Vallja e mashtrimit në të majtën shqiptare, e pangjashme në demokracinë euroatlantike
E.Rama mashtron sa R.Alia. Ky, po aq mashtrues sa Enveri
Po ta fillojmë nga vasali dhe lakeu i emisarëve të Titos, E. Hoxha, kuptohet më qartësisht se e majta jonë e tillë do të katandisej: një e majtë e ngërthyer nga skemat e ngurtësuara në mendësinë e diktaturës. Kjo mendësi fillon me Stalinin. Enveri nuk pranoi të bëjë destalinizimin në vitin 1956 e më tej, kur dihej fare mirë se Stalini e kishte shitur Shqipërinë te Jugosllavia, nëse kjo nuk do t’i kundërvihej diktatorit sovjetik për t’u shprangosur nga diktati stalinian. Tanimë fakti që Stalini e kishte përdorur Shqipërinë si plaçkë tregu, është pohuar edhe në kujtimet fillestare të R. Alisë. Prandaj u zgjodh ajo modus vivendi që Stalini të mos përmendej më si emër, palé me ato epitetet e mëparshme si “Stalini i Madh” etj, por ai të mbetej, megjithatë, mbi piedestalet në të katër anët e Shqipërisë, kur atë e kishin shpallur si terrorist e si shkaktar të mjerimit ekonomik të kolkozeve dhe të sovkozeve sovjetike, në të gjitha vendet komuniste që pranuan vijën e destalinizimit në Kongresin XX të PK (b) të BRSS-së. Kështu tirani ynë mbeti pa aleatë, qoftë në Perëndim, qoftë në Lindje, pasi i prishi marrëdhëniet édhe me Kinën. E shndërroi Shqipërinë, pra, në një vend autarkik. Shqipëria u mbyll nën guaskën e saj. Mjerimi i talonave nuk mund të justifikohej më me “parimet” që edhe bar do të hanim, por nga parimet(!) nuk do të hiqnim dorë.
Ajo inkoherenca mashtruese që kaloi nga glorifikimi i Titos (me epilogun skandaloz të ofrimit të postit të Sekretarit I të KQ të P.K. shqiptare), te mallkimi po i Titos, - tashmë krejtësisht i pabesueshëm, - nuk mund ta shpëtojë Enverin nga verdikti i pashmangshëm i historisë, që do ta vulosë përfundimisht figurën e tij të mallkuar si tradhtarin më të neveritshëm të kombit shqiptar. Nostalgjia ndaj tij do të tretet në radhët e majtizmit të skajshëm shqiptar, kur e majta jonë të bëhet, për një domosdoshmëri historike, si e majta europiane e më gjerë, duke i prerë të gjitha lidhjet me diktaturën të cilën e kaluam bashkërisht. Disa në rolin e të privilegjuarve dhe të mëkatarëve, të cilët do të kenë Simon Vizentalët tanë pas qafe, që të japin llogari përpara drejtësisë së demokracië, siç kishte ndodhur në të gjithë Europën ( pa përjashtuar Amerikën e përtej, ku kërkonin strehim ilegal kriminelët nazistë); të tjerët, në rolin e atyre që pësuan të zitë e ullirit nga ata që sot, përkohësisht, po e shmangin ligjin e spastrimit, në kuadrin e dënimit të krimeve të komunizmit nga AP-ja e KE-së. Krimi diktatorial nuk mund të parashkruhet. Dhe as të fshihet dot. Nyrembergu s’mund të mbetet vetmitar dhe as i veçuar për njërën nga të dy totalitarizmat, që bënë kërdinë mbi njerëzit e pafajshëm.
Ramiz Alisë, duke ecur më tej në këtë panoramë mortore, si diktatori zëvendësues i Enver Hoxhës, nuk do t’i ecin për shumë kohë më tej, ato krimet që janë bërë përtej kufijve tanë zyrtarë veriorë, me synimin që vëllezërit tanë në Kosovë, në Maqedoninë e sotme e në Mal të Zi, ta vinin kokën në lakun e dhunës nga pushteti kolonial i Titos, me pushtues të rinj të pasdyzetepesës. Ramiz Alia ka qenë funksionari më i lartë i ushtrisë sonë përtej kufijve që përmendëm pavarësisht se, kur ndodhi Masakra e Tivarit, ai mund të gjendej në Bosnjë, apo kudo andej pari. Krimi komunist jugosllav i 4500 shqiptarëve të pafajshëm që u masakruan në Tivar, ka autorë dhe bashkëfajtorë në krim, shqiptarë e sllavë, nën sloganet e bashkim-vëllazërimit, në emër të internacionalizmit proletar! Demokracia jonë ndodhet keq që Ramizi, i pandehuri numri dy (Enveri është numri një), kërkon të dalë pa lagur ende nga ky Katin i dytë, madje edhe të tallet me gjakun e shqiptarëve, duke e quajtur budallallëk vetëm përmendjen e këtij fakti monstruoz. Disa si “të paanshëm” e quajnë të tepruar që në publicistikën tonë të djathtë përmendet disa herë kjo masakër. Por nëse një marrëzí që nuk jetësohet dot se cenohet pika 6 e një neni të rëndësishëm të Kodit Zgjedhor, na ka bombarduar timpanet e veshëve me mijëra e mijëra herë, pa gjetur një argument shpjegues për këtë ndërliqje të pamundshme nga ana ligjore, atëherë heshtja që kërkohet të realizohet për këtë krim të përbindshëm, është për t’u përmendur shumë herë më tepër, sepse është urdhër i Enverit që ”të mos hapet goja se të ikën koka”. Islam Kadesha ka qenë shef i informacionit dhe i zbardhjes së lajmeve të koduara, pranë K.Q. të Partisë. Lajmin e marrë në radiogram e deshifroi dhe ia çoi në zyrë Enverit, në kohën që ky po bisedonte me Koçi Xoxen dhe me Nako Spirun. E vetmja fjalí që i tha Enveri ishte kërcënimi që të mbyllte gojën se i ikte koka! Islami doemos që e ruajti sekretin dhe e zgjidhi gojën kur u shporr diktatura! Por ngjarje të llahtarshme si Masakra e Tivarit nuk mund të mbaheshin të fshehta, pavarësisht nga dëshira e një antishqiptari, si E.H.-a. Tani, Ramizi nuk i quan dot armiq ata që do të flisnin për një temë të vendosur në karantinë nga mizoria e Enverit; por, sidoqoftë, bëhet qesharak kur quan budallenj ata që merren me një çështje që kishte nxirë jetën e mijëra familjeve shqiptare. Ramizi është Gëbelsi i propagandës mashtruese komuniste shqiptare. Ky i fundit përfundoi më keq se në gjyqin e Nyrembergut: Vrau të shoqen, të gjithë fëmijët dhe vetveten! Ndërsa Ramizi merr honorare të majme si ish-president dhe ruan të drejtën që të na përrallisë leksione demokracie, sikur ta kishte prurë ai demokracinë!
***
Edi Rama kërkon çdo ditë e më tepër, t’i përmendet emri. Sigurisht, për mirë. Për këtë ka vënë në shërbim mediet e blera dhe papagaj që flasin për korrupsion të qeverisjes, si të dy Erionët & Co, pavarësisht se njerit i ka dalë emri në aferat me bandat e Lushnjës dhe tjetrit i ka dalë emri në aferat misterioze të një evazioni fiskal milionash. Edvini s’ka gajle se përmendet edhe për keq. I ngjan atij personazhit të lashtësisë, Akqiviadhit, që bleu një qen sa një gomar vetëm që të bëhej subjekt i përmendjes nga një krahinë e tërë. Pastaj, kur fjalët për këtë “ngjarje” filluan të meheshin, ai ia preu bishtin thuajse dy metrash qenit të tij, që të merrej sërish nëpër gojë. çështje të mitomanisë.
Fjala “transparencë” na është bërë si ai burri i nënës. Nuk prish punë se ai vetë është shembëlltyra e mungesës tërësore të asaj fjale, të cilën ai s’e heq nga goja, ndonëse ajo ka marrë kuptimin e mungesës tërësore pikërisht të asaj fjale të konsumuar në mënyrë të neveritshme. Blerja e njerëzve për t’u quajtur mitingashë, është bërë me pare në dorë, me autobusë gratis. Nuk pati asnjë farë namuzi, as minimumin e reshtjes, që njerëzit që josheshin për pjesëmarrje në mitingjet e bojkoteve, të paguheshin ditën për diell dhe hapur fare, sa të regjistroheshin edhe nëpër kamerat më të rëndomta të amatorëve të filmimeve të gjërave kureshtare. Nuk mjaftoi vetëm që në këto aktivitete të përdorej kërcënimi, si bashkiakë apo nënbashkiakë që mund të rrezikonin rrogën, për këtë pjesëmarrje të detyruar në këto farë aktivitetesh, por duhej edhe joshja, që ka në thelb korrupsionin. Si të thuash, kulaçi dhe kërbaçi! Për transparencën do të duhej të kishim një shprehje nga zëdhënëset e tij: Në këto raste, urdhri është i prerë: asnjë përgjigje. Le të grijnë sallatë! Transparenca e Edvinit është bërë sallatë, pra!
Por kjo farë sallate vetëm që s’ka gojë të flasë. Përndryshe do të nxirrte një të vërtetë të thjeshtë: që bojkoti rrogor përfaqësohet nga njerëz të kërcënuar dhe pa karakter, të korruptuar gjer në palcë, si ato nudistet që kujtojnë se bëhen të hirshme kur dalin në mënyrë provokuese edhe në një vend tradicional, kur edhe Restoranti i madh me çati prej kashte, me emrin “Breshka”, ( te plazhi “Hekurudha”) me asortimentet e vetme birrë e salçiçe, nuk i pranonte klientët me rroba banjoje, brenda “lokalit”! Pra, frekuentuesit përbëjnë atë pakicë të pakicës, me emrin e një grupimi “populist”, që duhej llogaritur, për publicitet, së paku sa trefishi apo katërfishi i tij!
Këshu Rama shpalli këto ditë se “opozita jo vetëm që nuk do të marrë pjesë në asnjë proces votimi për asnjë nismë që vjen nga ky pushtet, por do të zhvillojë një betejë akoma më të ashpër për transparencën”. Dhe ja ç’flet për krenarinë e kësaj “transparence”, të katandisur ashtu siç e kritikojnë edhe njerëz me këmbët në tokë, me më shumë prestigj se ai (S. Pëllumbi, D. Agolli, Lëvizja për Mendimin Ndryshe etj.): Megjithatë Edvini thotë: “Unë jam shumë krenar për vendimin që ka marre Grupi Parlamentar!” . Për hir të transparencës kokëposhtë nuk thotë “për vendimin që kam marrë unë”! Kërcënimet vazhdojnë. Flet për një betejë që do të përshkallëzohet deri sa “Shqipëria do të vendoset në binarët e transparencës dhe të Kushtetutmërisë”! Dhe këto i thotë bash ai që nuk i respekton ligjet. Cili ligj në botën demokratike e lejon grevën e urisë në mes të bulevardit, përballë Kryeministrisë? Po sikur policia, me të drejtën që i lejon ligji, do të mos lejonte shkarkimin e çadrave plastike në bulevard, si do të bëhej? Do të vinte në përdorim policinë bashkiake, që të konfrontohej me policinë shtetërore? A e di ky njeri që përfiton nga një tolerancë demokratike në zgrip të durimit, se edhe për një grevë të urisë në oborrin e PS-së do të duhej ta bënte këtë me keje? Apo kërkon të ankohej, pastaj, duke luajtur rolin e qaramanit se në Shqipëri nuk lejohen grevat? A i kujtohej se, në kohën kur ishte ministër i Arsim-Kulturës, ua pruri artistëve në majë të hundës, gjersa këta u futën në grevë urie dhe ai i nxori prej kësaj greve me dajak?
Që të bëhesh i besueshëm, duhet të japësh shembullin vetjak. Përvoja në këtë drejtim është e vajtueshme.
Lëvizja për Mendimin Ndryshe ka shumë për të thënë, në këtë drejtim. Anëtarët e kësaj Lëvizjeje e dinë fare mirë sesa transparent dhe sa demokrat është Edi Kristaq Rama!