E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshonin 200 kg, mendohet se janë shitur për skrap

Ardi Hoti

Vidhen dy kambana bronzi në Gomsiqe

Ardi Hoti

Dy kambana prej bronzi janë vjedhur në kishën e fshatit Gomsiqe në Pukë. Persona të paidentifikuar i kanë vjedhur prej disa ditësh, ndërkohë që dyshohet se ato janë marrë për tu shitur për skrap. Hajdutët kanë thyer derën e kishës dhe më pas kanë çmontuar dy kambanat prej bronzi që peshonin rreth 200 kilogramë. Pesha e tyre ka çuar në hipotezën se hajdutët mund të kenë qenë më shumë se dy vetë. Burime nga policia e Pukës bëjnë të ditur se për ngjarjen është bërë denoncim rreth 10 ditë, pasi kambanat janë vjedhur dhe kjo e vështirëson së tepërmi zbulimin e ngjarjes, ndërkohë që janë shoqëruar disa persona në polici. Po sipas policisë, vjedhja dyshohet se është bërë me qëllim shitjen e kambanave për skrap. Fshati Gomsiqe duket shumë i qetë. Qetësia prishet rrallë vetëm nga ndonjë zhurmë makine që vazhdon rrugën për Pukë ose për në Shkodër. Në fshatin që jeton buzë rrugës nacionale me rreth 30 familje, prej dy javësh nuk dëgjohet kambana e Kishës. Kisha e vendosur në një shpat mali duket nga të gjitha drejtimet. Një portë hekuri e hapur të tregon rrugën për në brendësi të kishës. Trokasim disa herë, por askush nuk jep përgjigje. Dera gjysmë e hapur e kishës, e cila ishte thyer nga hajdutët na shtyn të futemi brenda. Nuk ka asnjeri. Të vetmit shoqërues janë ikonat e kishës. Në kambanore kanë ngelur vetëm litarët dhe disa bulona mbajtës të bazamentit. Dalim nga kisha me siguri të plotë se as na ka parë dhe as na ka dëgjuar njeri, me shpresën që kjo shtëpi e Zotit të mos bëhet më objekt plaçkitje. Duke vazhduar rrugën për në qendër të shatit takojmë një të moshuar, banor i fshatit Gomsiqe. Kur e pyesim për vjedhjen, Prenga ul kokën duke e sjellë sa majtas djathtas dhe më pas të shikon drejt e në sy duke thënë: Ka ardh dita mor bir që robi po guxon me vjedhë Zotin. Kush guxon me vjedh Zotin, i ban tana. Turp i madh për atë që e ka ba, e ai që e ka ba nuk din s e ça ka ba, por ka me e msu ma vonë. Më pas Prenga ndërpret bisedën, ul kokën na përshëndet dhe vazhdon rrugën në brendësi të malit te bagëtitë. Disa vite më parë dhe një kambanë e një kishe të vjetër është vjedhur në këtë zonë, kambanë që flitej se përmbante dhe përqindje ari. Gomsiqa me fshatrat përreth janë zona të thella të Pukës të cilat për shkak të varfërisë çdo ditë po braktisen. 

Peshonin 200 kg, mendohet se janë shitur për skrap burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›