E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e çerdheve të Tiranës "blejnë vetë" dru zjarri

Fëmijët shqiptarë në çerdhe dhe kopshte shtetërore rriten si fëmijë spartanë. Çerdhja ose kopshti nuk ka sistem ngrohjeje, fëmija duhet të marrë një krahë dru nga shtëpia. Çerdhja nuk ka detergjent enësh, atë duhet ta sjellë fëmija nga shtëpia, nuk ka dezinfektues për tualetin, atë duhet ta sjellin fëmijët, nuk ka tapet kopshti edhe atë fëmijët duhet ta blejnë. Kush nuk sjell dru zjarri për sobën, duhet të kalojë tetë orë në një dhomë të ftohtë.

Kjo ka ndodhur dhe siç duket është kthyer në fenomen në disa çerdhe të kryeqytetit. Drejtoresha e çerdhes nr. 50 në Tiranës, Valentina Mançellari, u kërkon prindërve të një fëmije që është regjistruar në çerdhen që ajo drejton, që të blejnë latat e druve dhe t‘i sjellin në dhomën ku rri fëmija e tyre. Në të kundërt, atëherë fëmija duhet të vuante të ftohtin e dimrit që sapo kaluam.

Sipas kësaj drejtoreshe, çerdhes nr. 50 në Tiranë, i janë dhënë vetëm dy lata dru dhe me këtë situatë nuk mund ta përballonin dimrin fëmijët. Për këtë arsye, të gjithë prindërit, përveç pagesës mujore në arkën e çerdhes, duhet të furnizonin këtë çerdhe edhe me dru zjarri, sa herë që ua kërkonte drejtoresha.

Të gjithë këtë bisedë një prind i një fëmije e kishte regjistruar dhe e çoi në redaksinë e emisionit "Fiks Fare" për të denoncuar pikërisht këto kërkesa, që janë kthyer në fenomen tashmë në të gjitha çerdhet dhe kopshtet e vendit. Shteti nuk përgjigjet për asgjë në këto çerdhe shtetërore, ose të paktën, këtë u lë të nënkuptojnë prindërve të fëmijëve të çerdhes nr. 50 në Tiranë, drejtoresha Valentina Mançellari. Kjo drejtoreshë u kërkon prindërve që të blejnë nga një latë dru, ndërkohë që një "racion‘ i tillë kushton 2500 lekë të reja. Pak më shumë kushton e gjithë pagesa mujore për një fëmijë, që shkon në çerdhe shtetërore.

Por kontributet e prindërve të fëmijëve në këtë çerdhe nuk mbarojnë këtu. Sapo fillon shtatori, prindërit duhet të sjellin detergjent enësh, rrobash, tapetë e më pas duhet të sigurojnë edhe drutë e zjarrit. Në të kundërt fëmijët janë të kërcënuar që të rrinë në një dhomë të ftohtë, ku qëndron ndezur vetëm një kalorifer, kuptohet vetëm kur ka energji elektrike.

Disa kohë më parë u mor një vendim për pajisjen e të gjitha çerdheve të kryeqytetit me ajro-ngrohës, madje u lëvrua edhe një fond prej 1,2 milionë lekësh.

Por edhe gjatë dimrit të kaluar, ngrohja e mjediseve të çerdheve u realizua me soba me dru zjarri, sepse më shumë nuk kishte drita sesa kishte.

Në qytetin e Tiranës funksionojnë 29 çerdhe fëmijësh, të

cilat frekuentohen nga rreth 1600 fëmijë të moshës 6 muaj deri

në 3 vjeç.

Fëmijët e vegjël qëndrojnë aty për gjashtë orë, pa lojëra e mësime. Mungon hapësira

Kopshti i Mëzezit, 5 vjet

"bashkëjetesë" me kushtet e motit

Ndërsa fëmijët e fshatit Mëzez e kalojnë paraditen në kushte akoma më të vështira. Një shtëpi e vjetër e këtij fshati, e cila ka vetëm dy dhoma, një çati me qerpiç, është kthyer në kopsht.

Fëmijët e Mëzezit që prej 5 vjetësh kalojnë gjashtë orë të ditës në këtë ndërtesë që është caktuar prej komunës së fshatit si kopsht. Ky ambient nuk është më i madh se 30 m2 dhe atje zhvillojnë mësim 70 fëmijë.

Nuk kanë as kushtet minimale për të kryer mësim, as ngrohje, as hapësirat e nevojshme. Ndërsa, tualeti është jashtë ndërtesës dhe në kushte skandaloze. Vetë edukatoret e kopshtit thonë se është mjaft e vështirë të zhvillosh mësim në këtë ambient, gjatë dimrit situata rëndohet më shumë, pasi edhe pse përdorin sobat me dru për ngrohje ambienti është i ftohtë dhe shpesh prindërit detyrohen të mos i sjellin fëmijët, sepse mund të sëmuren. Çfarë bie jashtë, hyn brenda në kopsht, ku bëjnë mësim fëmijët.

Edhe vetë prindërit janë shumë të shqetësuar për këtë problem, pasi shpeshherë atyre u është premtuar një ambient tjetër. Madje, u është thënë që do ndërtohet edhe një kopsht i ri, por ka 5 vjet që asgjë nuk po bëhet. Ata thonë se janë interesuar shpesh pranë komunës dhe drejtuesit u thonë që e kemi prioritet. Vetë drejtoresha e kopshtit e pranon se ndërtesa aktuale që shërben si kopsht nuk i ka kushtet e përshtatshme. Pesë vjet më parë ky objekt iu dha nga komuna me qira shkollës, por që atëherë ky ambient nuk i ka plotësuar kushtet për të qenë një kopsht dhe drejtoria e shkollës ka kërkuar vazhdimisht që të gjendet një ndërtesë tjetër.

Madje, sipas drejtoreshës së shkollës 9-vjeçare të Mëzezit, kjo kërkesë e tyre është futur herë pas here në prioritetet e këshillit të komunës, por problemi nuk ka gjetur asnjëherë zgjidhje në këto pesë vjet. Në bazë të një fondi të vogël që u ka lënë në dispozicion komuna për qiranë e kopshtit, kanë kërkuar për një shtëpi tjetër me qira. U janë ofruar dy objekte, por asnjëra nuk i plotëson kushtet, ndërkohë që fëmijët në kopshtin e Mëzezit as mësojnë dhe as lozin, sepse nuk kanë vend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›