Ciano: Mbretëresha dhe djali i sapolindur të mos preken

Mbreti Zog dhe konti Ciano
Java e pushtimit në ditarin e ministrit fashist.
Musolini urdhëroi të mos qëllohej mbi civilët
Përpjekjet e fundit të Mbretit Zog për ti rezistuar pushtimit.
Jugosllavët mbështesin pushtimin italian në Shqipëri, por kërkojnë siguri.
Ndërsa trupat italianë përparojnë drejt Shqipërisë, opinioni ndërkombëtar hesht. Kjo ia bën edhe më të lehtë rrugën Italisë drejt pushtimit të vendit përballë. Është prill i vitit 1939. Plani për pushtimin e Shqipërisë nuk ka më kthim mbrapa. Duçja i ka dhënë ultimatumin Mbretit Zog, ose do të pranojë kapitullimin, ose përdorimi i forcës është i pashmangshëm. Orë pas ore, ministri i Jashtëm fashist Galeazzo Ciano tregon në ditarin e tij përparimin drejt vendit aq shumë të lakmuar. Në këtë pjesë ditari, i cili fillimisht u botua në Londër, për të bërë xhiron e botës, tregohen me detaje të gjitha veprimet që janë marrë në Romë e më pas në Durrës e Tiranë. Telefonatat e vazhdueshme me Duçen dhe gjendja e rënduar nervore e këtij të fundit për shkak të vonesave në veprime. al.mi
1 prill 1939

Konti Ciano duke nënshkruar si dëshmitar martesën e Mbretit Zog
Duçja u kthye dhe pata një takim paraprak me të, në praninë e Jacomonit. Ai miratoi planin e traktatit me disa modifikime të vogla, të cilat kishin të bënin më shumë me detajet sesa substancën, por që do të shpëtonin Mbretin nga turpi. Për një oriental, kjo do të thotë shumë. Ne planifikuam këtë linjë veprimi: Nesër Jacomoni do të paraqitet para mbretit me një skicë të re të traktatit dhe do ti bëjë të qartë se tani situata është serioze. Ose ai do të pranojë, dhe në këtë rast unë do të shkoj në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë solemne të nënshkrimit të traktatit, natyrisht shoqëruar nga një skuadron i fortë avionësh, që do të jetë simbol i faktit që Shqipëria tashmë është italiane. Nëse ai refuzon, të enjten trazirat do të shpërthejnë në të gjithë Shqipërinë, duke e bërë ndërhyrjen e armatosur nga ana jonë një domosdoshmëri imediate. Në këtë rast, ne do zbarkojmë të premten në mëngjes.
Gjatë pasdites, Sereqi, ministri i ri shqiptar, erdhi të më takonte. Ai fillon misionin e tij në një kohë të stuhishme. Teksa kalonte nga Bari, pa përqendrimin e trupave dhe kuptoi se muzika ishte gati për të filluar. Fola sinqerisht me të – me një ton miqësor, por me mjaft vendosmëri. Ai tha se ishte dakord me ne. Ai më kërkoi të ruaja aparencën në një mënyrë të tillë, që ta bëja zgjidhjen më të pranueshme për të, mbretin dhe popullin. E shoqërova atë në Palazzo Venezia, ku Duçja përsëriti paralajmërimin me terma më të saktë. Ai shtoi se, në qoftë se mbreti do të refuzojë të nënshkruajë paktin, kriza do të jetë e pashmangshme. Sereqi vendosi të niset për në Tiranë me Jacomonin, në mënyrë që të bindë mbretin. Pastaj, me pretekstin se nuk ishte në gjendje të shkëmbente paratë e tij shqiptare, i kërkoi Jacomonit ti jepte hua 15.000 lireta, si kësti i parë i një ryshfeti!
2 prill 1939

Konti Ciano në Durrës, më 7 prill 1939
Muti arriti në Romë dhe unë u bëra gati ta nisja në Tiranë me një grup të vogël njerëzish me iniciativë dhe mendjemëdhenj si ai vetë, në mënyrë që të krijojë incidente, të cilat duhet të ndodhin të enjten mbrëma, në qoftë se Mbreti, ndërkohë, nuk do të ketë mirësinë që të dorëzohet. I dhashë atij liri veprimi, por ai ka marrë urdhra të caktuar: të respektojë Mbretëreshën dhe fëmijën, në qoftë se ajo ka lindur tashmë; për të krijuar terror gjatë natës; në agim të fshihen në pyll dhe të presin ardhjen e trupave tanë, duke u përpjekur, ndërkohë, të pengojë tërheqjen e Zogut drejt Matit, ku mund të tentojë të bëjë rezistencë.
Reagimet në kryeqytete të ndryshme, duke përfshirë Beogradin, janë të lehta. Christic, nga ana tjetër, është më i alarmuar, por në përgjigje të një pyetjeje, ai u deklarua i bindur se çështja shqiptare nuk mund të ndryshojë marrëdhëniet, që për fat të mirë ekzistojnë midis Romës dhe Beogradit. Ai rekomandoi që asnjë veprim të mos merret pa informuar më parë Beogradin, dhe në një farë mënyre ekzistenca e shtetit shqiptar duhet të ruhet si një çështje forme.
Shumë lajme kontradiktore qarkullojnë gjatë mëngjesit. Jacomoni telegrafoi një kundërqëndrim shqiptar, paraqitur para ultimatumit të Duçes, por ne nuk e morëm në konsideratë. Sereqi telegrafoi për të dhënë dorëheqjen e tij. Prej Durrësit dhe Vlorës arritën lajmet se zbarkimi i refugjatëve italianë po ecën normalisht. Fortuzi dhe aviatori Tesei, i cili arriti në mesditë nga Tirana, thanë se eksodi i italianëve ka shkaktuar terror mes popullatës. Ata populluan rrugët duke qarë dhe duke akuzuar Mbretin Zog që solli këtë kiamet mbi ta. Duçja i telefonoi Rendit për zbarkimin, duke thënë se urdhri për nisjen do të vijë gjatë mbrëmjes. Sipas sugjerimit tim, ai vendosi të kryejë një fluturim demonstrues nga disa qindra avionë mbi Durrës, Tiranë dhe Vlorë këtë pasdite.
16:00 Një telegram mbërriti nga Jacomoni. Duket se Mbreti nuk dëshiron që të marrë mbi vete përgjegjësinë për një kapitullim të plotë, dhe synon të mbledhë Këshillin e Ministrave për të marrë vendimin përfundimtar për të rezistuar apo për të hequr dorë. Me të drejtë, Jacomoni vëren se në këtë mënyrë Mbreti vë veten jashtë kushteve të ultimatumit, por ai ra dakord të transmetojë informacionin.
Duçja, të cilin e kam informuar, dha urdhër të nisim ekspeditat, duke rezervuar të drejtën për të bërë publik lajmin e përparimit të saj, nëse ka.
Nga zyrat telegrafike mësojmë se mesazhet e gjata janë duke shkuar nga Tirana në Zyrën e Jashtme Britanike. Nuk mund ti ndalim ato. Dhashë urdhër, megjithatë, që të vonohen, dhe të përsëriten shumë gabime në grupet e kodit. Ia vlen të fitojmë kohë, edhe pse Chamberlain i ka dhënë një raport Dhomës së Komuneve mbi atë çka ka ndodhur, çka është në favorin tonë dhe ka deklaruar gjithashtu se Britania e Madhe nuk ka interesa të veçantë mbi Shqipërinë.
07:00 Jacomoni telegrafoi duke na thënë se po digjte kodin sekret, se u kishte thënë zyrtarëve të misionit detar të largohen dhe se e gjithë legata mund shkojë në nëndetëse e cila është në Durrës. Duçja përsëriti urdhrin për të sulmuar, duke specifikuar se Forcat Ajrore duhet ti kursejnë qytetet dhe popullsinë civile.
Badoglio i ka shkruar një letër Duçes, ku kritikon planin e veprimeve. Duçja nuk i kushtoi fare vëmendje. Në një letër Mbreti merr parasysh komunikimin e bërë dje nga Duçja, por shpreh dyshimet e tij lidhur me mundësinë e vendosjes së qëndrueshme në Shqipëri, duke e mbështetur mendimin e tij në kujtimet historike të venedikasve dhe aragonasve. Me siguri ai nuk e mban mend se romakët u instaluan aty mjaft mirë.
09:00 I komunikova Vilanit dhe Fon Mackensenit vendimin tonë për të vazhduar me pushtimin ushtarak. Mora garancinë e të dyve për solidaritetin dhe mirëkuptimin e tyre absolut, mbi motivet e veprimeve