“Gërdeci”, sot seanca e radhës e pajtimit me Mediun
TIRANE-Sot në Gjykatën e Lartë ka nisur seanca për pajtimin e ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe banores së Gërdecit, Alketa Hazizajt. Trupi gjykues kryesohet nga Andi Celiku, ndërsa në përbërje të tij janë gjyqtarët Ardian Nuni, Irma Bala, Evgjeni Sinoimieri dhe Evelina Qiriako. Ish-Ministri Mediu nuk është paraqitur në këtë seancë, e cila nisi rreth orës 10.00 ndërsa përfaqesohet nga dy avokatet mbrojtjes Petrit Serjani dhe Ardian Visha . Nëse kjo seancë dështon, atëherë Mediun e pret një tjetër proces gjyqësor. Kjo seancë pajtimore pason atë të 26 janarit, ditë në të cilën i ati i 12 vjecarit Roxhers Durda ka refuzuar ndjesën e Mediut, duke kërkuar kështu që të përballet në Gjykatën e Lartë, organ i cili pak muaj më parë pushoi dosjen penale ndaj tij. Gjate seancës së atëhershme Mediu u shpreh se ndiente përgjegjesi morale për shpërthimin e 15 Marsit, por ka refuzuar të ketë përgjegjesi direkte per ngajrjen e rende. Duke e cilësuar veten si fajtor moralisht, ai ka kërkuar ndjesën e 12-vjeçarit, i cili në tragjedinë e 15 Marsit humbi të ëmën, ndërsa vetë mbeti i plagosur. Roxhers Durda dhe Alketa Hizizaj akuzojne Mediun, për "plagosje te rende nga pakujdesia". çështja 'Gërdeci' është një nga çështjet më të mëdha në historinë e gjyqësorit shqiptar, me rreth 300 dëshmitarë dhe 29 persona të marrë si të pandehur, shumë nga të cilët ish-funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë. (d.b/BalkanWeb)