E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, tre vjet pa shtesë page për vjetërsi në punë

Qeveria njeh vetëm vjetërsinë për qëndrim në gradë që nga viti 2007

Ndryshe nga gjithë administrata e shtetit, policisë nuk i njihet vjetërsia në punë. Me një vendim të dalë nga qeveria tre vite më parë, punonjësit e policisë përfitojnë shtesë page vetëm për vjetërsi në gradë dhe jo në pagë. Por, vjetërsinë në gradë e përfitojnë që nga viti 2007, kur u fut ligji i ri i policisë dhe jo që nga fillimi i karrierës së tyre, duke u mohuar shumë vite punë. Ky problem është vënë në dukje nga policia edhe më parë, por askush nuk ka marrë mundimin ta ndryshojë, duke u shkaktuar një tjetër dëm gjithë punonjësve të policisë, që shërbejnë prej shumë vitesh në polici, qoftë edhe atyre që kanë filluar punë vetëm pak kohë para vitit 2007. Me një nen të veçantë në vendimin për pagat, i dalë që në vitin 2007, sipas gradave të reja, qeveria ka vendosur të heqë dhe mos të njohë vjetërsinë në punë. Kjo është përcaktuar qartë në nenin 4 të vendimit për pagat e policisë. Megjithatë, abuzimi duket më i kamufluar, pasi në rreshtat e para të këtij neni deklarohet se përfitohet shtesë për pagë, por nga ana tjetër shkojnë në “zero” të gjithë vitet e punës deri në vitin 2007.

Pikërisht në nenin 4 të vendimit të qeverisë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit, deklarohet se “çdo punonjës policie, për kohën e qëndrimit në gradë përfiton shtesë për vjetërsi pune”. “Kjo shtesë është në masën 1% pas çdo viti pune. Masa e shtesës për vjetërsi pune nuk mund të jetë më e lartë se niveli i pagës bazë të gradës pasardhëse”, deklarohet në vendimin e qeverisë. Por, ajo nuk mbaron këtu. Më tej deklarohet se përllogaritjet e shtesës për vjetërsi në punë të fillojnë në çastin e marrjes së gradës sipas ligjit nr. 9749, dt. 4 qershor 2007 “Për Policinë e Shtetit”. Në shpjegimin e kësaj rezulton se gradat sipas këtij ligji u dhanë në korrik të vitit 2007, në të njëjtën periudhë kur ka dalë edhe vendimi për pagat, sipas emërtimit të ri të gradave në polici. Kjo do të thotë se vjetërsia në punë për gradë filloi të përllogaritet nga ai moment. Kështu, pas tre vitesh, e gjithë policia ka vetëm tre vite vjetërsi pune. Kjo hedh poshtë gjithë vitet e punës për ata punonjës policie, të cilët mund të kenë edhe mbi 30 vjet, duke i shërbyer Policisë së Shtetit.

Tashmë, të gjithë punonjësit e policisë do të kenë të njëjtin vlerësim, në aspektin e vjetërsisë së punës, duke shënuar një tjetër problem me radhët e uniformave blu. Kjo nuk është komentuar nga drejtuesit e policisë, por nga të dhënat mësohet se Shqipëria është i vetmi vend që nuk njeh vjetërsinë në punë për policinë. Madje, edhe Republika e Kosovës e ka futur në ligjin e saj më të ri, vjetërsinë e punës. Specialistët e policisë, duke u ndalur në këtë aspekt, shpjegojnë se vjetërsia në punë, në të njëjtën mënyrë është cituar edhe në ligjin e policisë për Kosovën, pak kohë para se të implementohet ky vendim edhe për policinë shqiptare. Kjo sjell dyshime se mund të jetë “harruar” nga i njëjti vendim, duke lënë kështu enkas mënjanë, vitet e shërbimit të punonjësve përpara daljes së tij. Burimet policore bënë të ditur gjithashtu se e gjitha kjo bie në kundërshtim të hapur edhe me Kodin e Punës, apo edhe me ligjet ushtarake, pavarësisht se policia nuk cilësohet më si Forcë e Armatosur, por si pjesë e administratës. Policia tregon se, veç të tjerash, edhe kjo ndikon në uljen e pagave të policisë, sidomos tek ata oficerë karriere, të cilët kanë shumë vite në radhët e punonjësve të policisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›