullave.
“Për Chelsean mendoj se mund të kalojë në një stadium më të madh, por City do ta ketë mjaft vështirë sepse fillimisht duhet të shkojë në Ligën e Kampionëve dhe të mbetet atje vit pas viti, të ngritë biletat dhe të forcojë anën komerciale e madje ta bëjë më të mirën në botë për të pasur gjasa t’i përmbushë rregullat”, tha ai.
Ndërsa sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se është optimist se klubet angleze do të jenë në gjendje t’u përmbahen rregullave.
“Nuk mendoj se do të jetë vështirë për klubet angleze t’u përmbahen rregullave, sepse ato janë të menaxhuara shumë mirë dhe janë të vetëdijshme për atë që do të vjen. Ka kohë të mjaftueshme për zbatimin e rregullave. Klubet angleze janë në mesin e atyre që përfitojnë më së tepërmi në Evropë. Rregulla bazike është ligji që nuk lejon më tepër shpenzime se të hyrat, andaj nëse ju gjeneroni më tepër se të tjerët, jeni në epërsi. Për këtë arsye nuk jam i brengosur rreth anglezëve. Presidenti ynë ka biseduar me pronarët e Manchester Cityt një vit më parë, kur filluam me këtë proces dhe ata u ndanë të kënaqur”, tha Infantino.