Chelsea, zgjohu

Kriza e rëndë e Chelseas po vazhdon. Klubi londinez, të hënën mbrëma e ka pësuar humbjen e radhës, në derbin e Londrës kundër Arsenal, i cili fitoi 3:1. Menaxheri Carlo Ancelotti ka kërkuar nga futbollistët e tij që të këndellen, pasi që në këtë mënyrë nuk mund të fitojnë asgjë këtë sezon.
“Chelsea, zgjohu. Kështu më nuk shkon, duhet të zgjohemi nga gjumi. Kualiteti i lojës e bën diferencën dhe Arsenal luajti më mirë. Nuk luajtëm mirë. Duhet ta kalojmë këtë vështirësi, e për këtë nevojitet fitorja ndaj Bolton”, theksoi trajneri italian pas ndeshjes.
Golat e Song, Fabregas e Walcott ia vështirësuan punët në tabelë ekipit Blues, të cilit nuk i mjaftoi goli i serbit Ivanovic. “Pozita e jonë në tabelë nuk është e mirë, ky është realiteti”, shtoi ai.
Sa i përket të ardhmes, ish trajneri i Juventusit dhe Milanit thotë se për këtë duhet të pyetet pronari i klubit, edhe pse italiani beson se do ta vazhdojë punën e tij në Londër.
Tash, kreu i tabelës për Chelsean është larg 6 pikë. Mirëpo, ky ekip, i cili gjendet në pozitën e katërt në tabelë, duhet të shikojë edhe prapa, pasi që tash Tottenham është vetëm një pikë afër. Në anën tjetër, menaxheri i Arsenal, Arsene Wenger e ka përgëzuar ekipin e tij për paraqitjen.
“Kemi treguar pjekuri. Kishim disa probleme në përballje me ekipet e mëdha këtë vit, por kemi punuar shumë. Fitorja e sontme ka ardhur falë lojës së skuadrës. Fakti se shënuam të parët na ndihmoi shumë. Ka ende vend për përmirësime, jam i sigurt se do të angazhohemi dhe do të kemi gëzime të tjera të mëdha përpara nesh”, u shpreh trajneri francez pas fitores së ekipit të tij me rezultat 3:1 ndaj Chelseas.
Kjo fitore e ngrit Arsenalin në pozitën e dytë në tabelë, me pikë të njëjta me Manchester Cityn, 35.