E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatët që përfshihen në studimet e ciklit të dytë



Të drejtën për të vijuar studimet e ciklit të dytë e kanë të gjithë kandidatët që kanë marrë një diplomë në xhep dhe duan të vijojnë studime të mëtejshme. Por brenda këtij kriteri të përgjithshëm ligjor ka disa kategorizime, pasi ndjekja e një programi studimi të ciklit të dytë varet edhe nga kreditet e fituara gjatë studimeve të mëparshme. Kështu, sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, për t’u pranuar në një program studimi të ciklit të dytë, kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të parë, ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të.
Kandidatët
Kandidatët që kanë mbaruar një fakultet me sistemin 3-vjeçar të Bolonjës kanë të drejtë të vijojnë Masterin e Nivelit të Parë, kohëzgjatja e të cilit është 2 vite akademike. Kandidatët që përfundojnë kohëzgjatjen e plotë 3+2 të studimeve sipas sistemit të Bolonjës, kanë të drejtë të kalojnë më pas tek Diploma e Nivelit të Dytë, që pasohet nga Masteri i Nivelit të Dytë dhe cikli përfundon me studimet e Doktoraturës. Ndërsa tek Masteri i Nivelit të Dytë përfshihen të gjithë ata kandidatë që kanë mbaruar një fakultet me sistemin 4-vjeçar dhe duan të vijojnë studime specializuese. Kohëzgjatja e Masterit të Nivelit të Dytë është një vit akademik. Në përfundim të këtij programi studimi, të diplomuarit me sistemin e mëparshëm të studimit mund të kalojnë tek Diploma e Nivelit të Dytë, e në përfundim tek Doktoratura. Konkretisht, sipas Ligjit të Arsimit të Lartë, për t’u pranuar në një program studimi “Master i Nivelit të Parë” (MNP), kandidati duhet të ketë përfunduar së paku një program studimi të ciklit të parë, si dhe të plotësojë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv për këto programe studimi. Ndërsa për t’u pranuar në një program studimi “Master i Nivelit të Dytë” (MND), kandidati duhet të ketë përfunduar së paku një program studimi të ciklit të dytë apo program të integruar të studimi të ciklit të dytë, si dhe të plotësojë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv për këto programe studimi. Programet e studimeve të ciklit të dytë (Diploma e Nivelit të Dytë) realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite. Të drejtën për të ndjekur një program të dytë studimi e kanë të gjithë individët që kanë përfunduar një program studimi. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer. Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen kriteret që duhet të plotësohen për t’u pranuar në një program të dytë studimi.
Tarifat
Qeveria ka përcaktuar edhe tarifat vjetore të shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë, më kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë, në vitin akademik 2009-2010 do të jetë e plotë. Ndërsa për kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si të verbër, të shurdhër, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë apo fëmijë të policëve të vrarë ose të plagosur, për shkak të detyrës, ish-të përndjekur politikë, që do të fitojnë të drejtën në një program studimi, të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë, do të paguajnë kuotë, në masën 50 për qind të tarifës së shkollimit. Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdojnë studimet. Në çdo program studimi, në ciklin e dytë të studimeve, me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë dhe cikli i dytë nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik pasardhës. Në programet e studimit Master i Nivelit të Parë, në Mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, për lëndët Fizikë, Matematikë apo kombinimet e tyre, me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010, studentët që në ciklin e parë, kanë pasur mesatare, jo më të ulët se nota 8 (tetë), nuk paguajnë tarifën e shkollimit. Studentët që do të transferojnë studimet nga një program studimi, apo nga programe të mëparshme studimi, të ciklit të dytë, në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.

Studimet e ciklit të dytë
Programet e studimeve të ciklit të dytë:
programet e studimeve të ciklit të dytë japin njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim të pavarur në një fushë brenda një specialiteti;
programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është dy vite;
në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet Diplomë e Nivelit të Dytë (DND) në fushën e arsimimit të kryer.
Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë:
institucionet e arsimit të lartë në fusha të veçanta ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku;
programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite;
në përfundim të programeve të studimeve lëshohet Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë (DIND) në fushën e arsimimit të kryer;
Programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë”:
programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë të nivelit të parë, arsimim dhe trajnim të mëtejshëm profesional;
programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë” realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit;
në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma “Master i Nivelit të Parë” (MNP) në fushën e arsimimit dhe trajnimit të kryer.
Programet e studimeve “Master i Nivelit të Dytë” (MND):
programet e studimeve “Master i Nivelit të Dytë” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë të nivelit të dytë, arsimim dhe trajnim të një niveli më të lartë shkencor ose profesional;
programet e studimeve “Master i Nivelit të Dytë” realizohen me jo më pak se 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është minimumi një vit;
në përfundim të këtyre programeve të studimeve jepet diploma “Master i Nivelit të Dytë” (MND).
Studimet e ciklit të tretë:
Programet e studimeve të Doktoratës:
programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese të pavarura;
këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë edhe 60 kredite për studime të organizuara;
kandidatët, që kanë Diplomë të Nivelit të Dytë dhe diplomë “Master i Nivelit të Dytë”, nuk janë të detyruar të grumbullojnë 60 kredite të studimeve të organizuara teorike. Këta paraqesin disertacionin e doktoratës, sapo të kenë plotësuar kushtet e tjera, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave për studimet e doktoratës;
në përfundim të ciklit të tretë lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr).

Kreditet për diplomat e studimit
Për të fituar një Diplomë të Nivelit të Parë (DNP) studenti duhet të ketë grumbulluar 180 kredite
Për të fituar një Diplomë të Nivelit të Dytë (DND) studenti duhet të ketë grumbulluar 120 kredite
Për të fituar një Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë (DIND) studenti duhet të ketë grumbulluar së paku 300 kredite
Për të fituar një Diplomë të Masterit të Nivelit të Parë (MNP) studenti duhet të ketë grumbulluar 60 kredite
Për të fituar një Diplomë të Masterit të Nivelit të Dytë (MND) studenti duhet të ketë grumbulluar të paktën 60 kredite
Për të fituar një diplomë të një programi studimi jo universitar, studenti duhet të ketë grumbulluar 120 kredite
Për të fituar një certifikatë në përfundim të një programi studimi të formimit të vazhduar, studenti duhet të ketë grumbulluar numrin e nevojshëm të krediteve, të përcaktuar nga institucioni respektiv i arsimit të lartë për atë program studimi

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›