Para Coutinhos e Sorensenit
Edhe pse nuk po gjen hapësirë te skuadra e Palermos, Pajtim Kasami mund të krenohet me paraqitjet që ka pasur deri më tani në fanellën e klubit sicilian.
Sipas një hulumtimi të bërë nga ueb faqja palermo24.net, mesfushori shqiptar është futbollisti me më së tepërmi paraqitje gjatë këtij sezoni, për dallim nga kolegët e gjeneratës së tij (1992).
Futbollisti i ri i Palermos, i transferuar gjatë verës së vitit të kaluar nga skuadra zvicerane Bellinzona, gjatë këtij sezoni është paraqitur në plot 20 ndeshje në Serie A (12), Coppa Italia (2) dhe Europa League (8), një bilanc shumë i mirë për një futbollist të ri, për të cilin trajneri Delio Rossi ka besim dhe llogarit në shërbimet e tij.
“Edhe më interesant është fakti se Kasami del i pari në këtë renditje, edhe pse në konkurrencë ka futbollistë më me emër si mesfushori ofenziv i Interit, Coutinho dhe i riu danez nga Juventus, Frederik Sorensen”, shkuan palermo24.net.
Coutinho gjendet pas Kasamit me 17 paraqitje, pothuajse të gjitha në kohën kur Neroazzurrët drejtoheshin nga Rafa Benitez, ndërsa podiumin e kompleton Sorensen, i cili gjatë këtij sezoni depërtoi në ekipin e parë të Juventusit duke bërë 15 paraqitje.
Megjithëkëtë, e ardhmja e Pajtim Kasamit mund të jetë larg Palermos. 18 vjeçari nuk po ka minutazh të mjaftueshëm në ekipin Rosanero, kështu që largimi i tij nga Sicilia duket të jetë i pashmangshëm.
Sipas medieve italiane, për shërbimet e 19 vjeçarit tashmë interesim kanë shfaqur dy skuadrat tjera italiane, Parma e Chievo. Kasami ka kontratë me Palermon deri në qershor të vitit 2015, kështu që ai mund të huazohet në njërën nga këto dy ekipe.
Ndërkohë, e përditshmja italiane Corriere dello Sport shkruante se trajneri i rikthyer në Palermo, Delio Rossi, do të bëjë ndryshime në ekip dhe Kasami shihet si ‘shpëtimtar’ i këtij ekipi.
Anëtari i përfaqësueses U21 të Zvicrës ishte pranë largimit nga Palermo gjatë janarit, por ai nuk pranoi të transferohej në një ekip nga Serie B italiane (liga e dytë).