E Shtunë, 31 Tetor 2026

NASA: Kujdes nga copat e satelitit

Nga Express më 25 shtator 2011 në ora 12:33

Agjencia e hapësirës NASA ka konfirmuar se mbetjet e satelitit UARS kanë rënë në Tokë mbi Oqeanin Paqësor, por edhe më tej po bëhen përpjekje për gjetjen e lokacionit të saktë të rihyrjes në atmosferën e Tokës të satelitit shumë të përfolur në media gjatë ditëve të fundit.

Mes tjerash, agjencia ka paralajmëruar që njerëzit të cilët eventualisht mund të hasin në ndonjë copëz të satelitit, e cila mund të ketë përfunduar në tokë e jo në ujëra të oqeanit, të mos i prekin ato.

“Nuk ka rrezik nga ndonjë rrezatim, sa ekziston rreziku nga prerjet ,sepse copëzat mund të jenë shumë të mprehta” u ka shpjeguar gazetarëve një ekspert i NASA-s.

Sateliti UARS siç dihet ishte vendosur në vitin 1991 në një orbitë të ulët, për të shmangur çdo mundësi përplasjeje me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Sateliti ishte vendosur për të studiuar ozonin dhe kemikaliet e tjera prezente në atmosferën e planetit tonë.

Misioni i tij ka përfunduar në vitin 2005 dhe prej atëherë ka filluar të humb funksionalitetin dhe ka filluar të tërhiqet nga gravitacioni i tokës.

Pjesa dërmuese e tij është djegur gjatë rrugëtimit në atmosferë.

Sateliti është objekti më i madh që bie në Tokë, që kur stacioni i hapësirës Skylab po i NASA-s, u përplas në Australinë perëndimore para 32 viteve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›