Shkozë, do të përfitojnë strehim 400 familje
Bëhet publik një projekt ambicioz i bashkisë së kryeqytetit me efekte sociale për një nga zonat periferike të Tiranës. Bëhet fjalë për projektin për ndërtimin e 400 banesave sociale, në zonën e ish-uzinës së autotraktorëve në Shkozë. Rreth 400 familje të pastreha të Tiranës, jo vetëm do të kenë mundësi për një strehë të përshtatshme, krijimin e kushteve normale e cilësore të jetesës, por edhe përfitimin e shërbimeve të tjera, deri në mundësi punësimi. Bashkia e Tiranës ka njoftuar dje zyrtarisht se një çerdhe, kopsht, shkollë, hapësira kreative për fëmijët e deri në një qendër sociale, do të vihen në dispozicion të banorëve në këtë kompleks të integruar, duke krijuar kështu të gjitha lehtësirat e mundshme dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e jetës komunitare. Kryebashkiaku Rama inspektoi dje punimet që po kryhen në këtë zonë, një projekt i standardeve europiane, i cili synon të përbëjë vizionin e ri të strehimit social, për familje që pavarësisht se janë në kushte të vështira sociale dhe ekonomike, meritojnë të jetojnë në një mjedis cilësor e të sigurt, meritojnë të jetojnë jo vetëm në një shtëpi, por edhe pranë një hapësire me çerdhe, kopsht, shkollë, qendër shëndetësore dhe hapësira të gjelbëruara. “Ishte kënaqësi të ndiqnim nga afër punën për Qendrën e re Sociale, që do të integrohet brenda kësaj lagjeje të re, të cilën ne po e ndërtojmë për të pastrehët, ku 400 familje do të mund të gjejnë më në fund atë që kërkojnë prej shumë kohësh, një strehë dhe do të mund të jetojnë në kushte shembullore, jo në një geto, por në një komunitet me hapësira publike dhe struktura sociale, tërësisht të standardeve europiane”, sqaroi kryebashkiaku Edi Rama. Që prej fillimvitit 2009, ka nisur puna për ndërtimin e banesave të para sociale, në zonën e ish-uzinës së autotraktorëve në Shkozë. Fondet për financimin e këtij projekti janë 12 milionë euro, nga të cilat 6.347 milionë euro janë financim me kredinë e marrë nga Banka e Këshillit të Europës, shumë e cila do të shlyhet nga Bashkia e Tiranës. Kjo shumë do të përdoret për ndërtimin e 400 apartamenteve, me qëllim social. Projekti, i cili në fazën e parë parashikon ndërtimin e 3 blloqeve të banimit, aktualisht është në fazën përfundimtare në dy nga këto blloqe dhe po punohet me qëllim përfundimin në fillim të vitit të ardhshëm të bllokut të tretë. Nga analiza e nevojave për shërbime sociale rezulton se në Njësinë Bashkiake Nr. 1 ka një përqindje të konsiderueshme të popullsisë rome. Qendra do të shërbejë si pritëse për të gjithë fëmijët e identifikuar apo referuar nga të tjerë njerëz, duke u përpjekur në tërheqjen e këtyre fëmijëve brenda ambienteve të saj.
#