E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cirku verior

Serbët në pjesën veriore po bashkëjetojnë me barrikadat. Ata po pinë raki dhe po organizojë ahengje familjare përreth telave me gjemba. Por, atje nuk mungon as rivaliteti mes banorëve, që shpesh përfundon më të shtëna. Presidenti Boris Tadic tha se qytetarët e nacionalitet serb atje duhet të mbesin të qetë. E Ministri Bajram Rexhepi thotë se veriu po i përngjan show’ut Big Brother. Nga Shpend Limoni më 25 shtator 2011 në ora 08:00

Barrikadat në veri janë bërë pjesë e jetës së serbëve të atjeshëm. Që prej datës 16 shtator, kur filloi zbatimi i operacionit për vendosjen e kontrollit në pikat kufitare, gjendja atje nuk ka ndryshuar.

Serbët vazhdojnë të mbajnë rrugët e bllokuara duke hedhur zhavor, gurë dhe mjete të tjera, derisa natën bëjnë roje në tentim për të mos lejuar përpjekjet e ushtarëve të KFOR’it për të hapur rrugët.

Madje, si përgjigje ndaj bllokimit të dy pikave Jarinje dhe Bërnjak, serbët kanë filluar të hapin rrugë të reja, të cilat megjithatë po mbyllen nga KFOR’i.
Nga fotografitë që vijnë prej pjesës veriore shpesh serbët shihen ballë për ballë ushtarëve të KFOR’it, të cilët në mes i ndajnë telat me gjemba ose ndonjëherë edhe flamujt e mëdhenj serbë.

Serbët kanë bllokuar urën kryesore mbi Ibër, që ndan pjesën jugore dhe veriore të qytetit. Sipas mediave serbe, janë bllokuar të gjitha rrugët kryesore në komunën e Zveçanit dhe Leposaviqit.

Zyrtarë të KFOR’it tashmë kanë bërë të ditur se nuk do të përdorin dhunë për zhbllokimin e rrugëve, derisa serbët të jenë paqësorë në veprimet e tyre.
Pavarësisht “qetësisë” që është duke mbretëruar në atë pjesë, nuk kanë munguar edhe telashet mes vetë serbëve.

Të shtunën në orët e para të mëngjesit, atje ka shpërthyer një rrahje e cila është shoqëruar edhe me të shtëna automatikësh.

Një radio lokale serbe ka njoftuar se në përleshje janë përfshirë dy grupe.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy persona janë lënduar pas goditjeve që kanë marrë nga mjetet e forta.

Po ashtu policët kanë arrestuar dhe i kanë përcaktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh një personi, derisa janë vënë në kërkim të dy personave të tjerë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili kohëve të fundit ka filluar të komentojë me ironi zhvillimet në pjesën veriore, ka dhënë versionin e ngjarjes në një prononcim për Express të shtunën.

Ai thotë se kjo ngjarje megjithatë nuk i ka interesuar aq shumë.
“Dy prej tyre janë arrestuar, janë dërguar në hetuesi, më tutje nuk e di sepse edhe nuk më ka interesuar. Nuk ka qenë incident ndëretnik, por ata ndërmjet veti si kapadai janë rreh pak dhe janë gjuajtur pak. Njëri ka gjuajtur me automatik pak, njëfarë krimineli...”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka thënë se si pasojë e kësaj rrahjeje, dy-tre serbë janë dërguar në spital.
“Pasojat janë kryesisht nga rrahjet, të plagosur me armë zjarri nuk ka, edhe pse kanë gjuajtur. Të lënduar i kanë dërguar në spital nja dy-tre veta me lëndime dhe i kanë arrestuar dy veta”, ka thënë ai.

Por, jeta në barrikada e ka edhe anën zbavitëse.

Mediet serbe kanë njoftuar për një dasmë të pazakontë në veri.

Sipas Radiotelevizionit të Serbisë, familja Radivojevic nga Leshaku ka bartur gazmendin familjar nga shtëpia në barrikada.

Për argëtim kanë shërbyer trumat derisa rakia u është ofruar edhe ushtarëve të KFOR’it përtej telave me gjemba, të cilët raportohet se kanë refuzuar me mirësjellje të pinë.
E tërë kjo situatë komentohet sërish me ironi nga Ministri Rexhepi.
Ai nuk mund të tregojë se kur do të hiqen barrikadat atje, por tregon për gazetën se çka po flitet në Mitrovicë për to.

“Këtu në Mitrovicë, a e di çka po thonë për barrikadat: Si në Big Brother janë ba veç me ua qit edhe do kamera edhe me këqyr show se çka po bëjnë. Ato ma shumë e pengojnë lëvizjen e tyre, neve nuk janë t’u na pengu aq shumë për momentin”, ka thënë Rexhepi.
E për serbët në veri, një thirrje ka ardhur nga Presidenti Boris Tadic.
Duke folur në New York për mediet serbe, ai ka kërkuar “që qytetarët e nacionalitetit serb në veri të Kosovës dhe në përgjithësi në Kosovë të rrinë të qetë dhe të jenë të durueshëm”.

Tadic ka komentuar për Kosovën kur ka dalë nga një takim me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, të cilës pohoi se i ka thënë se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.

“Serbia dëshiron të gjejë zgjidhje që nuk është kundër interesit shqiptar. Nuk do të jetë thjesht, por ne vazhdojmë tutje. Kemi diskutuar me shumë emisarë këtu në New York të politikës ndërkombëtare, disa prej tyre ishin shumë të rëndësishme pasi bëhet fjalë për vende që marrin vendime vendimtare për të ardhmen e botës në këtë kuptim edhe për Serbinë”.

E sa i përket thirrjes për qetësi që Tadic ua ka bërë serbëve të Kosovës, Ministri Rexhepi ka komentuar me sarkazëm
“Nëse rrihen ndërmjet veti, duhet me kërku qetësi sepse po ia nisin me hangër shoqi-shoqin”, ka thënë Rexhepi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›