Cila është më “shtrigë”, vjehrra apo nusja?
Modeli i familjes së madhe në Kosovë ka qenë dhe është i përhapur më së shumti në Evropë, por dhe në përgjithësi në botë. Familjet kosovare kanë bërë këtë tip jetese të zgjeruar, për arsye se e kanë pasur më lehtë të jetuarit. Ato, përveç përparësive dhe të mirave materiale, që janë të pamohueshme, kanë pësuar disa rrjedha të jetës të cilat kanë ndikuar tek individët, së pari në kontekstin social, psikik, fizik, kulturor, dikur në atë ekonomik e ku ta dimë tjetër.
Në familje të tilla ka sunduar burri dhe zakonisht janë bërë diferenca dhe padrejtësi sociale sipas përkatësisë gjinore dhe moshës. Këto rrethana i kanë shkuar për shtat individëve “vendas”, kurse i ka diskriminuar “të ardhurat” që kryesisht janë gratë. Mungesa e një hapësire intimiteti mes bashkëshortëve është diçka që mungon në këto familje, burri dhe gruaja "takohen" vetëm në mbrëmje. Në të tilla familje, nëse gruaja ka ndonjë nevojë ose kërkesë, së pari është njoftuar vjehrra dhe varësisht ajo si e ka parë "seriozitetin" e çështjes, mandej e ka njoftuar apo jo burrin. Edhe vjehrrat dihet se kanë qenë të ardhura, por në raport me nuset e duke pasur parasysh vitet që i kanë kaluar në atë shtëpi, ato “lëshojnë” rrënjë dhe bëhen “vendase”.
Edhe pse në masë shumë të madhe kanë ndryshuar fenomenet edhe brenda familjes, fenomeni vjehërr-nuse mbetet ai që u reziston të gjitha kohërave. Është e ditur se nusja dhe vjehrra janë në rivalitet të përjetshëm dhe nuk është fenomen me të cilin ballafaqohet vetëm shoqëria jonë, por është problem të cilin e njohin të gjitha shoqëritë e botës.
Çrregullimi i raporteve ndërfamiljare është pasojë e ndryshimeve strukturore në institucionin e familjes kosovare dhe është e natyrshme qe të riprodhojë raporte kundërthënëse midis vjehrrave dhe nuseve që vijnë në shtëpitë e tyre.
Konfliktet krijohen edhe si pasojë e stereotipave të vjetër për martesën, që në shumë raste dinë të bëhen edhe shkak kryesor i divorceve midis dy të rinjve. Në fakt, vjehrra ardhjen e nuses së re në shtëpi e sheh si pasiguri dhe nusen e projekton jo si anëtare të rregullt dhe të barabartë, por si anëtare që ka pretendime monopoliste në familjen e saj. Pra, në mendjen e saj zakonisht paraqiten pengesa, të cilat me kalimin e kohës mund të shndërrohen në pasione për ta marxhinalizuar nusen e re. Tek nëna funksionon dhe agresiviteti mëmësor kur shikon se fëmija i saj orientohet ose i jepet dikujt tjetër.
Natyrisht, kësaj situate konfliktuoze dhe tensionuese patjetër i kontribuon edhe nusja e re që hyn në shtëpinë e vjehrrës, me shumë sjellje: siç janë p.sh.: indiferenca, sjellja agresive, pastaj tendencat për ta kontrolluar të birin e saj dhe të bëhet "First Lady" e shtëpisë.
Në fakt, divorcet e sotme mund t'u adresohen edhe raporteve të keqësuara midis këtyre dy subkulturave sociale. Ndryshimi i sistemit të vlerave ka bërë që edhe raportet midis gjeneratave të ndryshojnë.
Bota perëndimore ka gjasa që më “lehtë” ta përballojë këtë problem, për shkak të kushteve të mira ekonomike, sociale e kulturore. Prindërit në një moshë të caktuar i mundësojnë fëmijës të zgjedhë vetë nëse do të jetojë me ta apo do të dalë në jetën e tij. Në këto raste fëmija (djali, në rastin tonë) duke qenë i lirë, bëhet i aftë të marrë përsipër përgjegjësi që nuk do t’i merrte po të jetonte me prindërit, duke fituar pavarësinë në shumë aspekte jetësore.
Këto janë ndoshta çështje të tjera, për të cilat do të mund t’i përmendim në tema të tjera, mirëpo ajo që ndërlidhet këtu, është se në këto raste, nëna, përkatësisht vjehrra, i përballon më lehtë martesës së djalit, pasi që nuk e ka pasur nën kontroll jetën e tij.
Te shoqëria jonë ndodh e kundërta (për shumë arsye ekonomike e kulturore), jeta e individëve brenda të së njëjtës familje është e lidhur shumë për njëri-tjetrin.
Në luftën e përjetshme vjehërr-nuse, nuk i hidhet faji vetëm njërës apo tjetrës. Nga secila palë ka raste që i kontribuojnë paqes e po ashtu dinë të ndezin luftë. Edhe nuset, jo rrallë dinë ta prishin lumturinë e familjes, dinë të luajnë role të ndryshme për t’i arritur qëllimet e tyre, shpeshherë edhe banale.
Sidoqoftë, kjo është një “luftë globale” e që të mos pësojmë tronditje të mëdha, shoqërisë sonë i duhet të kontribuojë në aspektin ekonomik e kulturor. Ndërkohë, lufta do të vazhdojë, sepse e para nuk do të humbasë territorin që ka pasur, e dyta nuk do të humbasë territorin që ka fituar.
(Autorja është gazetare e diplomuar, studion edhe për Sociologji në UP)