E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota pret El Clasicon

Real Madrid dhe Barcelona, rivalë të përhershëm dhe armiq të përbetuar, takohen të shtunën në Santiago Bernabeu në El Clasicon e parë këtë sezon në La Liga. Gjiganti madrilen synon fitoren me të cilën do të përforconin epërsinë e tyre në renditjen tabelore, por katalanët nuk dorëzohen lehtë. Ata duan të tregojnë pse janë kampion në fuqi.

Rivalitet i përhershëm, armiqësi e përbetuar dhe konkurrencë e pafund, gjithnjë për tituj të rëndësishëm. Real Madridi pret Barcelonën, të shtunën mbrëma, në El Clasicon e parë të këtij sezoni.

Kryendeshja e La Ligës mes dy superfuqive të futbollit evropian zgjon vëmendje globale, andaj të gjithë sytë do të jenë në Santiago Bernabeu. Stadium ky ku ylli i Barcelonës Lionel Messi ka realizuar shpesh, plot shtatë herë.

Sulmuesi argjentinas, arma kryesore e gjigantit katalan, ka bilanc të shkëlqyeshëm përballë Real Madridit dhe ka realizuar 13 gola në 15 ndeshje kundër Los Blancos, prej tyre shtatë në Bernabeu.

Nëse shënon sërish të shtunën, ai do të bëjë një arritje tjetër të veçantë, gol në tre Clasico me radhë. Përveç tij ndeshja ka rëndësi të veçantë edhe për mesfushorin Xavi i cili do të bëjë paraqitjen e tij të 600-të zyrtare për klubin.

Kampioni aktual Barcelona është nën presion shtesë të nxjerr rezultat pozitiv për të zvogëluar disavantazhin ndaj Real Madridit që aktualisht është në tri pikë por katalanët kanë një ndeshje më tepër të zhvilluar.

“Është gjithmonë mirë të fitoni në Bernabeu e aq më tepër tani kur duhet pasur parasysh renditjen tabelore. Do të ishte një pikë kthimi për ne. Të shkojmë dhe fitojmë në Bernabeu është kënaqësi e futbollit”, tha Xavi për www.fcbarcelona.com.

“Forma nuk do të thotë asgjë sa i përket kësaj ndeshjeje, Clasicot nuk kanë të bëjnë asgjë me tabela, ose me atë që është duke bërë cilado skuadër. Gjithçka mund të ndodh”, shtoi ai.

Trajneri i Real Madridit Jose Mourinho duhet të vendos se kush do të udhëheq sulmin pasi konfirmoi për marca.com se Cristiano Ronaldo dhe Angel Di Maria do të luajnë të shtunën në krah.

Kjo lë një betejë mes Gonzalo Higuainit dhe Karim Benzemas për një vend në qendër të sulmit. Mourinho nuk u paraqit në konferencë për shtyp të premten ndërsa asistenti i tij Aitor Karanka nuk ka zbuluar enigmën. Por, ai insistoi se ekipi do të luajë për fitore.

“Gjithmonë përgatitemi për fitore. Ne e dëshmuam këtë edhe të mërkurën në Amsterdam, edhe pse ishim të kualifikuar për në rrethin e ardhshëm. Gjithmonë luajmë për fitore. Do të luftojmë për tri pikë, ndërsa formacioni do të jetë ai i nevojshmi për një ndeshje të këtillë, nuk do të kushtëzohet nga epërsia jonë në renditje. Është një ndeshje tjetër dhe tri pikë janë në dispozicion, do t’i kërkojmë ato sikurse në çdo ndeshje tjetër”, tha Karanka.

Kanë kaluar tri vite prej kur Reali nuk ka fituar La Ligan dhe mundësia e mposhtjes së Barcelonës dhe marrjes së tri pikëve të reja me një ndeshje më pak të zhvilluar ka rëndësi të madhe për shpresat e madrilenëve në përfundimin e dominimit të katalanëve në futbollin spanjoll.

Reali do të shpresojë që fitorja 3-0 ndaj Ajaxit në Ligën e Kampionëve të mërkurën të mos u ndjell keq. Ata kishin fituar 4-0 në Amsterdam në nëntor 2010 por më pas u shkelën 5-0 nga Barcelona në Nou Camp në ndeshjen e tyre të ardhshme. Reali hyn në ndeshjen e së shtunës me vetëm një humbje nga 18 ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Cruyff: Clasico nuk e vendos titullin

Ish-trajneri i Barcelonës, legjenda e klubit katalan Johan Cruyff ka zvogëluar rëndësinë e vizitës së katalanëve në Real Madrid duke insistuar se është ende herët për ta përshkruar përballjen si vendimtare për titull. “Favorit për fitore? Mundem vetëm të them se Barcelona gjithmonë luan për fitore kundër Real Madridit. Do të shohim të shtunën se kush do të del fitues. Clasico nuk do të jetë vendimtar. Ka shumë ndeshje deri në fund. Çka do që ndodh të shtunën nuk do të jetë vendimtare në garë për titull. Një fitore e Realit nuk mundet që papritmas të thotë se ata tani janë ekip dominues”, tha Cruyff për AS.

Guardiola nuk ka humbur kurrë në Bernabeu

Statistikat e Guardiolas si trajner i Barcelonës në udhëtim te Real Madridi janë shumë pozitive, me bilanc prej tri fitoreve, dy barazimeve me 13 gola të shënuar dhe 5 të pranuar. Bernabeu ka qenë mjaft fatlum për Guardiolan. Kundër rivalit të përhershëm Pep, nuk ka humbur në pesë vizita.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›