Përurohet Obelisku i Arsimit, mungojnë mësuesit e nxënësit
Dje në Elbasan është përuruar monumenti kushtuar arsimit kombëtar në qendër të qytetit. Por gjatë ceremonisë së shpërfaqjes së Obeliskut të Arsimit kanë munguar si mësuesit ashtu edhe nxënësit e këtij qyteti. Të pranishëm kanë qenë drejtues të bashkisë e të prefekturës, të cilët kanë harruar madje që të shprehin falënderime për punën mjeshtërore të skulptorit elbasanas, Vladimir Caridha.
Ky monument ishte parashikuar për t’u përuruar në 1 dhjetorin e vitit të kaluar, me rastin e 100-vjetorit të Normales. Edhe pse ceremonia organizohej nga bashkia e këtij qyteti, asaj nuk i kanë munguar edhe dy krerët më të lartë lokalë, ai i prefekturës, Deliallisi dhe i qarkut, Himçi. Si për paradoks, në këtë ceremoni festive, që përkoi edhe me 7 Marsin, ka munguar drejtoresha e Arsimit, Mimoza Matraxhiu, e cila, sipas burimeve jozyrtare, mësohet ta ketë bojkotuar këtë eveniment, për shkak të mungesës së bashkëpunimit që ka me të tre institucionet vendore, si dhe me deputetin dhe kreun e degës së PD-së, Luçiano Boçi. Ky i fundit iu bashkua festës së përurimit, ndonëse i paftuar. Vepra monumentale që ka kushtuar rreth 100 milionë lekë i përngjan “Statujës së Lirisë” në Amerikë. Festa e mësuesit në Elbasan ka përfunduar me shpërndarjen e certifikatave të mirënjohjes për dhjetëra mësues nga ana e kreut të bashkisë, edhe pse të planifikuara për 100-vjetorin e Normales.