E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cikli i dytë i studimeve, shtyhet pa afat nisja e masterave dhe Diplomës së Nivelit të Dytë



Jonida Tashi

Shtyhet pa afat nisja e studimeve të ciklit të dytë në universitetet publike të vendit. Bëhet fjalë për programet e studimit Master i Nivelit të Parë, Master i Nivelit të Dytë dhe Diploma të Nivelit të Dytë. Megjithëse sipas udhëzimit të kreut të Arsimit, Myqerem Tafaj, datë 24.9.2009 “Për strukturën e vitit akademik 2009-2010 në institucionet publike të arsimit të lartë dhe masat që duhet të merren për zbatimin e saj”, viti i ri akademik për programet e ciklit të dytë të studimit duhet të fillonte në datën 19 tetor, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dje. Kjo jo për faktin se dita e djeshme ka qenë pushim për të gjitha institucionet shtetërore të vendit, porse qeveria nuk u ka dërguar ende universiteteve kuotat dhe tarifat e studimit që janë miratuar që në datën 30 shtator 2009 për ciklin e dytë të studimit. I gjendur në këtë situatë, ministri i Arsimit i ka dërguar në datën 14 tetor universiteteve udhëzimin për “Procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në programet e studimit të ciklit të dytë dhe Master i Nivelit të Parë, me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2009-2010”. Në këtë udhëzim janë përcaktuar të gjitha procedurat e aplikimit dhe regjistrimit për programet e ciklit të dytë si dhe harku kohor për kryerjen e tyre. Por nëse qeveria do të vonojë dërgimin e vendimit për kuotat dhe tarifat e studimit, sërish nisja e këtyre studimeve do të jetë e “bllokuar”, pasi në përfundim të procesit të aplikimit universitetet nuk mund të vijojnë me atë të radhës që është regjistrimi i fituesve, sepse nuk dinë se sa kandidatë do të pranohen në çdo degë.
Udhëzimi
Dita e sotme është afati i fundit i aplikimit për të vijuar njërin prej programeve të ciklit të dytë. Sipas udhëzimit të datës 14 tetor që Tafaj i ka dërguar universiteteve, afati i fundit për të aplikuar për Master të Nivelit të Parë, Master të Nivelit të Dytë dhe Diplomë të Nivelit të Dytë është ora 18.00 e datës 20 tetor 2009. Pas kësaj date, fakultetet nuk do të pranojnë më asnjë dosje aplikimi. Për regjistrim, aplikanti duhet të dorëzojë dosjen individuale, me dokumentet e mëposhtme: Kopje të noterizuar të diplomës së ciklit të parë të studimeve të shoqëruar me listën origjinale të notave; Certifikatë personale me fotografi; Dy fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 2500 lekë. Pas mbylljes së procesit të aplikimit, fakultetet do të nisin atë të përzgjedhjes së kandidatëve.
Për të bërë përzgjedhjen e kandidatëve fitues sipas kritereve të vendosura, pranë fakulteteve janë ngritur komisionet “Ad-hoc” sipas fushave përkatëse. Komisionet “Ad-hoc” për përzgjedhjen e kandidatëve fitues, do të përcaktojnë mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të fituara për të gjithë ata kandidatë që vijnë nga programe studimi të ngjashme, të ciklit të parë.
Fituesit
Në datën 21 tetor, sipas udhëzimit të ministrit të Arsimit, universitetet duhet të shpallin dhe të afishojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve brenda orës 16.00. Kandidatët do të afishohen në këto lista të ndarë sipas programeve përkatës të studimit, si dhe të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara, në përputhje me kuotat e pranimeve, të miratuara me vendimin nr.984, datë 30.9.2009 të Këshillit të Ministrave. Menjëherë pas shpalljes së fituesve do të nisë procesi i regjistrimit të kandidatëve në programet e studimit ku janë shpallur të tillë. Tafaj ka vendosur që regjistrimi i kandidatëve fitues të kryhet nga data 22 deri në datën 27 tetor 2009, prej orës 08.00 deri në orën 18.00 pranë sekretarive të fakulteteve. Aplikantëve jofitues si dhe atyre që nuk dëshirojnë të regjistrohen do t’u kthehen dokumentet e dorëzuara për aplikim, kundrejt kërkesës së tyre. Pas mbylljes së procesit të regjistrimit, universitetet duhet të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit listat përfundimtare origjinale me regjistrimet e kryera brenda datës 30.11.2008, në bazë të udhëzimit nr.19, datë 18.7.2007, ”Për gjenerimin dhe dhënien e numrave të matrikullimit”.

Kuotat e miratuara për studimet e ciklit të dytë

Për vitin akademik 2009-2010, qeveria ka miratuar në total 6 910 kuota pranimi, për studimet e ciklit të dytë. Kuota e përgjithshme është ndarë në tre programe të ndryshme studimi si: programet e studimit të ciklit të dytë (Diplomë e Nivelit të Dytë); programet e studimit Master i Nivelit të Parë; programe të dyta studimi. Vetëm për programet e studimit të ciklit të dytë (DND) kuota e pranimeve të reja do të jetë 3 065 studentë. Por një numër të konsiderueshëm kuotash pranimi qeveria ka miratuar edhe për programet e studimit Master i Nivelit të Parë (MNP), ku për vitin e ri akademik do të pranohen 3 845 student. Më të kufizuara kuotat e pranimeve të reja do të jenë për programet e dyta të studimit, për të cilat janë përcaktuar 100 vende, si dhe për transferimin e studimeve, që janë po 100 kuota. Ndërsa për studentët e huaj jashtë territorit të vendit, kuota e pranimit do të jetë vetëm 50 studentë. Kuota totale e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), me kohë të plotë, do të përfshijë: kuota për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), për kandidatët brenda territorit të vendit 3 065; kuota për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit 10 për qind e kuotës totale të pranimit; kuota për programet e studimit Master i nivelit të parë,(MNP), për kandidatët brenda territorit të vendit 3 845, ndërsa për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit, 10 për qind e kuotës totale. Brenda kuotës së përgjithshme për programet e ciklit të dytë të studimit do të përfshihen edhe 20 kuota të veçanta për të verbrit. Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë, me kohë të plotë, do të shpërndahen nga Ministria e Arsimit sipas programeve të studimit dhe universiteteve publike të vendit. Përsa i përket nisjes së këtyre studimeve, qeveria ka vendosur se çdo program studimi i ciklit të dytë do të funksionojë në vitin e parë për vitin akademik 2009-2010, në rast se atë e ndjekin të paktën 10 studentë.

Kuotat e pranimit për programet e ciklit të dytë
Kuota e pranimeve të reja, për programet e studimit të ciklit të dytë (DND) 3 065
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit Master i Nivelit të Parë (MNP) 3 845
Kuota për programe të dyta studimi 100
Kuota për transferimin e studimeve 100
Kuota për të huajt 50
Kuota për të verbrit 20

Afatet e regjistrimit
20 tetor 2009, afati i fundit i aplikimit për studimet e ciklit të dytë
21 tetor, universitetet duhet të shpallin listat e kandidatëve fitues
22 deri në datën 27 tetor, periudha e regjistrimit të fituesve
30 tetor, universitetet duhet t’i dorëzojnë Ministrisë së Arsimit listat e të regjistruarve

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›