E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cikli i idesë humbëse

Cikli i një ideje humbëse, shkon drejt përmbylljes: Bojkot i Kuvendit - Mospjesëmarrje në zgjedhjet e pjesshme vendore - Protesta - Grevë urie - Futja e detyruar në Kuvend - Mosvotimi 84 - Paralajmërim për protesta të tjera - Bojkotim i zgjedhjeve të afërta vendore. Këtë lloj politike të socialistëve, nëse e karakterizojmë me fjalën lëvizje, ajo s’është tjetërgjë veçse vërtitje në vend. Kjo laryshi veprimesh në dukje, nëse e shpjegojmë për nga ndryshimi, nuk është tjetërçka veçse variacion me bojkot. Por, nëse ia shohim përmbajtjen, nuk vërehet gjë tjetër veçse shërbimi i të njëjtës gjellë - bojkotit, në pjata të ndryshme. Nuk është ide lëvizëse, nga që politika e socialistëve u ngurtësua te sajimi i thirrur për shpëtim - hapja e kutive, që ishte një vetvendosje e opozitës kundër të gjithëve, vetëm për kreun e partisë.
Kjo politikë e tejzgjatur ka marrë trajtat e vjetërimit të sëmundjes dhe, kur sëmundja moçmohet, vërtetë e ka të lehtë gjetjen e shkakut, por kurimi i saj bëhet shumë më i vështirë. Gjithë ky vit vërtetoi që, sikur brenda Partisë Socialiste të mos ishin ngritur zërat për t’u zbatuar neni 28 i statutit, dhe krijimi i një klime për ndryshim në drejtimin e saj, pas humbjes së zgjedhjeve - rrjedhat politike pozitë - opozitë do të kishin qenë të tjera. Aty u mendua shkurt dhe shpejt që, kjo krizë afatgjatë, nëpër strukturat e partisë, nuk do të kishte zgjidhje përveçse me mbajtjen gjallë të sherrit midis kundërshtarëve brenda partisë për pushtetin në krye të saj dhe midis opozitës e pozitës për të dobësuar pushtetin qeverisës. Me bojkotin total u synua të dështohej heqja e vizave, duke besuar që kjo nuk do të ndodhte këtë vit, pavarësisht se Bashkimi Europian përsëriste kumtin që, lëvizja e lirë ka të bëjë vetëm me përmbushjen e kushteve teknike. Sjellja njëvjeçare e opozitës qe pozicion bojkotues mes shqiptarëve dhe Bashkimit Europian. Ndoshta, Bashkimi Europian, duke theksuar që, për heqjen e vizave do të shihen vetëm kushtet teknike, tërthorazi kumti për opozitës shkonte që, ajo të mos shpenzonte energji të gabuara në vitin e veçantë për Shqipërinë. Dhe, duke mos e penguar dot lëvizjen e lirë me bojkotin e llojllojshëm, opozita mban në mendje një kumt tjetër të Bashkimit Europian që, për përfitimin e statusit të vendit kandidat, duhet plotësuar edhe kushti politik. Të hapen kutitë ose s’ka as asnjë votim ligjesh prej saj, të hapen kutitë ose s’ka zgjedhje vendore, të hapen kutitë ose protestat nisin në vjeshtë, nuk do të thotë gjë të re në politikën e opozitës, përveçse synohet që, të dëmtohet hapi tjetër i paralajmëruar për Shqipërinë, marrja e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
Por, ky stërmundim politik për arsye të brendshme të partisë shkon të përmbyllet si cikli i një ideje vërtetë dëmtuese, por jo fituese. Të mëtosh për të bojkotuar zgjedhjet, është projektimi i humbjes më të keqe për një opozitë, sidomos kur ajo ka një numër aq të madh deputetësh në Kuvend dalë nga zgjedhje të humbura. Nuk mbahet mend ndër ne që, një opozitë kaq e fuqishme numerikisht në Kuvend, të vetëçfaktorizohet duke zbatuar bojkotin si politikë fituese.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›