E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cilësia e shërbimit, ISKSH jep bonuse për klinikat shëndetësore

Mjekët e poliklinikave do të shpërblehen me 5 deri në 10 për qind të pagës së tyre, nëse ofrojnë një shërbim më të mirë për pacientët. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ka vendosur që të ofrojë bonuse të tilla si mënyra e vetme për të joshur bluzat e bardha të shërbimit parësor që t‘i rikthehen punës dhe pacientëve. Lidhur me këtë strategji, drejtori i Drejtorisë së Mjekut në ISKSH, Gazmend Koduzi, shprehet se për matjen e cilësisë së shërbimit janë përcaktuar 6 indikatorë. Për ta është vendosur një sistem pikëzimi që nëse përmbushet, mjekët e poliklinikave të shërbimit parësor përfitojnë 5% më shumë në pagë. Në total janë 100 pikë ato që mund të fitohen mbi bazë të vlerësimit të këtyre 6 indikatorëve. "Kujdesi ndaj fëmijëve, duke kryer imunizimin e plotë të tyre, është një nga treguesit kryesorë për cilësinë e kujdesit në vend, për vetë rëndësinë që ka parandalimi i sëmundjeve të ndryshme me anë të vaksinave", shprehet drejtori Koduzi. Një tjetër tregues i rëndësishëm që do të vlerësohet për marrjen e bonuseve është edhe kujdesi ndaj grave shtatzëna. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Mjekut në ISKSH, vizitat në tremujorin e parë të shtatzënisë ndihmojnë në parandalimin e shumë sëmundjeve te nëna, si dhe në formimin e fetusit dhe organeve të fëmijës. "Parimi i mjekësisë familjare që zbatohet në shërbimin shëndetësor parësor ka si bazë kujdesin për të gjithë popullatën, që është e regjistruar te mjeku përkatës, prandaj një nga indikatorët që tregon cilësinë e kujdesit është edhe përqindja e popullatës së regjistruar që vizitohen për herë të pare", pohon Koduzi. Ai shton se tregues i cilësisë së shërbimit është edhe ndjekja e kujdesi ndaj të sëmurëve kronikë, që duhet të vizitohen çdo muaj nga mjeku i familjes. Ndërsa si

element i një rëndësie të veçantë në punën e mjekut të familjes është menaxhimi i recetës e përshkrimi i saj, sipas rregullave të ISKSH-së, zbatimi korrekt i së cilës do ta shpërblejë mjekun dhe qendrën shëndetësore përkatëse me 20% të bonusit, për cilësinë e shërbimit. Ky indikator, thotë Koduzi, është përcaktuar për të stimuluar mjekët, që të vendosin një standard për mjekimin e diagnozave të njëjta, brenda territorit të një qarku. Nga shpërndarja e bonuseve në parësor kanë përfituar thuajse të gjitha qendrat shëndetësore në vend. Por në fund të listës ka mbetur Tirana. Bajram Caka, drejtor i Drejtorisë Ekonomike të ISKSH-së, pohon se në varësi të numrit të vizitave të realizuara, rajoni i Tiranës ka realizuar vetëm 31% të planit. Po kështu më dobët paraqitet edhe Lezha ,me vetëm 22%. Në krye të realizimit renditet Tropoja me 99% të parashikimit, Korça me 77% e Berati me 72%. ISKSH-ja ka vendosur financimin e qendrave shëndetësore me 10 për qind të totalit të buxhetit në rast të realizimit të numrit të vizitave apo tejkalimit të tyre nga norma e përcaktuar


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›