Cikli mbi të djathtën europiane/ Berluskoni dhe “Forza Italia”, trashëgimtarët modernë të politikës italiane
Në ciklin tonë mbi të djathtën europiane, njëri nga stacionet më të rëndësishëm - trajtuar nga shumë pikëpamje - është ai që ndalet tek ajo italiane. Nëse do merreshim me aspektin historik të saj , sigurisht se fillimet hasen që para lufte me krijimin e bërthamave që i paraprinë Partisë Demokristiane, të udhëhequr në mënyrë emblematike nga Alcide De Gasperi ( dhe në vitet e fundit të ekzistencës nga Giulio Andreotti) e Lëvizjes Sociale Italiane. Për arsye racionale, por edhe llogjike, sigurisht se do ia vlente të merreshim në këtë rast vetëm me zhvillimet në kampin e djathtë të politikës italiane pas viteve nëntëdhjetë, pasi kjo skenë politike njohu asokohe një riorganzimin, si në formë ashtu dhe në përmbajtje. Kjo u reflektua në shkrirjen e partive të vjetra tradicionale dhe lindjen e partive të reja, të cilat përgjatë viteve ndërruan pjesërisht sërish emrat dhe emërtimet e tyre. Në fakt, vitet nëntëdhjetë, me rrëzimin e Murit të Berlinit, sollën edhe në Itali zhvillime të reja - si në krahun e majtë, ashtu dhe në atë të djathtë. Është karakteristikë e skenës politike italiane në përgjithësi, që ajo është shumë e shpërndarë dhe e parcelizuar dhe është vështirë ta trajtosh në një hapësirë kaq të kufizuar gjithë këtë realitet, pavarësisht kufizimit në kohë.
Në Itali, “e djathta” nuk mund të identifikohet aq lehtë me një parti apo dy të tilla madhore, siç është për shembull, rasti i Gjermanisë apo Britanisë së madhe, ku përkatësisht CDU/CSU dhe konservatorët, janë prej dekadash tashmë ikona të së saj, apo më mirë të themi; të qendrës së djathtë apo konservatorizmit modern me tendenca reformatore.
Gjithsesi, nëse do të përpiqeshim ta ndërmerrnim këtë hap, në Itali, sigurisht se ikonat janë “Forza Italia” dhe “Alleanza Nazionale”, që aktualisht sëbashku me disa parti të tjera më të vogla të spektrit të djathtë qeverisin me sukses vendin fqinj. Timonieri i këtij koalicioni dhe lideri absolut i partisë “Forza Italia” që nga themelimi i saj në vitin 1993, është Silvio Berluskoni.
Shumë i njohur për publikun e gjerë italian, ai është sigurisht shumë i njohur edhe për mbarë shqiptarët. Përtej famës së tij prej xhentëllmeni, por edhe si njeri që i pëlqejnë batutat me shumë kripë e historitë e tij shpesh në teh të kritikave, “Kavalieri” është dhe mbetet njëri ndër miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve.
Figura tjetër, thuajse e pandarë nga Berluskoni, e mbase me eksperiencë politike edhe më të gjatë se ai, është ish-partneri i tij më i ngushtë në koalicion, Gianfranco Fini, lideri i “Alleanza Nazionale”.
* * *
“Forza Italia”deri pak vite më parë ka qenë lëvizja përbërëse e koalicionit të së djathtës së qendrës të rimemëruar “Casa delle Libertà”. Në nivel kontinental ajo aderon në grupimin e Partive popullore Europiane. Përsa i përket ideologjisë që udhëheq këtë parti, ajo varion nga liberalizmi, tek ekonomia sociale e tregut me inspirim kristian-demokrat. Partia në fjalë pretendon dhe synon të jetë një parti reformatore dhe moderniste.
Më 18 nëntor 2007, në Sheshin Shën Babila në Milano, lideri i saj Berluskoni, njoftoi shkrirjen e “Forza Italia”-s dhe formimin e një formacioni me të ri politik, “Il Popolo della Libertà” (PdL) ose në shqip: Populli i lirisë, duke pasuar një iniciativë për mbledhjen e firmave në favor të zgjedhjeve të parakohshme. Më 28 nëntor të atij viti, Berluskoni vetë e përgënjeshtroi shkrirjen e parakohshme të partisë. Më 21 nëntor 2008, Këshilli Kombëtar i “Forza Italia”-s i dha udhë propozimeve të kreut të saj dhe tashmë pritet të mbahet Kongresi i planifikuar në mars të këtij viti, i cili do t’ i hapë rrugën krijimit të partisë së re.
“Forza Italia” ose ndryshe, “Aksioni për qeversije të mirë” u ligjërua më 29 korrik 1993 nga disa emra të njohur në publik, ku shumë prej tyre ishin të përfshirë në ndërmarrjet e kontrolluara nga “Fininvest”, e të tjera, gjithsesi të afërta me themeluesin e pronarin e kësaj të fundit, Silvio Berlusconi. Në listë spikasnin emrat e Marcello Dell'Utri, Antonio Martino, Mario Valduçi, Antonio Tajani, Cesare Previti dhe të Giuliano Urbani-t. Vetë emri i partisë erdhi nga slogani ”Forza Italia” i përdorur në fushatën elektorale të partisë tashmë të shkrirë “Democrazia Cristiana” të vitit 1987.
Berluskoni kishte nisur të fliste për politikën prej vitesh. Më 19 mars 1993, ai la të kuptohej se ishte i shqetësuar për situatën politike në vend. Më 10 maj ai jep sinjalin e parë konkret për aktivitet politik ndërsa prezanton idetë e veta. Fillimisht Berluskoni preferon të ecë me kujdes, por në pah dalin informacionet e para “të fshehta”, sikurse donte edhe ai që cilësohej si ideologu i partisë berluskoniane, Giuliano Urbani.
Pas disa mohimeve nga ana e Berluskonit dhe publikimeve që të bënin të bindeshe për themelimin e një risie politike me potencë në vend pas realiteteve të reja, më 23 nëntor, Silvio Berluskoni, gjatë një inaugurimi të një supermerkatoje, deklaron se nëse do të ftohej të votonte në ato zgjedhje komunale të radhës për Romën, do ta bënte për kreun e “Alleanza Nazionale”-s, Gianfranco Fini: ishte hera e parë që një sipërmarrës kaq i madh, ishte shprehur hapur në përkrahje të (asokohe) “Movimento Sociale Italiano”, paraardhësja e “Alleanza Nazionale”-s.
* * *
Pas shumë andrrallash e ngjarjesh politike, në diskutimin historik të 26 janarit 1994, Berluskoni e përcakton “Forza Italia”-n si një “lëvizje politike” më shumë se sa thjesht një parti politike të mirëfilltë, e kësisoj kandidon për të marrë drejtimin e vendit. Më 6 shkurt, në Romë, mbahet konventa e parë e “Forza Italia”-s dhe Berluskoni bën publik diskutimin e parë prej lideri politik. Më 27-28 mars, me rezultatet që arrin në zgjedhjet politike, partia e tij “Forza Italia” konfirmohet si partia e parë italiane që kap nivelin e 21% e kështu që merr drejtimin e qeverisë sëbashku me parti të tjera të qendrës së djathtë: në Veri, aleanca dominohet nga i ashtuquajturi “Polo delle Libertà” ose në shqip, “Poli i lirisë”, ku bënin pjesë si forca kryesore “Forza Italia” dhe “Lega Nord”, një lëvizje politike me pikëpamje separatiste, ndërkohë që në jug, nga “Polo del Buon Governo” ose “Poli i mirëqeverisjes” (përbërë nga dy kryesoret: “Forza Italia” dhe “Alleanza Nazionale”).
Suksesi i “Forza Italia”-s, sipas specialistëve, mund t’ i atribuohet dy faktorëve ( përtej asaj që njihet si forca ekonomike e mediatike e liderit të saj karizmatik): diferencës me personazhet e tjerë “ të rinj” në skenën politike italiane, si Mario Segni. Asokohe, Berluskoni apelonte ndaj interesave sociale më të përcaktuara për shtetasit italianë. Berluskoni tentonte ndërkohë në një polarizim të fortë mes së djathtës e së majtës, duke i dhënë hapësirë hipotezës së centrizmit që vinte si pasojë e radikalizimit të betejave politike me kahje të kundërta.
Më vonë pasuan disa-ulje ngritje që u reflektuan në disa fitore dhe humbje zgjedhjesh me karakter nacional, lokal, rajonal, por edhe europian. Majat sigurisht që i përbëjnë fitoret e bujshme të zgjedhjeve të përgjithshme parlamantare në vitet 2001, 2005 e 2008, të cilat u konkretizuan në krijimin e disa koalicioneve qeveritare “Berluskoni” (gjithsej katër, dukje mbajtur parasysh edhe qeverisjen e tij në vitet nëntëdhjetë), duke shënuar edhe rekorde në një vend ku jetëgjatësia politike e një qeverie, është bërë shpesh objekt humori. Aktualisht “Kabineti Berluskoni” ndodhet në kounsum të mandatit të tij qeverisës, qysh prej 8 majit të vitit të shkuar.
Vijon numrin e ardhshëm