FXHK e Ippon grumbullojnë 200 xhudistë

Nga Express më 09 prill 2011 në ora 12:19
Të dielën në Pejë do të mbahet turneu më i madh ndërkombëtar, që e organizon Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK) në bashkëpunim me klubin Ippon. Ky turne do të zhvillohet në palestrën e sporteve ‘Karagaç’ prej orës 11:00.
“Ky turne, tanimë tradicional, edhe këtë vit do t’i grumbullojë rreth 200 sportistë nga rreth tetë shtete të ndryshme dhe pritet rivalitet dhe luftëra cilësore, sidomos për të rritur”, thuhet në një njoftim të FXHK-së, në të cilin theksohet se garuesve kosovarë do t’u dalë punë e madhe me disa garues të përfaqësueseve të vendeve të rajonit, veçmas me malazezë, të cilët në Pejë do të zbarkojnë me ekipin më të mirë.
Në këtë turne do të garojnë edhe dy xhudistet më të mira kosovare, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova.