Përleshje të ashpra në Tripoli, bilanci i viktimave shkon në 38
Është e brishtë paqja në Liban. Ndërsa në Tripoli vazhdojnë përleshjet e përgjakshme mes ushtrisë qeveritare dhe ndjekësve të Hezbollahut, Papa Benedikti XVI lëshon një apel të fortë për paqe në vend. Duke folur nga dritarja e apartamentit të rij, në meshën e së dielës, Benedikti u ka kërkuar të gjitha palëve në Liban, të braktisin këtë logjikë kundërvënieje dhe agresiviteti që po e çon vendin e tyre drejt një rruge pa kthim. Institucionet dhe populli i Libanit duhet të zgjedhin rrugën e kompromisit të arsyeshëm për të ndalur dhunën dhe për të ndërtuar një të ardhme ku të gjithë të bashkëjetojnë në paqe, tha Papa. Por ndërkohë, përleshjet në Liban kanë vazhduar gjatë natës dhe gjatë ditës së djeshme dhe numërohen viktima të tjera në përplasjen e dhunshme mes militantëve Hezbollah dhe mbështetësve të qeverisë libaneze. Në veri të vendit, ndërkohë, me mijëra njerëz janë në arrati. Bejruti mbetet një qytet fantazmë. Lajmërimi i bërë dy ditë më parë nga militantët e Hezbollahut, që premtonin se do t‘i rikthenin zonat e kontrolluara prej tyre në duart e ushtrisë libaneze, lë hapësirë gjithsesi për një shpresë të moderuar. Por në Tripoli, luftimet mes njerëzve të Partisë së Zotit dhe atyre besnikë të Kryeministrit Fuad Siniora, nuk ndalen. Mësohet se një grua ka mbetur e vrarë në këto përleshje, duke e çuar bilancin e viktimave të këtyre ditëve në 38. Kjo shifër konfirmohet nga zyrtarë libanezë të sigurisë që saktësojnë gjithsesi se situata është përmirësuar disi pas dislokimit të ushtrisë. Në Bejrut, në fakt, ushtria është pozicionuar në udhëkalimet kryesore të lagjes myslimane pas katër ditësh luftime dhe më shumë se 30 të vdekurish. Kryeministri libanez, në një fjalim në televizion, ka lajmëruar me tone të ashpra se vendi nuk do të binte në duart e anarkistëve, të atyre që në të vërtetë po përpiqen të vënë në jetë një grusht shteti. Por, sipas tij, për të evituar luftën civile dhe për të shtrënguar Partinë e Zotit të dorëzojë armët, ka anuluar masat kundër Hezbollahut që qëndrojnë edhe në origjinë të irritimit të milicive shiite.