E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cigaret kundër vënies së zjarrit

Që duhani i bën dëm shëndetit është tashmë një e dhënë e ndarë nga gjithë komuniteti shkencor. Por jo të gjithë duhanpirësit dinë që cigaret e fikura keq shkaktojnë rreth 30 mijë zjarre në vit, me një mijë viktima dhe rreth 4 mijë të plagosur. Pikërisht për të parandaluar këtë rrezik,Komisioni Europian ka vendosur që në BE duke filluar nga sot, do të mund të blihen vetëm cigaret me rrezik të ulët zjarrvënie, ose e thënë ndryshe ato që shuhen vetë nëse nuk thithen.

Paketat e para të “firesafe cigarettes” janë vënë në qarkullim që verën e shkuar në disa vende europiane, ndërsa ishin të detyrueshme prej disa vjetësh në SHBA, në Kanada dhe në Australi. Që sot prodhuesit do të mund të hedhin në treg vetëm këto lloj cigaresh.

Ndryshimi rrënjësor prej një cigareje normale qëndron në uljen e aftësisë për të qëndruar ndezur. Përgjatë letrës së cigares së re janë futur dy unaza prej letre më të shpeshtë që ulin prurjen e sasisë së oksigjenit. Në momentin që një person nuk e fik, por e lë pa pirë,apo e hedh ende të ndezur, duhani do të digjet derisa do të arrijë një nga këto unaza që do ta shuajë automatikisht, duke ulur mundësinë që cigarja e fikur keq ti verë flakën pemëve, mobiljeve apo çfarëdo objekti të djegshëm.

Sipas komisarit europian për shëndetin dhe konsumatorët, John Dalli, cigaret e reja do të mundësojnë uljen me 40% të zjarreve nga pakujdesia e duhanpirësve, dhe do të mbrojnë kështu mijëra qytetarë nga zjarri.

(a.s/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›