E Shtunë, 31 Tetor 2026

ME AT ZEF PLLUMIN NË MES TONË (I)

Ky botim përmbledh pesëmbëdhjetë biseda me gazetarët shqiptarë, gjatë pesëmbëdhjetëvjeçarit 1992-2007, të njërit prej “njerëzve të mëdhaj” që sapo kaloi pranë nesh: At Zef Pllumit. Nuk janë gjithçka që ai la në bisedat e tij, por janë zgjedhur padyshim më të rëndësishmet ndër to, ato në të cilat, gur mbas guri, d.m.th. ide mbas ideje, vjen e përplotësohet mozaiku i ideologjisë së tij. (Kuptoj këtu me ideologji një sistem pakashumë koherent figurash të mendimit, paraqitjesh (fr. representations) globale, idesh që kanë për qëllim të rregullojnë në gjirin e një shoqërie marrëdhëniet e individëve mes tyre, të tyret me njerëzit e huaj, me natyrën dhe simbolikën etj., gjithsesi në kuptimin e një sistemi të ndërlidhur paraqitjesh të botës që mund të shërbejë si bazë për veprimin (praxis), në ndryshim nga konceptimi marxist i ideologjisë si tërësi opinionesh mbi problemet sociale që formohen nën ndikimin dhe interesin e një klase sociale të dhënë dhe që shërbejnë për mbrojtjen e interesave të kësaj klase.)
Zhanri gazetaror që e quajmë “intervistë” jo vetëm të jep mundësinë, si i intervistuar, të sintetizosh ato çfarë ke pasë “kujtuar” në Kujtimet e tua, por edhe “të detyron” të thuash ato çfarë të ka ndodhur t’i kesh skajuar nga të thënat memuaristike. Do të kishim pëlqyer që, përgjatë viteve të lirisë, një gazetar i zoti t’i kishte ndenjur pranë At Zef Pllumit: ta kishte ndjekur këmba-këmbës duke ia cytur oreçast bisedën, ta kishte shoqëruar në orën e rakisë duke iu gjegjur: “Gjithmonë e jetës!” sa herë që Frati uronte duke ngritur putirin e vogël: “Levdue kjoftë Jezu Krishti!”, si dhe të kishte regjistruar pa përtim bisedat me të. Le të mos ishte një Eckermann. Ato biseda do të përbënin, merret vesh, një vëllim mjaft më të madh se ky i këtushmi. Ndoshta shumë më konsistues. Por kjo nuk ndodhi. Sa për ëndjen e rakisë, atë ia njohu, fjala vjen, Bardhyl Matraxhiu, i cili edhe e ndau me të; mandej ia kuptoi Elsa Demo, të cilën Frati e siguroi se kur kishte dalë prej burgut “një mik” e kishte mësuar t’i qetonte “therjet në zemër” me një gotëz raki; ndërsa nuk ia nuhati dot Alqi Koçiko, i cili e njohu së voni dhe të cilit i ka bërë përshtypje vetëm se si “padreja” e refuzon gotën me pije freskuese të gazuar, që ia sjellin, duke thënë: “Janë pijet e shejtanit...”.
Mirëpo edhe bisedat me gazetarë të ndryshëm kanë të mirën e vet pikërisht falë ndryshmërisë: çfarë pyet Fevziu, nuk pyet Ilirian Agolli; ku ngacmon Milena, nuk trazon Anxhaku; tjetërkund hulumton Ben Andoni dhe tjetërkund Belina Budini; atje tek guxojnë të depërtojnë Iliriana (“Shihni ëndrra?” “Ju ka vajtur ndonjëherë mendja të vrisni veten?” “Çfarë hani?” etj.) ose Elsa (fëminia, femrat, marrëdhëniet e trupit me shpirtin, homoseksualiteti, palumturia etj.) nuk pëlqejnë të kuturisen as David Gjugja, as Gjergj Meta. Le më po të shtohen rastet e lume të bisedave të marra nga mësimdhënës universitarë të letërsisë, si Matraxhiu, Yzeiri, Shehri, Asllani. Edhe falë kësaj ndryshmërie, të gjithë ata që na kanë lënë të regjistruar në këtë cikël bisedash shumëçka nga sa foli At Zef Pllumi meritojnë sot t’u dihet për nder.  
Me një cikël të këtillë bisedash Frati i kujtimeve shndërrohet në Fratin e ideve, ndërsa ideologjia e tij – e përplotësuar kështu – do të ndihmojë për t’iu shmangur portreteve të tij të njëanshme, identikiteve të tij ex usu. Historia gjithë travajë e Shqipërisë në ballafaqim me historiografinë e saj, situata entopsikologjike e shqiptarëve (brenda saj teza kërshërore për “kulturën e mosbesimit”), dilemat e binomit “fe e atdhe”, problematika delikate e Kishës katolike në Shqipëri (tejmase i guximshëm përfundimi se “Kisha katolike s’ka zbarkue ende në brigjet tona”), imperativi i kulturimit të shqiptarëve të rinj si e vetmja rrugë e modernizimit të Shqipërisë (krejt vetjak mohimi i nevojës për “shkolla klerikale” dhe ngulmimi për “shkolla europiane”), njohuritë e tij nga historia e artit dhe shijet e tij artistike (me interes vrojtimet për “artin egjiptian”), opinioni i tij për mediat dhe rolin e tyre në realitetin e sotëm shqiptar (zor t’ua ketë thënë kush tjetër për fytyrë gazetarëve tanë: “Ju ende nuk jeni formuar me mendimin e lirë demokrat, ende nuk jeni bërë kundër diktaturës, ju ende ushqeni diktaturën”) etj. etj. do të numëroheshin si disa ndër gurët e këtij mozaiku të ideologjisë së tij. Vetëm se gurë të vështruar nga afër. Tanimë, me mundësinë që jep edhe ky botim, le të guxojmë ta vështrojmë “mozaikun” në fjalë nga larg, d.m.th. duke synuar sintezën që na ofron ai.
“Por nuk del nga rrobja e klerikut...”: shkruan njëri prej intervistuesve për Fratin tonë kur ky i bishtnon ndonjë pyetjeje. Jam i mendjes se pikërisht situata e përkundërt, kur gazetarëve u duket ai del nga rrobja e klerikut, do të na lejojë tani dhe në të ardhmen të rrokim sadokudo diçka nga thelbi i ideologjisë së tij. Ka të drejtë intervistuesi: ne nuk jemi klerikë. Si të këtillë, na intereson të vështrojmë se çfarë – pikërisht çfarë – e bëri At Zef Pllumin njërin ndër ideologët shqiptarë më me peshë të kapërcyellit të shekujve XX dhe XXI.    
Më bie në mend, ndërsa jam ulur me shënimet e punës, kërkesa e tij ngulmuese – ishim në mars të vitit 1995 – që ta hiqja një paragraf nga Parathënia për librin e tij “Rrno vetëm për me tregue”. Aty, si përshkruaja takimet e para me të më 1990-1991, në rrethana krejt të papërputhshme me vegimet romantike të një Pietro Quaroni – prej këtij citoja portretin e “etërve të kishave të vogla e të humbura të Malësisë” etj., – përmendja po prej Valixhes diplomatike të ish-ambasadorit italian paradigmën e klerikut katolik tradicional të Maleve të Shqipërisë që sfidonte deri edhe shtetin shqiptar në politikën e tij:
“I rritur në epokën turke, kur komuniteti fetar njihej zyrtarisht, ai nuk e përshtaste dot veten me mëtimet moderne dhe laike të shtetit të ri shqiptar. I fortë për nga ndikimi mbi katolikët, për nga pesha e tyre ushtarake e politike, ai jepte e merrte me shtetin shqiptar si i barabartë me të barabartë. Politikan finok e i aftë, administrator i matur i pasurive të Kishës dhe të tija vetë, ai dinte, kur e lypte çasti, të merrte mbi vete gjithë dinjitetin e primatit të Shqipërisë. Qeveria shqiptare kishte vendosur të bënte të vetin kod civil e divorc dhe t’ia hiqte gjithë pjesën “familje” juridiksionit kishtar; kleri shqiptar, nga ana e tij, nuk pranonte të dorëzohej. Dhe ja se ku, si jeh i kohëve të dikurshme, nga katedra e kishës së tij të vogël në Shkodër Imzot Mjedja lëshoi shkishërimin (ekskomunikimin) kundër shtetit shqiptar dhe të gjithë atyre që do t’i pranonin ligjet. Qeveria e Tiranës kishte dhënë urdhër ta arrestonin nëse guxonte të lëshonte shkishërimin. Në të vërtetë, askush nuk guxoi ta arrestonte atë në dioqezën e tij: kodi mbeti kod, por në rajonin e Shkodrës nuk hynte që nuk hynte në fuqi”.
Këmbënguljes së autorit, për të cilin shkruaja parathënien, iu binda: paragrafi u hoq, ndonëse nuk isha i qartë se përse e shqetësonte ai. Në Parathënie fjalia mbeti cung dhe me tri pika, si për të mos e humbur gjurmën e lënies jashtë: “Një ndryshim hipostazash....”. Kaq. Ndërsa Kujtimet e tij vijonin (1995-2002) dhe e ndihmoja me redaktimin, fillova t’ia kuptoja shqetësimin për “paradigmën”. Por sidomos nga sa do t’u tregonte – më sak: shpjegonte – gazetarëve në bisedat e tij, që nuk ua kurseu, punët do të vinin duke m’u kthjelluar.
Liria si asgjësuese e tiranisë dhe dashuria si asgjësuese e dhunës mbeten postulatet e tij të shpallura në Kujtimet që la. Edhe në shkrimet publicistiko-historike. Por më fort në bisedat. I quajt postulate, dhe jo aksioma, ngase më duket të jetë fjala për parime të përdorura prej Fratit në ndërtimin e një sistemi deduktiv, pra si parime jo të vërtetuara, por padyshim legjitime, d.m.th. intuitivisht të pakundërshtueshme. “Kurrgja më shumë se liria” e ka titulluar intervistën e tij të fundit gazetarja së cilës ai i besohej pikërisht kështu: “Unë kam dashur lirinë më tepër se kurrgja...”. Për t’u vënë re se qysh në intervistën e parë, të vitit 1992, kishte shpallur: “Liria individuale asht themeli i të gjitha lirive: i asaj shoqnore e i asaj politike”. Vetë e kam dëgjuar në më se një rast të shpallte të njëjtën gjë. Mbaj mend një mëngjes plot diell, ndërsa rrinim duke kuvenduar nën një pjergull vreshti, në kopshtin e kishës së “Pater Jack-ut” lart në sukën e Bizës së Vogël: ishte në të hyrë të pranverës dhe kohë më kohë komentonim bukuritë jashtë të zakonshmes të visores përreth. “Eh, ky vend, nji mrekullí e dorës së Tenzòt! Nji kështu duhet të jetë kenë edhe Galileja, atdheu i ‘Kangës së kangëvet’, në mars a në prill, - foli dhe ndali. Për të shtuar: - Por mjerisht këtu ndër ne liria bjen ende erë të keqe...”. Nuk më hiqet nga mendja ky shfrim i tiji i beftë; për krahasim mund t’i gjej vetëm konstatimin shakespearean të Hamletit: “Është kalbur diçka këtu në Danimarkë...”. Ndenjëm një copë herë të madhe në heshtje, duke mbajtur vesh trillet e zogjve e duke kundruar teposhtë bukuritë e Rodonit, dhe ndoshta pikërisht në ato çaste duhet ta kem pikasur që pasioni i tij mbizotërues, liria, i regëtinte atij njeriu si gjaku në vena.
Tiran  e cilëson ai Enver Hoxhën në biseda dhe tiraní regjimin e tij: kështu  lexohet tani edhe në bisedat me gazetarët. Edhe në këtë rast rezulton i saktë në terma e koncepte, duke qenë se nga historia e Romës së lashtë, që e njihte mirë, i dinte kuptimet ngushtësisht rrethanore të termave diktator dhe diktaturë, të keqpërdorur ndonjëherë. Ndërkaq për ç’i përket parimit të ngritjes së dashurisë kundër dhunës, vërejeni: mbeti një nga temat e parapëlqyera të Fratit pothuajse në të tëra bisedat, aq fort është përpjekur t’ua shtjellojë bashkëbiseduesve këtë “teologji” delikate të dashurisë.
Kur tanimë idetë e tij vijnë duke u sistemuar, dallohen qartazi katër skajet kardinale mes të cilave, si mes katër pikave të horizontit, ka lëvizur e është zhvilluar ideologjia e tij, ideologjia ndoshta më e thjeshtë në botë: liria përkundrejt tiranisë dhe dashuria përkundrejt dhunës.

“Kleriku antikomunist” ishte një epitet që, këtu e një vit të shkuar, u bë stereotip në shkrimet e përmortshme kushtuar At Zef Pllumit. Athuase ngaqë komunizmin e patëm më pranë, nuk u kujtua kush të shtonte edhe epitetin analog “kleriku antifashist”. Në të vërtetë, qëndrimi ndaj fashizmit dhe komunizmit ishte për të një ekuacion të cilin e përsëriti dendur, sidomos kur na kujtonte në biseda se si, sot e gjithë ditën, nën fjalët “demokraci e vërtetë” mund të struken sa fashizmi, aq edhe komunizmi. Kallëzimi me gisht i tiranisë nga cilado anë që të vijë, qoftë nga e majta qoftë nga e djathta, përbën tipar spikatës për identifikimin e ideologjisë së tij: spikatës në botën ideologjike shqiptare, ku kemi njohur rëndom një takëm “antifashistësh” që në zemër u ziente vetëm komunizmi, sikurse po mësohemi me xhambazë “antikomunistë” të cilëve nuk u djeg në bark veçse malli i fashizmit. Trait de génie të ideologjisë së Fratit tonë: kështu do të guxoja ta quaja këtë tipar. 
“Nuk ka pasë kurrnji element ma antifashist se kleri katolik shqiptar, pse nuk e dojshim fashizmin”, i deklaron ai Fevziut pa i luajtur qerpiku. Ku i është dhënë rasti, në veçanti në shkrime historiko-publicistike, Frati ngulmoi më se një herë të kthjellojë si qëndrimin antifashist të françeskanëve në përgjithësi, – me përjashtime të rralla, – ashtu edhe të vetin: sa te “Françeskanët e mëdhaj” (2002), aq edhe te biseda-libër “Historí kurrë e shkrueme” (2004). Duket sheshit në to përkujdesi i tij që figura fashistësh të thekur, si At Bernardin Palaj dhe Dom Lazër Shantoja etj., t’i vlerësojë vetëm e vetëm për veprën e tyre shkencore ose letrare. “Ishte nji fashist i deklaruem, - thotë për Bernardin Palajn. - Edhe këtë e mbronte mbi baza filozofike e ideologjike. Ishte krejtësisht i bindun se fashizmi do të ishte shpëtimtar i popujve të Europës. Këtë ide krejtësisht të gabueme që kishte formue e mbronte me mendjen e me gjûhën e vet”. Tek biseda-libër për historinë, për shembull, nuk ka ngurruar të saktësojë për ç’i përket “okupacionit ushtarak italian” të 7 prillit 1939: “Jo vetëm populli i thjeshtë shqiptar, por edhe gjithë intelektualët, përveç nji pakice, - si shkrimtari Z. Ernest Koliqi dhe studiuesi Z. Mustafa Kruja, Dom Lazër Shantoja e At Benardin Palaj, - ishin kundër këtij okupacioni ushtarak, e aq mâ tepër, kundër kolonizimit kulturor e shpirtnor të Shqipnisë”. Ose: “Shumëkush, nga mnera për tiraninë e Zogut, priste si shpëtimtare tiraninë fashiste. Ndër këta janë shque dy persona: At Bernardin Palaj edhe Dom Lazër Shantoja”. Kam përshtypjen se ata qenë për të hije të trazuara, të zymta. Ndërkaq, po në ato shkrime, ka treguar në përimti se si në Shqipëri “autoritetet fashiste filluen nji luftë të hapun kundra françeskanëve shqiptarë”; se si françeskanët shqiptarë kundërshtonin të ngrinin në kambanaren e kishës së tyre “flamurin me shêjat e Liktorit” dhe të fusnin në programin e shkollës “mësimin e edukatës fashiste”, që kishte planifikuar Ministria e Arsimit; ka kujtuar refuzimin e drejtorit të liceut At Frano Kiri për të pranuar si mësimdhënës “nji italian, i cili nuk zotnonte asnji fjalë shqip”; polemikën e rreptë të Dr. Gjon Shllakut me “specialistin italian për arsimin dhe organizimin e rinisë shqiptare simbas modelit fashist italian” Gianino Montanelli – ky ishte i ati i Indro Montanellit –; ftohtësinë me të cilën u prit në shkollat françeskane prej trupit mësimor, si edhe prej nxënësve, ministri i Arsimit Ernest Koliqi; drejtimin e operacionit fashist kundër françeskanëve prej vetë ish-konsullit italian në qytetin e Shkodrës, në atë kohë i emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Luogotenencës, Salvatore Meloni, në bashkëpunim me “delegatin apostolik Mons. Leone Nigris superfashist” (gjetiu: “Leon de Nigris ishte nji prift italian fashist i orëve të para” dhe: “ishte nji antishqiptár i përsosun”); burgosjen në Shkodër dhe internimin në Itali të Prof. Athanas Gegajt; mbylljen e shkollave françeskane; sekuestrimin e Bandës Muzikore Françeskane; konfiskimin e të gjitha veglave muzikore dhe mjeteve të dëfrimit të rinisë françeskane (lojëra ping-pongu, bilardo etj.) “për t’i kalue në favor të qendrave të partisë fashiste shqiptare”; ndalimin e shoqërisë “Antoniane” dhe arratisjen e detyruar të drejtorit të saj At Lekë Luli, mandej të drejtorit të “Hyllit të Dritës” At Gjon Shllaku; thirrjen në Itali dhe mbajtjen aty si pengje të At Anton Harapit dhe të provincialit të françeskanëve At Çiprian Nika etj. “Ambientet e Kuvendit Françeskan u shkretuen, - kujton ai. - Dukej sikur po vdiste kombi”. Mbart vlerë të posaçme dëshmia e tij për fjalën e Imzot Gaspër Thaçit në meshën e përshpirtjes për At Gjergj Fishtën: “Para pak ditësh ishem në spital për të pá Pater Fishtën, i cili tashmâ e kishte kuptue edhe vetë se ishin takimet e fundit të jetës së tij dhe më tha: ‘Nuk po më vjen keq se po des, mbasi të gjithë atje do të shkojmë, por po më vjen e randë se tanë jetën e kam shkrî për të pá nji Shqipní të lirë e në vedi, ndërsá sot po e la të shkelun prej ushtrive të hueja’...”. “Fashizmi italian në Shqipní anmikun mâ të madh të vetin ka pasë françeskanizmin shqiptár, - ka konfirmuar At Zef Pllumi në bisedën-libër mbi historinë me Arben Markun. - Jo krejt klerin katolik, por vetëm provincën françeskane, tue kenë se ishte flamurtarja e patriotizmit shqiptar”.
Për një pjesë së tepërmi problematike të fondeve arkivore  - prej Arkivit të ish-Arqipeshkvisë në Shkodër, të ish-Konsullatës italiane të Shkodrës, të ish-Luogotenencës, të ish-Komandaturës gjermane në Shqipëri, të Zyrës së forcave SS në Shkodër, të Banca di Napoli-t në Tiranë etj. – ai u shmangej komenteve. Ndoshta nga ajo pjesë e padenjë e historisë së disa prej paraardhësve të vet buronte edhe skepticizmi i tij ndaj arkivave në përgjithësi: “Në arkiv gjen gjithçka, por jo të vërtetën...”, “në arkiva e vërteta nuk del kurrë...”, “nuk don me thanë se, tue shfrytëzue arkivin, shkrove nji histori të vërtetë...” etj. Fort më të lehtë e kishte të përballonte, për shembull, debatin nëse Jezu Krishti ishte apo jo i informuar për ngjarjet politike të kohës së vet apo thjesht nuk u jepte atyre rëndësi. 
    Nga një anë tjetër, sikurse mund vërehet tani edhe në bisedat e këtushme, qëndrimi i tij antikomunist është dalluar për të afruarit gjithnjë më pranë realitetit historik të fakteve. Jo vetëm pa shfryrje e pa fyerje, por me interpretime që mund të quhen origjinale, d.m.th. të tijat dhe jo të kujt tjetër. “Askund mllef”: kështu e kanë përshkruar edhe gazetarët. “Komunizmi asht idé e bukur në teori: asht dishira me i bâ gjithë njerëzit të barabartë, të bashkuem, - është shprehur duke folur në Romë për Radion e Vatikanit. - Ide shumë të bukura...”. Dhe ka vijuar duke shtjelluar me një objektivitet të papritur nga një njeri që, siç e përshkruajnë gazetarët, “më shumë ka qenë brenda se sa jashtë”: “mbas Luftës I botnore studentat shqiptarë nisën me shkue e me studiue edhe në Francë e n’Italí, ku sundojshin idetë antiklerikale e antifetare, që kishin mbî nga Revolucioni Freng. Qysh këtu nisi të parashikohej ardhja e komunizmit në Shqipní. E kjo, jo pse studentët shqiptarë në Perëndim ishin djelm të këqij; jo, ishin djelm të mirë, por me ato gjykimet e tyne djaloshare, kur kthejshin në Shqipní e e shihshin vendin aq të mbrapambetun, mendojshin me i kalue epokat me nji hap; por a kapërcehen epokat me nji hap?! Ata kishin vullndet të mirë, por nuk e kuptuen çka ishte në të vërtetë komunizmi”. Ndërkaq ka shtuar: “Por vjen puna që partitë e sidomos përfaqësuesit e naltë të tyne, kanë ide krejtësisht të tjera. E kështu peshkaqejt e mëdhaj, që drejtojshin komunizmin, i gllabëruen të gjithë peshqit e vogjël, pikërisht ata që luftuen e diqën për nji të ardhme vërtet të lumtun të njerëzimit, siç ishte djelmnia komuniste e asaj kohe”. Disa vite më vonë, i ftuar në studion e Tv “Klan”, do ta shtjellojë edhe më këtë tezë: “Në 1920 nji prift katolik ka shkrue që ky popull, kur të bajë me râ në kontakt me kulturën europiane, o do të bahet jakobin radikal, o do të bahet komunist. Sepse prej nji populli krejtsisht të paqytetnuem, larg kulturës europiane, të veçuem si popull në tanë Europën, të veçuem për 500 vjet, natyrisht të gjithë ata që studiojshnin jashtë do të binin në kontakt me kulturën europiane, me idetë socialiste. Kështu që do të baheshin të majtë, do të baheshin komunista. Komunizmi kishte depërtue në Shqipni, intelektualët e rij që kanë pas ardhë ishin të gjithë me ide komuniste, pavarësisht se Enver Hoxha i hoqi ata intelektualë, se ata dojshin nji komunizëm idealist i cili nuk asht zbatue kurrë”. Ndërsa, si të rënën finale në gjykim të këtij jakobinizmi radikal enverist, ja se si ka pafrikësinë të krahasojë, në një nga bisedat e tij të vitit 2007, kampet shqiptare “të punës” me kampin nazist të Mathausenit: “Karshi kampeve tona, të atyne kampeve në të cilat kam jetue vetë, ai ishte lul veri....”.
   
(vijon në nr. e ardhshëm)

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›