Kushtetuesja dhe Gjykata e Lartë, 70 kërkesa në Presidencë
Personalitete të njohura të fushës së të drejtës janë kandidatë potencialë për t’u emëruar anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, mandati i të cilave në një institucion ka skaduar dhe në tjetrin pritet të skadojë shumë shpejt. Burime nga Presidenca bënë të ditur për “Shqip” se lista prej 70 aplikantëve që kanë dorëzuar dokumentet deri më 15 shkurt pritet të shqyrtohet sa më shpejt nga kreu i shtetit për të mos lënë vakum institucional. Sot paradite, kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, do të zhvillojë një takim me Këshillin e Lartë të Drejtësisë në lidhje me gjendjen aktuale të gjyqësorit, ku sipas të gjitha gjasave do të prekë edhe çështjen e rinovimit të Gjykatës së Lartë dhe atë Kushtetuese. Në lidhje me cilësinë e aplikantëve për tetë postet e rëndësishme në dy institucionet e pavarura, një zyrtar i Presidencës bëri të ditur se kanë dorëzuar dokumentet emra të njohur në fushën e së drejtës, të cilët padyshim plotësojnë kriteret për një eksperiencë në institucionet e gjyqësorit dhe atë akademike. Si radhë e paraqitjes në Parlament për dhënie pëlqimi e ka në fillim Gjykata e Lartë, së cilës do të duhet t’i rinovohen dy anëtarët e saj, pasi u mbaron mandati: Irma Balës dhe Evgjeni Sinoimerit. Pasi të mbyllet ky proces, i cili kërkon dhënien e pëlqimit nga Parlamenti me votë të fshehtë pas emërimit nga Presidenti, do të nisë konsultimi për emërimin e gjashtë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo pasi urgjente është situata në Gjykatën e Lartë, e cila aktualisht është në vakum institucional. Mësohet se Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk i ka përshpejtuar procedurat, pasi priste arritjen e një kompromisi mes mazhorancës dhe opozitës, gjë që mund të kishte krijuar një klimë më të mirë për reformën në drejtësi. Por pas mosarritjes së një rezultati pozitiv në të katër tryezat, kreu i shtetit do të nisë që në këtë javë veprimet për mbushjen e vakumit në dy institucionet e larta kushtetuese. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet”. Më 25 janar, kabineti i Presidentit publikoi edhe dokumentet që aplikantët duhet të paraqisnin në institucionin kryesor të shtetit për vendet vakante në dy prej organeve të larta të Republikës. Sipas deklaratës, “Të gjithë individët që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, u ftuan të paraqesin pranë kabinetit të Presidentit të Republikës kërkesën e tyre, bashkëngjitur me diplomat, listën e notave, titujt shkencorë, kualifikimet dhe të tjera. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës me dokumentacionin shoqërues të kërkuar, ishte data 15 shkurt 2010. Kabineti i Presidentit ka bërë të ditur se “ky proces mjaft i rëndësishëm e që rrjedh si detyrim kushtetues i kryetarit të shtetit, do të jetë transparent dhe në respekt të ligjeve në fuqi e standardeve demokratike”. Sipas Kushtetutës, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Procedura e dhënies së pëlqimit bëhet me votën e shumicës së deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit. Procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë është shumë i rëndësishëm për politikën shqiptare dhe aktualisht për mazhorancën. Kjo ngaqë institucioni që ka si detyrë të interpretojë ligjin themeltar të shtetit ka rrëzuar që nga viti 2005 shumë nga ligjet e rëndësishme të miratuara nga deputetët e PD-së dhe aleatët e saj. Procesi i zëvendësimit pritet të kthehet në betejën e radhës politike mes mazhorancës dhe opozitës. Edhe pse Partia Demokratike i ka votat për të dhënë pëlqimin mbi anëtarët e Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë, duket se ky nuk do të jetë proces i thjeshtë.
#