E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kallashnikov, forcë pushteti në Metropol

Shfaqja Komedia që prek edhe realitetin shqiptar vjen nën regjinë e Florian Agalliut

Në sallën “çehov” të teatrit të Metropolit në Tiranë, në datat 4 dhe 5 mars do të vihet në skenë “Kallashnikov” me regji të Florian Agalliut. Shkruar nga Georgey Gabor, “Kallashnikov” është një shfaqje që bën një paralelizëm me realitetin shqiptar. Për vetë subjektin dhe mesazhin që përcjell, pjesa është aktuale. Duke qenë e tillë ajo të bën të mendosh e ta shijosh duke u nisur prej realitetit ku vetë publiku jeton. “Kallashnikov” flet për një pushtet që përpiqet të mbahet me çfarëdolloj forme, lëshohet e rimerret. Madje ka momente ku pushtetin nuk e ka askush. E ndërtuar mbi bazën e simbolit, shfaqja luan me elemente që janë sa të prekshme e konkrete, aq edhe metaforike në atë që duan të përcjellin. Një intelektual, një injorant, një gangster e një servil... Të katërt gjenden të mbyllur në një kontejner anijeje. Duan të ndryshojnë diçka. Duan të dalin, të marrin ajër, të shohin përtej derës së mbyllur që vazhdon të qëndrojë ashtu, pavarësisht përpjekjeve për ta hapur. Më parë duhet të arrijnë çelësin e të heqin dorë nga kallashnikovi, objekti që u fal pushtetin... Pushteti në atë kontejner të mbyllur, në anijen që gjendet në mes të detit, kalon sa te njëri te tjetri. Sepse kallashi është forcë e dhunshme dhe forca e dhunshme pjesë e pushtetit të sigurt. Por ai nuk e hap derën, vetëm çelësi mund ta bëjë këtë, vetëm ai mund të japë lirinë dhe t‘i drejtojë ata drejt botës... Edhe pse të izoluar ata janë në një luftë të përhershme mes tyre për pushtetin. Ata të gjithë e duan atë, grinden për të, derisa sytë kthehen nga çelësi. “Kallashnikov” vjen me skenografi të Lirim Lilës e kostumografi të Flonja Kabas nën interpretimin e aktorëve Devis Muka, Besmir Bitraku, Klodian Hoxha dhe Florian Agalliu. Shfaqja është mbështetur nga kompania “DigitAlb”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›