E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beson në Shqipërinë

Lorik Cana ka vendosur që festat e fundvitit t’i kalojë në Kosovë. Nga Prishtina ai i uroi mirëseardhje trajnerit italian, Gianni De Biasi, në krye të Kombëtare shqiptare, për të cilën thotë se ka një të ardhme të mirë. 28 vjeçari foli edhe rreth gjasave të kuqezinjve për t’u kualifikuar në Botërorin 2014. Ndeshjet kualifikuese ndaj Zvicrës i konsideron të veçanta, derisa shqiptarëve të ekipit helvetik u uron karrierë të ndritur. Thotë se nuk e ka ndërmend të lëviz nga Lazio.

Lorik Cana e ka zgjedhur atdheun e tij, Kosovën, për t’i pritur festat e fundvitit. Me këtë rast, ai ka gjetur kohë që të flasë edhe rreth Kombëtares së Shqipërisë, e po ashtu edhe për aventurën e tij në Serie A, ku po aktivizohet me Lazion.

Mesfushori gjakovar ka folur për herë të parë rreth selektorit të ri të Shqipërisë, Gianni De Biasi, që prej emërimit të tij në këtë post nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Kapiteni i kuqezinjve i ka uruar mirëseardhje strategut italian në krye të ekipit kuq e zi.

“Dihet cilësia e trajnerëve italianë, të cilët e kanë një shkollim të futbollit. Ne e kemi për detyrë që të jemi në dispozicionin e tij dhe t’ia lehtësojmë punën atij. Unë pres që ta takoj shpejt dhe të bisedoj me të. Fatmirësisht nuk e kemi pengesë gjuhën dhe do të bashkëpunojmë ngushtë për një të ardhme sa më të mirë të Kombëtares”, ka deklaruar Cana të dielën mbrëma në Prishtinë.

Mesfushori defanziv i Lazios ka folur edhe rreth gjasave të Shqipërisë për t’u kualifikuar në Kampionatin botëror, ‘Brazili 2014’. Kuqezinjtë kualifikimin do ta kërkojnë në kuadër të Grupit E, përballë Norvegjisë, Zvicrës, Sllovenisë, Qipros dhe Islandës. Cana beson se skuadra e tij do ta tregojë forcën e vërtetë përballë këtyre përfaqësueseve tjera.

“Është e vështirë që përnjëherë t’i bësh disa hapa. Kemi pasur një ecuri në 10 vitet e fundit dhe duhet të vazhdojmë. Jemi në një moment kur kemi stagnuar, dhe nuk po mund ta bëjmë këtë hap që ne të bëhemi pretendentë. Jam i bindur se në një të ardhme, Shqipëria ka talentë dhe cilësi, dhe nuk është e pamundur të kualifikohemi. Jemi në një grup të niveluar. Kemi skuadra më të forta në grup, por Shqipëria ka për ta thënë fjalën e saj. Por, duhet t’ia nisim mbarë dhe tifozët kosovarë të vazhdojnë që të na mbështesin”, ka theksuar ai.

Ai ka pranuar se dy ndeshjet e Shqipërisë ndaj Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2014, do të jenë të veçanta për të. Jo pse për skuadrën helvetike pritet që të luajnë Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Granit Xhaka e Albert Bunjaku, por për disa fakte tjera, që lidhen personalisht me të.

“Ta them të drejtën, ndeshjet ndaj Zvicrës nuk i veçoj për faktin se aty luajnë futbollistët shqiptarë, por për faktin se kur do të luajmë në Zvicër, gjysma e stadiumit do ta mbështesë Shqipërinë. Ndeshjen time të parë zyrtare me Kombëtaren e kam zhvilluar në Zvicër, dhe në atë takim kishim përkrahjen e rreth 15 mijë tifozëve shqiptarë”, tha Cana, i cili u uroj suksese në karrierë futbollistëve shqiptarë të reprezentacionit zviceran.

“Unë jam rritur në Zvicër, pasi u pata larguar nga Kosova në moshën 7 vjeç. Unë i uroj shqiptarët e Zvicrës dhe u uroj karrierë të ndritur atyre. Por, kur vjen puna të luajmë ndaj tyre, ne e përfaqësojmë vendin tonë dhe do të jenë kundërshtarë si gjithë të tjerët”, vazhdoi ai.

Cana ka folur edhe rreth aventurës së tij në Lazio, ku u transferua gjatë verës nga Galatasaray. Ai pohoi se po ndihet mirë në kryeqytetin italian, derisa shton se me hapa të sigurt po shkon drejt formacionit të parë të ekipit.

“Jemi në një pozicion në krye të tabelës dhe kjo është diçka e kënaqshme. Personalisht, pata një fillim pak të vështirë, me probleme fizike, por secilën herë po shkoj përpara dhe po e ndiej vetën mirë. Jam optimist për të ardhmen time. Kam dëshirë që çdo ndeshje ta filloj prej fillimi. Jam i sigurt se në të ardhmen do të kem hapësirë më të madhe. Jemi në luftë për kreun e tabelës, për Kupën e Italisë dhe në Europa League, dhe kjo është diçka e mirë”, nënvizoi ai, duke theksuar se nuk e ka ndërmend që nga Lazio të kalojë në Olympique Marseille, siç po spekulohet nëpër mediat e huaja. “Janë thashetheme të mediave. Unë kam dëshirë të kthehem në Olimpique Marseille, por jo tani, por pas disa viteve, sepse kam ende për të dhënë diku tjetër”, përfundoi Cana.

Cana shpallet ambasador i Kosovës

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka vendosur që Lorik Canën ta shpall ambasador të sportit të Kosovës. Për ta dekoruar me këtë titull, Express ka mësuar se KOK-u të martën do ta organizoj një ceremoni solemne në kryeqytet. Cana është shprehur të jetë i nderuar me këtë vendim të institucionit më të lartë sportiv në vend.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›