E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika për t'u ndarë me krimin



Nga Artur Roshi *

Partia e Ballit Kombëtar Demokrat është tejet e shqetësuar për mungesën e vullnetit të shumë institucioneve për t’u ndarë nga krimet e regjimit komunist dhe autorët e tyre.

Ligjin e lustracionit, i kundërshtuar nga shumë aktorë të jetës politike dhe civile dhe dje i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, PBKD e përkrahu jo se ai ishte ligji më i mirë i mundshëm për të shëruar plagët e shoqërisë sonë, por sepse ai ligj do të ndihmonte për të larguar një pjesë të së keqes nga trupi i Shqipërisë. Ne i qëndrojmë mendimit tonë se Shqipëria është e vonuar me ligjin e lustracionit dhe se ajo ka nevojë për një ligj lustracioni më të plotë. Trupi me tumorin më të rëndë, ka nevojë për operacionin më të thellë. Autorët e krimeve gjatë periudhës së regjimit komunist duhet jo vetëm që të largohen nga funksionet shtetërore, por edhe të dalin përpara drejtësisë.

Shqipëria duhet të edukohet me kulturën se ai që bën krime do të dënohet një ditë, pavarësisht se për një kohë do t’i shmanget drejtësisë.

Me largimin e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit dhe ish-funksionarëve të regjimit komunist nga funksionet publike nuk penalizohen individë të caktuar, por institucionet çlirohen nga mendësia komuniste.

Për shkak të kësaj mendësie që mbartin institucionet dhe partitë politike, tranzicioni shqiptar duket se do të zgjasë sa regjimi komunist. Në asnjë mënyrë nuk duhet ta lejojmë, shqiptarët nuk janë një pyll trungjesh që pastrohen vetëm nga seleksionimi natyror.

Për sa i përket rënies së ligjit të lustracionit ndesh me Kushtetutën, atëherë i takonte që Shqipëria të mos kalonte kurrë në demokraci sepse një gjë e tillë binte ndesh me kushtetutën e kohës. Edhe në vitin 1990, Kushtetuta nuk e lejonte pluralizmin, por ja që ajo u shkel.

Pra, arsyeja e papajtueshmërisë së ligjit me Kushtetutën është qesharake. Nëse biem dakord të gjithë se krimet e komunizmit duhet dënuar, por ligji që do të bëjmë bie ndesh me kushtetutën, atëherë korrigjimi nuk duhet kërkuar te ligji, por te Kushtetuta.

Të thuash “zbatimi i këtij ligji mund të sjellë pasoja që prekin interesa të individëve”, prandaj ky ligji duhet pezulluar, kjo e fut logjikën e kushtetueses në spirale edhe më komike. Çdo ligj prek interesa të individëve. Ligji kundër trafikut të drogës prek interesat e narkotrafikantëve, ligji kundër korrupsionit prek interesat e të korruptuarve, ligji kundër vrasësve prek interesat e vrasësve. Në këtë logjikë, ligji i lustracionit prek interesat e ish-funksionarëve komunistë dhe interesat e ish-bashkëpunëtorëve të komunizmit, kjo dihej që në krye të herës. Mirëpo, narkotrafikantët, të korruptuarit dhe vrasësit na rezultojnë më të hapur ndaj demokracisë, sepse ata nuk organizohen publikisht kundër ligjeve që prekin interesat e tyre. Nëse do të mbajmë në detyrë ish-funksionarët e regjimit komunist, atëherë duhet të ndryshojmë formën e regjimit, sepse ata për atë lloj regjimi janë përgatitur të punojnë. Nëse do të mbajmë prokuror dhe gjyqtarë po ata prokurorë dhe gjyqtarë që kishte regjimi komunist atëherë duhet të kthejmë ish-të përndjekurit politikë në burg. Në përballjen mes tyre njëra palë ka pasur të drejtë. Nëse do të mbajmë në detyrë prokurorët dhe gjyqtarët që kanë dënuar me vdekje Xhelal Koprenckën, Havzi Nelën, Vilson Blloshmin, Genc Lekën e mijëra të tjerë, atëherë antikomunistët, të gjallë e të vdekur, duhet t’i trajtojmë si armiq të Shqipërisë. Nuk mund të kemi dy standarde: ata që i dënoi komunizmi sot t’i nderojmë, dhe ata që komunizmi i nderonte të vazhdojmë t’i nderojmë. Jo, në dy palë krejt të kundërta, nderimet i meriton vetëm njëra. Si përfundim, retorika e antikushtetueshmërisë së ligjit të lustracionit duhet të lihet mënjanë dhe gjërat të thirren me emrin e tyre: ata që janë kundër ligjit të lustracionit janë pro krimeve të komunizmit.

*Kryetar i PBKD-së

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›