E Diel, 1 Nëntor 2026

Përvjetori i pavarësisë, konfirmim i politikës historike



Nga Ermal Ngjelina

Gjithçka ka nisur në kohën kur po rrëzoheshin disa perandori dhe të tjera perandori po krijoheshin. Otomanët në lindje, Hasburgët në qendër të Evropës dhe cari në kufijtë e stepave të ftohta. Shqiptarët e paguan shtrenjtë rezistencën që i bënë shtëpisë së otomaneve, fuqisë ushtarake më të fortë të mesjetës atë që për kohën mund të krahasohet me NATO-n e ditëve të sotme. Sidoqoftë që nga shekulli i XV e deri në fundin e shekullit të XIX shqiptarët arritën që të integroheshin në Perandorinë Otomane, e cila ishte multietnike, multikulturore dhe multifetare. Shqiptarët bënë karrierë në këtë perandori dhe në fundin e shekullit XIX shumë pak prej tyre, e përkrahën lidhjen e Prizrenit të vitit 1878 që ishte në linjë me lëvizjen panevropiane të krijimit të shteteve kombe, pavarësisht se gjendeshin në nivelet më të larta drejtuese të perandorisë. Për pasojë, shqiptarët nuk u bënë pjesë e përfitimit nga shpërbërja e kësaj perandorie, përkundrazi. Shqipëria dhe shqiptarët u panë si pjesë integrale e plaçkës së luftës që sekuestrohet pas rrëzimit të perandorisë e për pasojë, në fund të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, Shqipëria dhe shqiptarët humbën më shumë se 80% të territorit të tyre dhe po kaq nga popullsia, e cila u detyrua të shpërngulej. Fillimi i shekullit XX shënoi nisjen e procesit të përpjekjeve, për të mohuar dhe për të zhbërë identitetin shqiptar të krijuar më herët se kultura helene. Ishte një gabim ky që u korrigjua 100 vjet më vonë nga të njëjtat fuqi që e bënë atë. Por në fakt, një akt i tillë nuk do të kishte ndodhur në rast se shqiptarët nuk do të kishin treguar se kanë identitetin e tyre, se ndihen mirë brenda identitetit të tij dhe se identiteti i tyre nuk është kërcenim për të tjerët përkundrazi, identiteti shqiptar është konfirmim i mundësisë për të jetuar në paqe, duke respektuar parimet e jetesës multietnike, multikulturore, multi-fetare.

Preludi i korrigjimit të gabimit ishte pavarësia e Kosovës, që sot mbush një vit nga dita e deklarimit formal të saj. Deklarimi formal i pavarësisë se Kosovës është konfirmimi i lëvizjeve politike të etnisë së rrallë të shqiptarëve të shprehura nga Gjergj Kastrioti, Balshajt, Aranitët, Kurtët, Ali Pasha, Bushatllinjtë, Lidhja e Prizrenit dhe lidhja e Ismail Bej Vlorës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›