E Diel, 1 Nëntor 2026

Magani: Besa ka ndërruar kurs, dua 9 pikë në 3 ndeshje

Nga Leonard Dushku

Trajneri i kavajasve, Gugash Magani, pret maksimumin nga skuadra në sfidën me Elbasanin dhe dy të tjerat për vitin 2011 

Kampionati nuk do ta zhvillojë sot javën e 13-të, që është shtyrë një javë për shkak të protestës së gjyqtarëve. Në këto kushte, stafi teknik ka më shumë kohë për ta përgatitur skuadrën për ndeshjen me Elbasanin. Besa po kalon një moment të mirë, sidomos pas fitores së thellë në Burrel, që i ka bërë shumë punë sa i takon renditjes dhe moralit të futbollistëve, kur kanë mbetur 3 javë nga mbyllja e fazës së parë dhe kërkohet sakrifica e të gjithëve për të marrë pikë të plota. Vlerësimi për sfidën me elbasanasit është në shkallën maksimale, për më tepër që është një ndeshje në shtëpi, ku kavajasve nuk u falet as të barazojnë.

Trajneri Magani Numri 1 i stolit kavajas, peqinasi Gugash Magani, ka besim të plotë se ndeshja me Elbasanin do të flasë në favor të skuadrës së tij. Për Sportin shqiptar ai shprehet: Fitorja në transfertë me Burrelin tregoi kush është Besa e vërtetë. Për të fituar duhet të luash gjatë gjithë kohës me besim të plotë te vetja. Fitorja mund të vijë edhe në minutën e fundit, por kjo nuk ka rëndësi. Për ndeshjen me Elbasanin mendoj se skuadra jonë i ka të gjithë elementët për ta fituar atë.

Së pari, morali ynë është rritur ndjeshëm pas fitores në Burrel. Së dyti, luajmë në fushën tonë dhe kemi mbështetjen e tifozëve. Së treti, Elbasani nuk është ai që jemi mësuar të shohim vitet e fundit, gjë që e vërtetojnë rezultatet që ka arritur deri më tani. Kjo nuk do të thotë aspak që ne e nënvlerësojmë atë. Kam thënë se Besa do ti fitojë 5 ndeshjet e fundit të fazës së parë dhe këtë gjë do të bëjmë. Na duhet të marrim patjetër edhe 9 pikë në këto javë të fundit dhe më pas të bëjmë llogaritë e duhura për fazën e dytë.

Kam shumë besim te futbollistët me përvojë të Besës, siç janë Mihani, Dhëmbi, Poçi, Bubeqi etj., që javët e fundit po tregojnë një formë shumë të mirë. Mendoj se po vjen ajo Besë, që doja që në fillim të sezonit. Tani kemi mundësi të arrijmë rezultatet  e duhura, por kuptohet që kemi edhe nevojë për përforcime në merkaton e janarit. Treguesit e javëve të fundit janë domethënës dhe u garantoj se Besa e së ardhmes do të njohë vetëm rritje.

Sot miqësore me Shkumbinin në Kavajë

Besa dhe Shkumbini kanë vendosur të luajnë sot një ndeshje miqësore për ti mbajtur futbollistët në tonus, pasi kampionati do të pushojë. Ka qenë vetë trajneri peqinas i Besës, Guash Magani, i cili është interesuar për këtë miqësore dhe drejtuesit e dy skuadrave kanë rënë dakord. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin Besa, në orën 11:00.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›