Kosovës po i cenohet e drejta elementare për qarkullim të lirë

Nën organizimin dhe patronazhin e Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Hungarisë dhe Qendrës Ndërkombëtare për Demokraci Tranzicion (ICDT) në Budapest të Hungarisë, u mbajt tryezë lidhur me gjendjen politike në Republikën e Kosovës me temë: “Tri vjet pas Pavarësisë - Ndërtimi i Besimit dhe Pajtimi në Kosovë”.
Në këtë tryezë prezantoi edhe Besnik Tahiri, drejtor i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, njëherësh anëtar i kryesisë së AAK-së.
Gjatë prezantimit të tij, Tahiri theksoi se me Kushtetutë, me ligjet në fuqi, pa asnjë dyshim Republika e Kosovës është vendi më i avancuar në rajon sa i përket ndërtimit të mekanizmave që mundësojnë ndërtimin e besimit dhe integrimit të minoriteteve si në procesin e vendimmarrjes, dhe në mbrojtjen dhe krijimin e mundësive për pakicat në Kosovë. Anëtari i kryesisë së AAK-së tha gjithashtu se shtetet që e kanë njohur Kosovën duhet ta ndihmojnë atë në procesin e integrimit në Unionin Evropian. Ai tha se mosnjohja nga pesë vendet e BE-së është duke shkaktuar probleme për Kosovën si në axhendën e integrimit evropian, ashtu edhe në zhvillimin dhe perspektivën evropiane.
Presidenti i Qendrës Ndërkombëtare për Demokraci Tranzicion (ICDT), ambasadori Istvan Guarmati ndër të tjera theksoi se Kosova si vend që ka perspektivë evropiane duhet shumë më shumë t`i kushtoj rëndësi implementimit të ligjeve në praktik dhe veprimeve në teren.