E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chelsea mund të fitojë Ligën e Kampionëve

Nga Express më 18 mars 2011 në ora 12:07

Menaxheri i Chelseas, Carlo Ancelotti, beson se ekipi i tij mund të përfundojë sezonin, duke fituar Ligën e Kampionëve. Gjiganti londinez barazoi 0-0 me Copenhagenin të mërkurën, por fitoi me rezultat të përgjithshëm 2-0 duke siguruar kualifikimin për në çerekfinale.

“Skuadra ime është mjaft e fortë për të fituar trofeun”, tha Ancelotti, ekipi i të cilit duket se ka tejkaluar formën e dobët të mesit të sezonit. “Nëse luajmë në 100 për qind, mund të shkojmë në fazën përfundimtare të garës. Ekipi më duket i freskët dhe jemi në periudhë të mirë. Por, mund të përmirësohemi”, tha ai.

Ancelotti ka pothuajse skuadër të plotë në dispozicion dhe pavarësisht dominimit, Chelsea nuk arriti të shënojë në ndeshjen e kthimit kundër Copenhagenit, por italiani ishte i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij.

“Mendoj se paraqitja ishte e mirë. Ne nuk deshëm të rrezikojmë për këtë ndeshje dhe u përgatitëm mirë”, shtoi ai.

I pyetur rreth përballjes së mundshme me ndonjë skuadër tjetër angleze, Ancelotti tha: “Jo, jo, nuk ka rëndësi. Ne jemi të qetë. Shorti do të përcaktojë se me cilën skuadër do të takohemi”. Rreth Barcelonës, ai theksoi: “Tani nuk dua të them asgjë rreth kësaj. Barcelona është skuadra më e rrezikshme, por nëse duhet të luajmë kundër tyre, ne do të luajmë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›