E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda e Durrësit” Gjykata e Prokuroria, kallëzim penal për publikimin e dëshmisë së Colit



Disa gazetarë dhe mediat ku ata punojnë janë kallëzuar penalisht nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria, për shkak të publikimit të dëshmisë së të penduarit Adriatik Coli lidhur me krimet e kryera nga “Banda e Durrësit”. Kjo ka qenë tema e debatit të djeshëm prej më tepër se një ore në gjyqin për të pandehurit e kësaj bande, ku gjykata, prokurorët dhe avokatët për të parën herë kanë diskutuar së bashku rreth të njëjtit fakt, shqetësimit për publikimin e dëshmisë së dhënë para hetuesve nga i penduari Coli, dëshmi e cila vetëm sa nisi në gjykatë, por u zbardh e gjitha në disa nga mediat e shkruara në vend. Një gjë e tillë është konsideruar shkelje nga gjykata, prokuroria dhe avokatët, ndërkohë që ekziston sipas tyre, një vendim i ndërmjetëm që ndalon me ligj publikimin e dëshmisë dhe të tjera materialeve të rëndësishme pa u paraqitur më parë në gjyq. Një ditë më parë edhe Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar përmes komunikatës për shtyp ndalimin e publikimit të kësaj dëshmie, ndërkohë që dje janë depozituar dy kallëzime penale për nxjerrje të informacionit. E publikuar fillimisht nga gazeta “standard” dy vjet më parë, dëshmia e Colit mundi të dilte në treg vetëm një ditë, pasi u bllokua për shkak të moscenimit dhe prishjes së provave të organit të akuzës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›