Mospranim kolektiv i dështimit kolektiv
- Europa e sotme nuk ka parë, dështim kolektiv më tragjik e më të tejzgjatur, sesa në Serbi
Dukuria, “dështim kolektiv”, e shqiptuar nga Presidenti Barak Obama, në fjalimin e 20 janarit 2009, nuk është një e keqe e izoluar.
Fjala dështim, natyrisht, është e rëndë. Por, më i rëndë është vetë dështimi. Çdo dështim, i ka pasojat më të zgjatura, kur nuk pranohet, kur nuk kritikohet e, sidomos, kur nuk kapërcehet. Bota, vetëm në 12 vjetët e fundit, ka njohur edhe tri dështime, të ndryshëm nga njëri - tjetri, secili në vetvete ishte, i bujshëm në politikë e fortunë në media, të cilët u kthyen në vuajtje për vendet ku ndodhën.
Dështim kolektiv ishin skemat piramidale, në Shqipëri, më 1997, një dramë tronditëse për shkak të babëzisë për fitim, mashtrimit të neveritshëm dhe përfshirjes kolektive. Ish- Presidenti Berisha, në kulmin e pasojave, pohoi përgjegjësinë e indiferencës ndaj tyre. Këtë e ka përsëritur edhe herë të tjera, më vonë, për pasojat e vonesat në zhvillimin demokratik të shoqërisë. Njohja e dështimit dhe veprimi për tejkalimin e tij, përveç që shërbyen si mësim nga rasti i hidhur, nxitën përpjekje për të rimarrë hapin e reformave, kryerjen e zgjedhjeve të vështira, për t’iu bashkuar proceseve integruese europiane.
Gjatë fjalimit inaugurues, Presidenti Obama u përcolli amerikanëve, por edhe botës, modelin politik të përgjegjësisë kurajoze dhe domosdoshmërinë për daljen nga kriza, duke thënë pa ngurim: “Ekonomia jonë është dobësuar së tepërmi si pasojë e etjes së pakontrolluar për fitime dhe papërgjegjësisë që kanë treguar disa, por gjithashtu, edhe për shkak të dështimit tonë kolektiv për të bërë zgjedhje të vështira për një epokë të re”. Ky ishte një pohim i padëgjuar, një pranim i pazakontë, i përmbyllur me përcaktimin e rreptë “dështim kolektiv”, të kritikës së mosbërjes të “zgjedhjeve të vështira”, drejt synimit madhor ekzistencial, “për ta përgatitur vendin për një epokë të re”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen se do ta tejkalojnë gjendjen, do ta bëjnë zgjedhjen e kërkuar dhe do të futen në epokën e re. Procesi do të jetë i gjatë, por kryerja e tij mori udhë që nga guximi për ta theksuar të vërtetën dhe synuar atë.
Kumti përtejamerikan, vlen sidomos për Serbinë. Më 1999, dhe për shumë vjet më pas, qysh atëherë, Serbia ka shënuar dështimin kolektiv më të pashëmbullt në gjysmëshekullin e fundit, dukuritë më themelore të të cilit janë: luftë e përgjakshme dhe e pistë, deri racore, në Kosovë; politikë e marrë kundër faktorit ndërkombëtar; konflikt ushtarak donkishotesk me NATO-n; rrënim katastrofik i ekonomisë së vet; mosbashkëpunim kryeneç me Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës; asnjë dallim mes radikalëve dhe proeuropianëve ndaj statusit të Kosovës; Serbia e mban pakicën serbe në rolin, e një të papajtueshmi për çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe të një trazueseje sociale e bllokueseje politike të përhershme, atje; ngecje në udhëkryq, nga lidhje domethënëse me Rusinë dhe deklarata kushtëzuese ndaj Bashkimit Europian: për Kosovën, sakrifikojmë BE, përsërit Beogradi; Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa njohur shtetin e Kosovës, ia kthejnë
zyrtarë të Brukselit. Thënia e Presidentit Obama, mbi dështimin kolektiv, për zgjedhjen e vëshirë dhe epokën e re, tingëllon fort, si domosdoshmëri e trifishtë dhe e ngutshme, për Serbinë.
Serbia duhet të pranojë me kurajë dështimin e hatashëm kolektiv.
Beogradi nuk ka guxuar kurrë t’ia thotë këtë troç, vetvetes dhe popullit. Serbia ka përgjegjësi të dyfishtë. Ajo çfarë kreu ishte, dështim kolektiv dhe faj kolektiv, bashkë.
Serbia duhet të bëjë zgjedhje të vështirë.
Beogradi politik ka bërë zgjedhje, por ajo ishte nga më të këqijat - luftë çnjerëzore më 1999 dhe luftë armiqësore pas 1999. Atij i kërkohet, braktisje e politikave të gabuara nacionaliste, civilizim bashkëkohor europian, t’u thotë ndjesë shqiptarëve dhe të njohë pavarësinë.
Serbia duhet të përgatisë vendin për epokën e re.
Epoka e së ardhmes e ka rrugën kah Brukseli. Pajtimi me realitetet e krijuara, pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, çliron energji europiane. Çpengimi i pakicës serbe dhe nxitja e saj si pakicë bashkëpunuese, me shumicën shqiptare, i ndihmon të dy vendet. Epoka e re është formësuar me Bashkimin Europian. Ballkani europian formësohet vetë nëpërmjet proceseve integruese drejt tij. Por, Serbia është e vetmja, në gadishull, që mban ndezur armiqësinë. Ajo kërkon të pranohet nga BE në mënyrë të përshpejtuar, ndërkohë, zyrtarë të Brukselit i bëjnë me dije që, porta e Europës nuk hapet pa njohur shtetin e Kosovës. Beogradi përgjigjet po njëlloj: për Kosovën sakrifikojmë BE!
Dështimi kolektiv serb është kthyer në një rreth të mbyllur, brenda të cilit Serbia vërtitet tash sa vjet, e nuk del dot. Megjithkëtë, Beogradi ende nuk e pohon dështimin kolektiv, nuk e kritikon zhytjen e thellë në vetëdështim, nuk vepron për t’i ikur kurthit të tij. Dështim kolektiv, më të madh dhe më të tejzgjatur, Europa e sotme nuk ka parë!