Pikë për mbijetesë
Në këtë fundjavë nis faza e tretë e garave të Superligës, e cila konsiderohet si shumë e rëndësishëm për skuadrat që po e ndjekin titullin e kampionit, veçmas për ekipet që po luftojnë për mbijetesë.
Ekipi më i rrezikuar që të largohet nga elita e futbollit kosovar, Ferizaj të shtunën do të udhëtojë drejt Kastriotit, ku do të ballafaqohet me skuadrën në formë KEK-un, në kuadër të xhiros së 23-të.
Pas fitores ndaj Drenicës, ferizajasit paralajmërojnë se nuk do të dorëzohen lehtë në Kastriot, derisa synojnë të marrin pikë edhe në stadiumin ‘Agron Rama’ dhe t’i ngjallin shpresat për mbijetesë në Superligë.
“Në ndeshjen e fundit i fituam tri pikë shumë të rëndësishme, të cilat na kanë motivuar. Atmosfera në ekipin tonë është e mirë. Na pret sfida e radhës ndaj një kundërshtari të respektuar siç është KEK-u. Të tria rezultatet janë të mundshme. Ne synojmë ta nxjerrim një rezultat sa më pozitiv që mundemi”, tha trajneri i Ferizajt, Agron Selmani, për Express.
Në anën tjetër, trajneri i KEK-ut, Mentor Miftari, thotë se djelmoshat e tij nuk duhet ta nënçmojnë Ferizajn, vetëm pse ky ekip gjendet në vendin e fundit të tabelës. Ai mendon se nëse ekipi i tij i qaset me seriozitet kësaj sfide, atëherë nuk do ta ketë vështirë t’i fitojë tri pikë të reja.
“Futbollistët e mi duhet të jenë të motivuar edhe ndaj Ferizajt, ani pse kjo skuadër aktualisht është në vendin e fundit, por me mundësi për të mbijetuar. Nëse lojtarët e mi i qasen me seriozitet kësaj ndeshjeje, besoj se nuk do të kemi problem dhe do të shënojmë fitore”, tha Miftari për Express.
Ferizaj aktualisht gjendet në venin e fundit të tabelës me 17 pikë, gjashtë më pak sesa Flamurtari, Ballkani e Vëllaznimi, që gjinden në pozitat nëntë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë. Kurse KEK’u pozicionohet në vendin e gjashtë të tabelës, me 32 pikë të tubuara.
Sikurse Ferizajn, edhe ekipin tjetër mjaft të rrezikuar, Ballkanin e pret një udhëtim i vështirë të shtunën, pasi në Prizren do të luajë kundër Lirisë.
Superliga – Xhiroja e 23-të
E shtunë
KEK-u – Ferizaj
Liria – Ballkani
E diel
Prishtina – Trepça’89
Hysi – Drenica
Besa – Flamurtari
Trepça – Vëllaznimi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15:00