E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cilat janë degët më të kërkuara në universitete

Analizohet Matura Shtetërore 2009. Përfundimet e studimit do të publikohen në një botim të veçantë

Një studim i Maturës së fundit Shtetërore, asaj të vitit 2009 të realizuar nga APRIAL ka treguar edhe cilat janë degët më të preferuara për të rinjtë shqiptarë në përzgjedhjen e studimeve të larta. Sipas përfaqësuesve të APRIAl-it bëhet e ditur se një element tjetër tepër tërheqës i maturave ngelet analizimi se cilat janë programet e studimit që në këtë periudhë 4-vjeçare vazhdojnë të ngelen në krye të listës. Ata theksojnë se “12 programet e para i takojnë Universitetit të Tiranës, të
udhëhequra nga programi i Administrim-Biznesit në Fakultetin e Ekonomisë. Ndërkohë që shtojnë se është interesant të theksohet edhe fakti se brenda 20 degëve më të kërkuara për 232 programe studimi gjenden të përfshira programe edhe nga Universiteti i Durrësit sikundër është dega e Menaxhim Turizmit. Po kështu, ata përmendin edhe Universitetin e Elbasanit me degën më të kërkuar atë të Infermierisë së Përgjithshme. Në Universitetin e Shkodrës më e preferuara mbetet dega e Turizmit. Këto fakultete, shprehen më tej specialistët e APRIAl-it përkojnë edhe me logjikën e tregut të punës. Gjithashtu, ata konfirmojnë edhe faktin se cilësia e maturantëve që përthithin institucionet e arsimit të lartë publik, nuk mund të qëndronte jashtë vëmendjes së analizës që i është bërë Maturës Shtetërore 2009 dhe që shumë shpejt do të prezantohet në një botim të veçantë nga kjo agjenci. Specialistët e APRIAL edhe në bashkëpunim me ata të AVA-s kanë konstatuar që kjo cilësi ka ardhur duke u rritur nga viti në vit. Kështu, sipas tyre, nëse në vitin 2007, kur Matura Shtetërore filloi rrugën e saj, nota mesatare e pesë elementëve të nxënësve që u pranuan në Universitetin e Tiranës ishte 7.75, në vitin 2009 ajo arriti në 7.98. Ky përfundim theksojnë ata, vlen edhe për universitetet e tjera.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›