Cilët janë faktorët pas rritjes së çmimeve të ushqimeve
Thatësira e Madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thuhet se është shkaktarja e rritjes së madhe të çmimeve të produkteve bujqësore. Por kjo është vetëm njëra anë e problemit: spekulimet financiare dhe ndryshimi i zakoneve ushqimore luan një rol gjithashtu shumë të rëndësishëm. Në këto kushte furnizimi botëror me ushqim po përballet me presione nga të gjitha anët.
Fermeri Mike Geske flet për përvojën e brezave të tërë Edhe thatësirat më të mëdha kanë tipologjinë tyre, thotë ai. Është një mësim që i vjen i trashëguar nga familja e tij. Gjyshi, një emigrant nga Gjermania krijoi një fermë në Misuri dhe më pas i ati punoi shumë që ta zgjeronte atë. Të dy i përcollën Majkut rrëfime për thatësirat dhe mënyrën e përballimit të tyre në mënyrë që punët të vazhdonin dhe ferma të mbijetonte. Thatësira e këtij viti ka qenë në SHBA jashtëzakonisht e gjatë dhe e tejzgjatur. Ajo ka nisur në fillim të majit të vitit të kaluar. Para kësaj pati shira të rrëmbyer dhe më pas befas një thatësirë e jashtëzakonshme. Të korrat këtë vit nuk duken të mbara dhe është tërësisht e shpjegueshme. Dhe kjo është e njëjta situatë në të gjithë Amerikën Qendrore që po përjeton thatësirën më të madhe që nga viti 1930. Një e gjashta e të korrave ka humbur tashmë dhe priten humbje edhe më të mëdha. Si pasojë e uljes së ofertës kemi edhe rritje të mëdha të çmimeve të ushqimeve dhe të mallrave të ndryshme. Disa çmime janë rritur mbi 50% brenda një periudhe 10-javore dhe magazinat e grurit janë duke u zbrazur. Edhe produkte të tjera bujqësore veç misrit dhe sojës raportojnë pakësim të ndjeshëm në SHBA. Në Rusi, një tjetër vend që po përballet me probleme po për shkak të thatësirës së zgjatur eksporti i drithërave pritet që të jetë gjysma e atij që ka qenë një vit më parë. Nga ana tjetër Brazili ka përjetuar një stinë reshjesh shumë të bollshme që është një lajm i keq për prodhuesit e kallamit të sheqerit. Në këto rrethana Programi i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara parashikon një periudhë shumë të vështirë. Ky është paralajmërimi i tretë i tillë që nga i pari i vitit 2008 e më pas edhe i dyti i vitit 2011. Tashmë duket se katastrofa është shndërruar në një normë. Por rritja e çmimeve të ushqimeve kryesore është diçka që ndikon dhe ka pasoja në xhepin e çdokujt. Ekonomistët paralajmërojnë për agflation ose inflacion që shkaktohet nga rritja e çmimeve të prodhimeve bujqësore. Kombet e varfra megjithatë, preken në mënyrë disproporcionale, sepse njerëzit aty shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre vetëm për ushqime. Pra ata praktikisht në këto kushte do të mbeten pa para për të konsumuar dhe mbuluar shpenzimet e tjera. Por edhe konsumatorët në botën e industrializuar do të ndiejnë barrën gjithashtu. Edhe G20 po merr masa për një situatë të tillë. Mbi të gjitha ata duan që vendet të mos marrin masa personale, por të jenë masa të koordinuara. Dy vjet më parë Rusia ndërpreu menjëherë eksportin e grurit për ca kohë duke shkaktuar kësisoj një mungesë të produktit në treg, një rritje çmimesh dhe destabilizim të situatës. Kjo ishte një masë e njëanshme që nuk u mirëprit dhe të tilla masa sigurisht që nuk këshillohen në një situatë të tillë. Këtë vit, vende si Argjentina dhe Brazili rrezikojnë që të ndërmarrin një veprim të tillë të njëanshëm për të mbrojtur ekonomitë e tyre duke ulur eksportet e sojës dhe kjo do të shkaktonte një reduktim të furnizimeve edhe më tej dhe kriza vetëm sa do të përkeqësohej. Duke parë se furnizimi me ushqime po shndërrohet në një çështje kyç të axhendës ndërkombëtare tani që beteja globale për mallra bujqësore ka nisur e egër. Sipas disave, ushqimi është nafta e re dhe Toka floriri i ri. Politikanët dhe qytetarët janë të shqetësuar se si mund të garantohet furnizimi me ushqime në të ardhmen dhe me çfarë çmimi. Katër faktorët kryesorë që luajnë një rol këtu janë:
Ndryshimet klimatike
Shumë klimatogë parashikojnë një ngrohje të mëtejshme të planetit dhe kjo do të shkaktojë edhe thatësira. Sipas një studimi të ri parashikohet se, nëse modelet e parashikuara të klimës do të dalin të vërteta, atëherë nxehtësia ekstreme do ta reduktojë shumë prodhimin e drithërave, madje deri në masën 30%.
Sasi më e madhe biofuel do të thotë më pak ushqim
Që nga viti 2005, rafineritë e SHBA-ve kërkojnë karburant që vjen nga burimet e rinovueshme, si dhe benzinë dhe karburant të zakonshëm. SHBA-të po përpiqen që të heqin dorë nga varësia ndaj benzinës dhe naftës. Problemi është se vendi është duke përdorur tani më shumë misër për prodhimin e etanolit dhe kjo ndikon në uljen e sasisë e misrit që shkon për ushqime. Kjo kërkesë e industrisë sa vjen e po rritet.
Spekulatorët rrisin në mënyrë fiktive çmimet
Që nga fillimi i krizës bujqësore në vitin 2008 ka pasur periudha rritje çmimesh të çmendura, deri në masën 50 dhe 70 për qind, madje edhe brenda një dite të vetme. Momente të tilla mund të çojnë në spekulime të tregut të ushqimeve. Për të luftuar spekulimet, ekspertët propozojnë që të krijohet një lloj banke qendrore e grurit. Sipas këtij plani, vendet e rëndësishme bujqësore do të krijojnë edhe një rezervë të përbashkët.
Ndryshimi i mënyrave të të ushqyerit
Në ekonomitë në zhvillim, një shtresë e re e mesme po krijohet dhe zhvillohet me persona që kanë një mënyrë të ndryshme të të ngrënit. Bëhet fjalë për mënyra të ndryshme nga ato të gjyshërve dhe prindërve. Mishi, për shembull, konsumohet shumë pak dhe konsiderohet si luks. Veçanërisht Kina është duke drejtuar një ndryshim të tillë këto dy dhjetëvjeçarët e fundit. Kina ka futur shumë në tregun botëror sojën dhe misrin dhe kjo ka ndryshuar edhe dietat dhe menynë e të ngrënit.
Cilët janë faktorët pas rritjes së çmimeve të ushqimeve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip