E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ciko: Përbërja e Luftëtarit na bën optimistë

Nga  SOKRAT PAPADHOPULLI

Numri 2 i stolit gjirokastrit, Kristaq Ciko, thekson se ekipi i tij ka kundërshtarë vetëm terrenet e papërshtatshme

Ndeshjet e javës së 13-të u shtynë një javë si për të justifikuar tersllëkun e këtij numri, por që në thelb bëhet për tersllëqet që i sjellin futbollit persona të veçantë me veprimet e tyre të dhunshme ndaj gjyqtarëve. Thuhet se çdo e keqe ka edhe të mirën e saj. Kështu, për Luftëtarin pozitivja është se tre lojtarë të tij të dëmtuar, Gaxhaj, Raboshta dhe më shumë Shalari, do të jenë të gatshëm pas një jave, ndoshta i fundit jo.

Ciko Kristaq Ciko,  bashkëpunëtori më i ngushtë i trajnerit Hysi, për ecurinë e deritanishme të Luftëtarit, shtyrjen e kampionatit dhe ndeshjen me Adën në transfertë, shprehet: Protesta e gjyqtarëve, dhe si rezultat  shtyrja e ndeshjeve për një javë, është mëse normale, si e drejtë e kolegjumit të gjyqtarëve, që mund dhe duhet të sjellë mbarëvajtje të veprimtarive tona futbollistike.

Ecurinë e ekipit tonë e tregojnë vetë rezultatet e tij, dhe kjo është bërë e mundur falë seriozitetit të të gjithë grupit në stërvitje, të stafit dhe natyrisht të donatorëve tanë. Por duhet ta kemi mëse të qartë se faza e parë mbaron pas përfundimit të ndeshjes në Mamurras. Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta, por Luftëtari mund të ketë kundërshtar vetëm terrenet e papërshtatshme. Them kështu, sepse ekipi ynë nuk njeh kundërshtarë, duke u nisur nga kontigjenti që disponojmë dhe sipas logjikës sportive.

Dihen vështirësitë që do të ndeshim me Adën, ndaj dhe ekipi stërvitet intensivisht. Pozitiv është fakti që, ashtu si Luftëtari, edhe Ada ka futbollistë shkodranë, ndoshta edhe më shumë, që të lënë të luash futboll. Gjithsesi, rezultatin ia lëmë fushës, ku do të fitojë futbolli, sikundër presim dhe e respektojmë. Shtyrja e kampionatit e ndihmon Luftëtarin për riaftësimin e Gaxhajt, Raboshtës dhe përmirësimin e Shalarit, i cili po kurohet në një spital të Janinës.

Përkujtim

Në moshën 77-vjeçare ka ndërruar jetë Isuf Lulo, ish-portier i ekipit gjirokastrit në periudhen 1952-1959. Ai, së bashku me motrat e tij, Afërditën, Vezvien, Hedon dhe Artën, që kanë qenë basketbolliste e volejbolliste, por edhe atlete, përbëjnë familjen më të madhe sportive të Gjirokastrës, me një kontribut të paharruar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›