E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formacioni i Zamparinit

Ish trajneri i Palermos, Serse Cosmi, ka treguar se presidenti Maurizio Zamparini i ka ndërhyrë atij në formacionin e ekipit, duke kundërshtuar zgjedhjet e tij. Cosmi u shkarkua vikendin e kaluar dhe u bë ‘viktima’ e 18-të e Zamparinit, prej kur ai u bë pronar i klubit nëntë vite më parë. Në vend të tij u kthye Delio Rossi, i cili i kishte lënë vendin Cosmit. Nga Express më 09 prill 2011 në ora 12:15

Trajneri i shkarkuar i Palermos, Serse Cosmi, ka bërë të ditur se i ishte thënë ta lë sulmuesin Fabrizio Miccoli jashtë formacionit bazë nga presidenti i klubit, Maurizio Zamparini, në episodin më të ri të krisur në klubin sicilian nga Serie A.

Dy muajt e fundit në Palermo kanë qenë të ngjashëm me skenarin e ndonjë telenovele televizive. Cosmi, i cili u shkarkua vetëm disa orë pas humbjes 4-0 nga rivali i qytetit Catania të dielën e kaluar, ka thënë se kapiteni Miccoli kishte kërkuar të mbetet jashtë ekipit të parë, pasi kishte dëgjuar se presidenti Zamparini preferonte Javier Pastoren.

“Në ora 10 të mëngjesit presidenti Zamparini më pyeti se cili do të jetë formacioni i parë. I kam thënë se Pastore është jashtë, ndërsa Miccoli do të luajë. Ai shpërtheu nga hidhërimi dhe kishim një debat të nxehtë”, tha Cosmi për ueb faqen Gazzetta dello Sport.

“Pastaj pak para ndeshjes, Miccoli m’u afrua me lot në sy dhe më tha: ‘trajner, kujdesu për veten. Më lë jashtë, i di të gjitha’.” Por, në vend të aktivizimit të Pastores, të cilin e përshkruan si “diamant të vërtetë”, Costi inkuadroi uruguaianin Abel Hernandez si sulmues, duke thënë se argjentinasi ishte i lodhur pas angazhimit me ekipin e tij kombëtar.

Cosmi, i cili gjatë një muaji në drejtimin e ekipit mposhti liderin Milan, por pësoi tri disfata, u bë viktima e 18-të e Zamparinit në nëntë vitet e tij si pronar i Palermos. Më pas në një tjetër vendim befasues, Delio Rossi – viktima numër 17, të cilin Zamparini e kishte akuzuar se “shkatërroi Palermon tim” pas humbjes rekorde 7-0 në shtëpi nga Udinese në shkurt – ishte bindur të kthehet në pankinë. “E kam ditur se do të jetë i hidhëruar me mua”, tha Zamparini i cili e quan Rossin “doktor i vjetër”.

“Por, e kam telefonuar dhe i kam thënë atij se kam bërë një gabim dhe se ai është i vetmi që mund të kthejë lojën e ekipit sikur në pjesën e parë të sezonit. Cosmi nuk e njihte ekipin, ai ishte konfuz dhe futbollistët nuk e pranuan atë”, theksoi Zamparini. Sezonin e kaluar Rossi udhëhoqi Palermon drejt pozitës së pestë në Serie A.

Palermo aktualisht gjendet në pozitën e tetë dhe do të takohet me Milanin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë më vonë gjatë këtij muaji. Ata presin Cesenan të dielën, ndërsa presidenti nuk pritet të jep analizën e tij të zakonshme pas ndeshjeve. “I kam premtuar Rossit se më nuk do të flas me gazetarët pas ndeshjeve”, përfundoi Zamparini.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›