E Shtunë, 31 Tetor 2026

Chris Christie nuk i bashkohet garës presidenciale

Guvernatori i New Yerseyt, Chris Christie, ka njoftuar zyrtarisht se nuk do t’i bashkohet garës presidenciale të vitit 2012.

Njoftimi i Christiet i jep fund javës së spekulimeve nëse guvernatori popullor konservator do t’i bashkohej garës për emërimin e Partisë Republikane.

Mundësia që guvernatori Chris Christiet mund të kandidonte pat gëzuar shumë republikanë, të cilët nuk janë të kënaqur nga emrat e tjerë në garë.

Christie tha se ai mendoi me seriozitet e për një kohë të gjatë për t’iu bashkuar garës, mbasi u shty nga “njerëz seriozë” të Partisë Republikane për ta bërë këtë hap.

“Studiova të gjitha mundësitë, dëgjova shumë njerëz dhe mora në konsideratë nëse kjo ishte diçka që duhet ta bëja. Por në fund, ajo që ndjeva ishte vendimi që po marr sot.

Nuk është momenti im për të marrë pjesë në këtë garë. Kam angazhime në New Yersey, të cilat nuk mund t’i braktis”, theksoi ai.

Vendimi i Christiet për të mos iu bashkuar garës presidenciale të vitit 2012, pason një sondazh të ri, sipas të cilit mbështetja për guvernatorin e Teksasit, Rick Perry është në rënie.

Perry ka udhëhequr garën në javët e para, por popullariteti i tij ka qenë në rënie nga disa paraqitje të dobëta në debatet që janë zhvilluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›