E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita ka kartë të bardhë të propozojë të gjitha ndryshimet ligjore për zgjedhjet e ardhshme

Kryeministri Sali Berisha flet pas tryezës Kryetari i mazhorancës dhe njëherazi kryeministri Sali Berisha shprehet se problemet e partive me gjykatat, nuk mund të kthehen në probleme ndërpartiake dhe që të cenojnë stabilitetin politik. Kreu i qeverisë vuri në dukje se kërkesat të cilat nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe për më tepër janë të fryra nga problemet e një partie, në rastin konkret PS, me Gjykatën e Apelit, nuk është pjesë e bisedimeve dhe nuk mund të marrë asnjë zgjidhje nga tryeza e Presidentit Topi. Këtë deklaratë kryeministri Berisha e bëri pas takimit të zhvilluar në Presidencë me kryesocialistin Edi Rama, takim ky i kërkuar nga Presidenti Topi, pas rekomandimeve të rezolutës së KiE, mbi situatën politike në Shqipëri. “Aty ne patëm një shkëmbim të hapur të mendimeve dhe pikëpamjeve. Ne ramë dakord që Presidenti i Republikës të vazhdojë të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergjencave për çështje bazuar në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it. Sikundër ne jemi dakord për të plotësuar të gjitha kërkesat e Rezolutës Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR –it mbi zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat janë vlerësuar nga 510 vëzhgues ndërkombëtarë si zgjedhjet që plotësuan shumicën e angazhimeve të OSBE/ODIHR-it dhe në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultatit apo numërim të parregullt. Po në këtë kontekst, në kuadër të rezolutës së KE dhe raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, koalicioni qeveritar i ofron zotit Rama dhe opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet për adresimin e vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre dhe mazhoranca do t’i votojë ato. Sikundër jemi të gatshëm të ngremë komisionin hetimor parlamentar që në seancën e ardhshme, ku opozita të ketë shumicën në të gjitha votimet në këtë komision, përmes tërheqjes së dy anëtarëve tanë nga kuorumi i tij.Gjithashtu, unë garantova Presidentin e Republikës dhe zotin Edi Rama se ne jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme, për të gjitha çështjet zgjedhore, bilaterale, pra mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në këtë kontekst, unë i propozova zotit Rama të listojë të gjitha çështjet dhe problemet që ekzistojnë mes mazhorancës dhe opozitës, mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe ne do t’i trajtojmë ato në mënyrën me serioze dhe më konstruktive”, u shpreh kreu i qeverisë Berisha.Duke u ndalur te pretendimet e Partisë Socialiste, kryeministri Berisha vuri në dukje se tryeza, me asnjë kusht nuk mund të trajtojë problemet e Partisë Socialiste me gjykatat. “Natyrisht, unë nuk mund të trajtoj problemet zgjedhore që PS ka me Gjykatën e Apelit, sikundër unë nuk kërkoj trajtimin nga ne të dy të problemeve zgjedhore që Partia Demokratike ka me Gjykatën e Apelit. Problemet me vendimet gjykatave nuk janë probleme midis partive, por janë çështje që secila prej partive ka me pushtetin gjyqësor dhe vendimet e tij. Ju e dini se për Partinë Demokratike, në mënyrë të përsëritur, Gjykata e Apelit dhe Kolegji Zgjedhor kanë dhënë vendime të disfavorshme, madje edhe në zgjedhjet e fundit. Por unë nuk i kam bërë asnjëherë ato probleme ndërpartiake, sepse ato kanë qenë probleme midis Partisë Demokratike dhe pushtetit gjyqësor, vendimet e të cilit kemi qenë dhe jemi të detyruar t’i pranojmë. E njëjta gjë vlen edhe për Partinë Socialiste”, deklaroi Berisha, duke shtuar se Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë jo vetëm kërkesën e zotit Rama për rinumërim të votave në disa zona, por ajo ka hedhur poshtë edhe kërkesën e Partisë Demokratike për rinumërim në distriktin e Fierit. “Bazuar në nenin 116 të kodit elektoral, i cili sanksionon se rinumërimi votave mund te behet vetëm ne raste kur ka kundërshtime gjate procesit të numërimi të tyre, gjykata konkludoi se nuk mund të ketë rinumërim të votave pa kundërshtime gjatë numërimit të tyre. Përveç kësaj, Gjykata e Apelit shpalli të pavlefshme, me kërkesë të PS, 512 votat e komunës Rushdije vetëm pse fletët e votimit nuk kishin dy vula, por vetëm një (për arsye se njërën vulë e mori komisioneri i Partisë Socialiste dhe u largua nga Qendra e Votimit gjithë ditën). Dhe në këtë mënyrë i dha mandatin Partisë Socialiste.Natyrisht këtë vendim PS e pranon por ajo nuk pranon vendimin tjetër me të cilin Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë kërkesën e saj për rinumërim të votave. Unë nuk kam akuzuar zotin Rama se më grabiti mandatin për Rushdijen. Jo! Mandati iu mor Partisë Demokratike nga Gjykata e Apelit dhe unë e kam pranuar këtë vendim. çështje të cilat Partisë Socialiste ia ka hedhur poshtë gjykata janë çështje mes saj dhe pushtetit gjyqësor dhe jo mes saj dhe Partisë Demokratike. Duke respektuar këto parime mendoj se çdo çështje tjetër mund të zgjidhet”, deklaroi kryeministri. Kreu i qeverisë theksoi se mazhoranca mbetet e vendosur të japë të gjithë ndihmesën e saj për një rezultat sa më pozitiv të dialogut. “Unë dua të siguroj qytetarët shqiptarë se ne mbetemi të vendosur të japim të gjithë ndihmesën tonë për një rezultat pozitiv të dialogut”’ tha Berisha.Berisha përshëndeti kreun e shtetit, për këtë iniciativë të rëndësishme, duke e konsideruar atë si jetike për vijimin e progresit politik të Shqipërisë dhe si një detyrim të ushtruar nga rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.“Dua të falënderoj Presidentin e Republikës për ftesën dhe të shpreh bindjen time se tryeza e thirrur nga ai ishte një përpjekje pozitive dhe serioze”, deklaroi ndër të tjera, kryeministri Sali Berisha. Rezoluta e KiE, flet qartë për rolin e opozitës, të rikthehet në Kuvend dhe të ngrihet aty komisioni hetimor Edvin Rama po tenton të sfidojë edhe institucionet ndërkombëtare    Në një kohë kur rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, flet qartë për rolin e ardhshëm të opozitës, pas afro 6 muajsh çuarje dëm, kryesocialisti Edvin Rama, duket se po mendon të sfidojë edhe insistimin e ndërkombëtarëve me kokëfortësinë dekompozuar, të mos heqjes dorë nga kërkesat antiligjore. Nisur nga ky pozicion dhe prirja e Ramës për të mos iu nënshtruar dialogut, një element ky tepër domethënës, për demokracinë dhe stabilitetin e saj, PS jo vetëm nuk ka ndërmend që të demonstrojë një sjellje ndryshe në tryezën e negocimit, por pritet të improvizojë të tjera sajesa, siç ishte ai memorandumi i djeshëm, që u depozitua në mënyrë të pakuptimtë vetëm pak minuta para se të fillonte tryeza e takimit. Edi Rama, po tregon se nuk di nga t’ia mbajë. Presioni në drejtim të tij është i jashtëzakonshëm me afrimin e ditës së skadencës së mandateve ylberiste. Ndaj edhe i shqetësuar për skarcitetin e ardhshëm politik, lakuriqi i PS nga disa podiume shtypi, referon ligjëratat stresuese që opinioni publik ka muaj të tërë që i dëgjon.  Duke u kthyer në kohë dhe për të korresponduar shpërfilljen e ndërkombëtarëve nga ana e Edvinit, rezoluta e KiE, është një shembull konkret i arrogancës së Edvinit jo vetëm ndaj rendit kushtetuese në vend, por edhe ndaj kancelarive të kulturuara dhe të standardizuara perëndimore. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, miratoi ditët e fundit të janarit, një rezolutë lidhur me situatën politike në Shqipëri. Në bazë të rekomandimeve të dy raporterëve të KiE, ëilshare dhe Laasko, euro-deputetët referuan gjatë për atë që po ndodhte në Shqipëri, pas vendimit të opozitës për të bojkotuar pa afat punimet e Kuvendit. Në unison, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dënoi qëndrimin e palës opozitare dhe i kërkoi asaj rikthim të menjëhershëm në parlament, pasi në të kundërt ishte duke cenuar stabilitetin politik të Shqipërisë. Referuar argumenteve të qëndrueshme të përfaqësuesve të mazhorancës, KiE, miratoi me shumicë votash një rezolutë, e cila përbën edhe udhërrëfyesin e zgjidhjes së ngërçit institucional në vend. Tryeza e organizuar dje nga Presidenti Topi, është vetëm hapi i parë, i dëgjimit të pretendimeve të palëve, por vendimin i saj është vetëm këshillues, çka do të thotë se Edi Rama ka në mendje të çojë deri në fund tymnajën e tij, për të dhunuar ligjet dhe institucionet kushtetuese. Nga një vend me stabilitet të çmuar dhe me një klasë politike të emancipuar, Edvin Kristaq Rama, ka konfirmuar formacionin politik që drejton, si “blozën në të bardhë” dhe në mënyrë rigoroze po mendon vetëm për përshkallëzimin e destabilitetit politik....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›