E Diel, 1 Nëntor 2026

Chiti: Integrimi i Kosovës në BE është interes edhe i Italisë

Zv/presidenti i Senatit italian, Vannino Chiti, ka deklaruar se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është me rëndësi të madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe për Italinë dhe të gjitha shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian.
 

Chiti e ka bërë këtë deklaratë gjatë takimit në Romë me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi dhe delegacionin që e shoqëron. Ai po ashtu i ka rikujtuar Krasniqit edhe kushtet që duhet plotësuar nga Kosova për tu bërë anëtare e BE-së.
 

Sa i përket liberalizimit të vizave, zv/presidenti i Senatit italian, tha se edhe pse kjo është kompetencë e qeverisë, do të bisedojë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, në mënyrë që të krijohen kushte për të ndihmuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
 

Duke e falënderuar zyrtarin e lartë italian për gjithë kontributin që Italia ka dhënë për Kosovën, kryetari Krasniqi e ka njoftuar atë me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe të arriturat që ajo ka pasur në vitet e fundit. Kreu i Kuvendit e ka njohur zv/presidentin e Senatit edhe me sfidat me të cilat po përballet shteti i Kosovës, duke potencuar në këtë rast problemet në veri të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›