E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanë kosto të lartë, hekurudhat rrezikojnë mbylljen

 Emirjon Senja

Shpenzimet e mëdha që kërkon rrjeti hekurudhor shqiptar nëpërmjet subvencioneve nga buxheti i shtetit kanë detyruar qeverinë që të shqyrtojë disa mundësi për administrimin e mëtejshëm të këtij transporti, njëra prej të cilave është edhe mbyllja.

Ekzekutivi ka ndarë rreth 531 milionë lekë fonde për hekurudhat në buxhetin e këtij viti, ku vetëm 70 milionë lekë janë për investime kurse pjesa tjetër e fondeve do të përdoren për mirëmbajtje si edhe për pagat dhe Sigurimet Shoqërore të punonjësve. Duke parë këto tregues, duket se shteti ka hequr dorë nga investimet në drejtim të hekurudhave duke i financuar shuma të vogla ato. Kjo situatë paraqitet edhe në strategjinë e Ministrisë së Transporteve për transportin në Shqipëri gjatë viteve të ardhshme. Ministria ka marrë në shqyrtim katër opsione për administrimin e hekurudhave shqiptare gjatë pesë viteve të ardhshme, të cilat fillojnë nga ruajtja gjendjes aktuale e deri tek investimet e mëdha në vlerë 43.5 miliardë lekë, e cila do të mundësonte përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e shpejtësisë së lëvizjes.

Nëse do të pranonin të vijonin me investime minimale, i cili është edhe opsioni i parë, do të minizoheshin shpenzimet por rrjeti hekurudhor do të mbeste në këtë gjendje duke sjellë rënie të mëtejshme të udhëtarëve. Opsioni i dytë është edhe më intrigues, pasi parashikon një mbyllje të pjesshme ose të plotë të hekurudhave. Mbyllja e pjesshme do të bëhej nëpërmjet dhënies me koncesion të disa linjave kurse mbyllja e plotë do ti hiqte Shqipërisë transportin hekurudhor pas gjashtë dekadash.

Opsioni i tretë sugjeron një rritje të moderuar të investimeve, kryesisht në linjën Tiranë-Durrës dhe blerjen e trenave të rinj për këtë linjë duke mundësuar një shpejtësi maksimale lëvizje deri në 60 kilometra në orë. Opsioni i katërt sugjeron investimet më të mëdha në sistem, të cilat do të rrisnin shpejtësinë maksimale të lëvizjes deri 80 kilometra në orë.

Më shumë se tek rënia e transportit të mallrave, problematika kryesore e sistemit hekurudhor shqiptar qendron tek ulja e numrit të udhëtarëve, madje dhe në linja kryesore siç është ajo Tiranë-Durrës. Nivelet e trafikut të mallrave kanë pasur një rënie minimale, ndërsa trafiku hekurudhor i shërbimit të udhëtarëve është ulur në mënyrë të ndjeshme. Në transportin e mallrave, lajmi i mirë është që trafiku ndërkombëtar është rritur gradualisht që nga rifillimi i transportit ndërkombëtar hekurudhor të mallrave midis Shqipërisë dhe Malit të Zi në vitin 2003. Trafiku i udhëtarëve përqendrohet në linjën Tiranë-Durrës. Pjesë e problemit që po përballon hekurudha shqiptare është ulja e numrit të udhëtarëve dhe nevoja për të rritur subvencionimet për shërbimet për publikun, – shpjegon ministria.

Transporti hekurudhor në Shqipëri mundësohet nëpërmjet 423 kilometrave shina. Shpejtësia maksimale e udhëtimit është ulur nga viti në vit dhe aktualisht është 30 deri në 40 kilometra në orë. Madje në disa zona, shpejtësia ulet edhe më duke arritur në 25 kilometra në orë. Kjo gjë bën që shërbimet e transportit të udhëtarëve të jenë jokonkurruese. Një nga arsyet kryesore të uljes se shpejtësisë është niveli i pamjaftueshëm i fondeve për mirëmbajtjen dhe riparimin e infrastrukturës dhe të superstrukturës gjatë 25 viteve të fundit, si dhe mungesa e makinerive për kryerjen e punimeve në linjën hekurudhore, – shpjegon ministria e në strategjinë e saj. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Hekurudhave, trenat shqiptar kanë një moshë mesatare mbi 25 vjet dhe duhen zëvendësuar menjëherë.

Thyerja e xhamave me gurë

Një ndër problemet që i bashkangjiten amortizimit të transportit hekurudhor shqiptar është goditja me gurë e xhamave gjatë rrugëtimit në zona të ndryshme. Thyerja e xhamave të trenit është kthyer në një dëfrim për fëmijet e zonave ku kalon linja hekurudhore. Një gjë e tillë ka detyruar Drejtorinë e Hekurudhore organizojë herë pas herë tenderë për blerjen e xhamave për dritaret e trenave. Tenderi i fundit është zhvilluar më datë 5 dhjetor të vitit të shkuar ku drejoria ofroi rreth 2 milionë lekë për të blerë xhama për vagonët e udhëtarëve.

 

 

Strategjia për hekurudhat

Opsioni 1: Të mbahet situata ekzistuese. Kjo do të nënkuptonte vazhdimin e operimit me investime në nivele minimale në sektorin e hekurudhave. Ky opsion do të minimizonte kostot e investimeve, por kostoja e DSHP-së ka të ngjarë që të rritet më tej nëse trafiku vazhdon të bjerë. Cilësia e shërbimeve do të mbetet e ulët dhe me ndonjë rënie të mëtejshme, si pasojë e mungesës së investimeve.

Opsioni 2: Mbyllje e pjesshme ose e plotë. Mbyllja e pjesshme e rrjetit hekurudhor mund të nënkuptonte dhënien me koncesion, si një opsion 2a, ose mund të zbatohet një mbyllje e plotë e hekurudhave, si opsioni 2b.

Opsioni 3: Një program i moderuar investimesh në infrastrukturë me prokurimin e një pjesë të mjeteve lëvizëse. Ky opsion do të përfshinte përmirësimin e infrastrukturës së linjës Tiranë-Durrës (së bashku me stacionet) që të mundësojë shpejtësi maksimale 60 km në orë dhe prokurimin e trenave të rinj ose te përdorur për transportin e udhëtarëve (DMU) për realizimin e një shërbimi të përshtatshëm vajtjeardhjenë këtë linjë. Kjo do të kërkonte një përmirësim të kufizuar të infrastrukturës, duke përfshirë edhe prokurimin e disa mekanizmave të thjeshtë për mirëmbajtjen e linjës hekurudhore.

Kostoja totale e investimeve sipas këtij opsioni do të jetë rreth 20 850 milionë lekë.

Opsioni 4: Përmirësime të mëdha, siç propozohen te studimi Rrjetit hekurudhor shqiptar:

Projekti i përmirësimit të infrastrukturës dhe sistemit të sinjalizimit. Ky opsion do të kërkonte një investim të ri më të madh për 197 km të rrjetit kryesor sipas Opsionit 3. Ky Opsion parashikon që të rritet shpejtësia e lëvizjes së trenave në trungun kryesor hekurudhor (197 km) deri në 80 km në orë dhe në pjesën tjetër të rrjetit deri ne 60 km në orë. Gjithashtu, nevojitet të përmirësohen 35 km të linjës Shkodër-Kufi, për të garantuar që mundësisht të ofrohen shërbime për tregje potencialisht të mëdha trafiku.

Kostoja totale e investimeve sipas këtij opsioni do të jetë rreth 43 507 milionë lekë.

* * *

Kërkesa e qeverisë për borxh rrit interesat e bonove

Qeveria ka siguruar dhe një borxh 27.4 miliardë lekë nëpërmjet shitjes së bonove të thesarit. Ministria e Fonancave lajmëroi dje për përfundimet e ankandit të bonove, me anë të të cilin ekzekutivi siguroi pjesën dërrmuesë të borxhit të brendshëm që i nevojitet për të financuar shpenzimet buxhetore përgjatë gjysmës së parë të vitit. Në ankandin e djeshëm u emetuan bono me afat maturimi 6 mujore dhe 12 mujore. Bonot me afat maturimi 12 mujor u blenë nga bankat me një normë mesatare interesi prej 7.11 për qind, kurse bonot e me afat maturimi 6 mujore u emetuan me një normë mesatare interesi prej 6.23 për qind.

Borxhi i marrë nëpërmjet bonove një vjeçare ishte në vlerën e 16.9 miliardë lekëve, ndërkohë që 10.4 miliardë lekë u siguruan nëpërmjet bonove me afat maturimi 6 mujor. Norma e interesit të këtyre bonove nuk ndryshoi në raport me ankandin e fundit për shkak të faktin se pjesa dërrmuese e shumës u financua nga Banka e Shqipërisë me ofertë jokonkurruese.

Në ankandin e fundit të zhvilluar me datë 29 dhjetor, qeveria mori nga sistemi bankar rreth 3.4 miliardë lekë borxh për mbyllur shpenzimet e fundvitit nëpërmjet emetimit të bonove një vjeçare. Vetëm dy ditë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›