Dënimi i krimeve të komunizmit të kalojë përmes heqjes së simboleve të diktaturës
Rikonstruksioni i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar në qendër të Tiranës është një ndërmarrje për t’u lavdëruar e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në të vertetë nuk e di se me çfarë qëllimi dhe as shkallën e ndërhyrjes në këtë mozaik, që nga ana artistike përbën një vepër të një rëndësie të veçantë. E kam fjalën se puna e artistëve që kanë punuar në këtë vepër tregon shkallën e lartë të një profesionalizmi të shkëlqyer. Nga ana tjetër kompozimi i veprës bie në kundërshtim me vlerat artistike të saj. Duke patur për qëllim që të pasqyrojë historinë e popullit shqiptar që nga lashtësia, mozaiku është tërësisht i politizuar me slloganet komuniste me moton e “popullit ushtar” dhe “në njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën”. Shumica e hapësirës së kësaj fasade pothuajse është e pushtuar me periudhën e regjimit komunist, ku dikush mban në dorë kazmën dhe dikush tjetër pushkën. A thua se 47 vjet të regjimit komunist përbëjnë edhe historinë e popullit shqiptar. Vizitorit të thjeshtë dhe sidomos atyre që vijnë nga vende të tjera të botës të interesuar të njohin historinë e popullit shqiptar, u krijohet përshtypja e një populli pa histori ose me histori të falsifikuar. Në këtë kontekst, një pasqyrë e tillë në qendër të Kryeqytetit është një shëmtim që prish imazhin e një realiteti që duhet të jetë krejtësisht tjetër. Të mbash akoma në këmbë simbolet e komunizmit m’u në zemër të Tiranës është me të vertetë një handikap i madh dhe i papranueshëm në kohën kur Shqipëria po përgatitet t’i bashkohet familjes europiane. është ky një akt i turpshëm që duhet të korrigjohet sa më parë. Bile edhe në institucionet e tjera të kryeqytetit fasadat e mureve mbajnë simbolet e komunizmit.
Sot janë qindra e mijëra rrugë të Tiranës ku Bashkia i ka emërtuar me qindra e mijëra emra njerëzish të njohur dhe të panjohur. Ka ndërmjet tyre qindra emra të ish-funksionarëve të lartë të regjimit komunist, kriminelë të afirmuar në krime kundër popullit shqiptar. Megjithëse emrat e këtyre rrugëve duhet të ishin aprovuar me kompetencë nga Këshillat e Minibashkive të Tiranës, kjo ka ndodhur vetëm në aparencë. Emrat e rrugëve të aprovuara me konsensus në mbledhjet e këtyre këshillave janë injoruar nga Bashkia e Tiranës duke i zëvendësuar dhe vendosur emra të tjerë që i kanë shkuar për shtat mentalitetit tipik enverist të Edi Ramës. Kjo është edhe një shkelje tjetër flagrante e kompetencave të këtyre njësive bazuar në ligjin për funksionimin e Bashkisë së Tiranës. Nga ana tjetër kjo tregon një mungesë të theksuar kulture e dinjiteti, kur një komunitet i caktuar është i detyruar të mbajë në rrugën që kalon përditë një emër të panjohur, ndoshta të një ish-krimineli ose të një njeriu ordiner që nuk e ka njohur as fshati i tij, por që “këshilli i ndrikullave” që i qëndrojnë pranë Edi Ramës, e kanë patur për zemër të kujtojnë baballarët apo gjyshërit e tyre me emra rrugësh. Duke zhgarravitur rrugët e Tiranës me emra gjithfarësh i bëhet një shërbim i keq kryeqytetit të vendit dhe gjithë Shqipërisë. çfarë do të ndodhte nëse në një qytet të madh si Nju-Jorku, Londra ose Parisi, të gjitha rrugët dhe rrugicat të mbusheshin me emra gjithfarësh. Po mundet që rrugët më kryesore të emërtohen me emra të personaliteteve që përbëjnë historinë e kombit. Ndërkohë ashtu si e ka gjithë bota, rrugët e rrugicat emërtohen me numra dhe fraksione te numrave. Po jo kështu si kjo katrahurë në Tiranë që e bën Edi Rama për të përjetësuar njerëz të pamerituar, vetëm me qëllim përjetësimin e atyre që nuk e meritojnë, emra që vijnë nga e kaluara e diktaturës. është me të vertetë mjaft për t’u çuditur kur Edi Rama, një pasionues i verbër i ngjyrosjes së fasadave të mureve, ndërkohë kur ka ngjyrosur të gjitha fasadat, në rrugën “Bajram Curri”, paska “harruar” të ngjyrosë fasadën e një pallati ku është shkruar në të gjithë hapësirën në Tiranën e Re “Rroftë PPSH”. Duke iu referuar rezolutave te Asamblesë Parlamentare të KE, që janë të detyruara për zbatim nga shtetet antare të këtyre institucioneve më të rëndësishëm ndërkombëtar, regjimi fashist dhe ai komunist janë vendosur në ekuivalencë si dy regjimet më kriminale të shekullit të shkuar. Ndërkohë kur Polonia po shqyrton mundësinë e shembjes së një ndërtese të përmasave të mëdha dhe shumë të kushtueshmë në qendër të Varshavës, vetëm për faktin se ka qenë një dhuratë nga diktatori komunist Stalin, Shqipëria po mbetet si vendi i fundit në Europën ish-komuniste për dënimin e krimeve të komunizmit. Kjo po tregon dhe verteton se regjimi komunist në Shqipëri ka qenë diktatura më e egër në Europën lindore dhe reminishencat e këtij regjimi si metastazat e një sëmundje të rëndë e kanë kapluar Shqipërinë. Por çunat e Bllokut dështuan në ëndrrën e tyre për të sunduar popullin ashtu si në një kohë baballarët e tyre. Orvatja për të mashtruar Europën demokratike se ata paskan ndryshuar pikpamjet e tyre, ngjan si fabula kur ujku ka veshur lëkurën e qingjit.