E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cisternat në krahë të pallateve, specialistët: Rrezik

Ditët e nxehta të fundgushtit kanë rritur temperaturën dhe ankthin e pasigurinë lidhur me enët nën presion. Vëmendja jonë këto ditë është aq shumë e përqendruar për të shuar zjarret e ndezura, por ne duhet të mendojmë dhe për rrezikun potencial që mund të përbëjnë enët nën presion. Mes thatësirës dhe mungesës së zbatimit të ligjit, ne ngremë supet dhe kthejmë sytë nga qielli duke u lutur që nesër të mos gdhihemi të gllabëruar nga flakët e një zjarri të paralajmëruar e të nxitur nga neglizhenca dhe moszbatimi i ligjit. Kategoria e enëve të rrezikshme përfshin që nga impiantet e tregtimit të naftës dhe gazit, autobotet dhe autocisternat e lëndëve shpërthyese që lëvizin në rrugë dhe autogazet në pikat e karburanteve. Nëpër shkolla, institucione të ndryshme, hotele apo lokale ndodhen depozitat 1000-5000 litra GLN që shërbejnë për ngrohje dhe kuzhinë.

Siguria

Rreth sigurisë së enëve nën presion drejtor i Inspektoratit të Enëve nën Presion, z. Fatmir Kulli, tha për gazetën "standard" se "gjendja teknike dhe siguria e enëve garantohet nga inspektimet e kontrollet teknike periodike që kryhen nga inspektorët e IQT-së (Inspektorati Qendror Teknik). Tani për tani këto kontrolle kryen nga ne, por me daljen e disa vendimeve të reja, këto kontrolle do të kryhen nga trupat e autorizuara të cilët çdo vit do të kryejnë kontrolle të gjitha subjekteve që kanë në pronësi enë nën presion". Në ligj është e përcaktuar mjaft qartë se kujt i takon të kryejë kontrollet mbi enët nën presion. Kryerja e disa tipave kontrollesh nga ana e inspektorëve të IQT-së përbën shkelje flagrante të ligjit. Janë entet, palë e tretë, ata të cilët garantojnë gjendjen teknike të një ene nën presion. Të pyetur nga “standard”, këto ente na shpjeguan se operimi i tyre në treg është mjaft i dobët. Mosndërgjegjësimi i vetë subjekteve që i disponojnë këto enë apo keqfunksionimi dhe neglizhenca e IQT-së sjellin si rezultat moskryerjen e këtyre kontrolleve. Z.Fatmir Kulli tha për “standard” se nuk ka asnjë plan bashkëpunimi midis IQT-së dhe enteve palë e tretë.

Ligji

Në korrik të 2007-ës Parlamenti ka miratuar ligjin nr. 9779, "Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimit e konformitetit të produkteve joushqimore". Sipas ligjit, një depozitë gazi 300 litra minimumi duhet të instalohet 30 m larg zonave të banuara, por në qytet gjen raste ku plan-vendosja nuk zbatohet. Në pikën 1 të nenit 9 thuhet se për produktin në treg ka përgjegjësi të plotë personi që e vendos në treg. Ky person është i detyruar që të bëjë kontrollin periodik të gjendjes fizike të enës. Kontrollet duhet të kryhen nga laboratorët palë e tretë, të autorizuar dhe të specializuar në Non Destructiv (prova pa shkatërrim). Kjo provë konsiston në matjen e spesorit (trashësisë së enës) apo defektoskopia e metalit të enës. Gjithashtu, kontrollohen edhe aksesorët e sigurisë që janë valvulat e sigurisë, manometrat, termometrat, fluksimetrat dhe e gjithë linja e pajisjeve ndihmëse që shërbejnë si një tregues i rëndësishëm për parandalimin e pasojave negative, që mund të shkojnë deri në shpërthime. Sipas ligjit, të gjitha provat e qëndrueshmërisë së një ene në presion duhet të kryhen nga entet palë e tretë apo të ashtuquajturit trupa të autorizuar, të cilët sot për sot mungojnë, pra sot për sot nuk ka asnjë trupë të autorizuar për kryerjen e kontrolleve të qëndrueshmërisë së enës nën presion. Të vetmit subjekte për kryerjen e këtyre kontrolleve janë entet palë e tretë, një numër i vogël i të cilave janë në proces akreditimi.

Entet palë e tretë

Të pyetur nga “standard”, disa prej këtyre enteve palë e tretë u shprehën se si pasojë e mosndërgjegjësimit të vetë subjekteve, por dhe të keqfunksionimit të IQT-së, ato po operojnë shumë dobët në treg, ndërkohë z.Fatmir Kulli, tha për “standard” se një pjesë të mirë të kontrolleve të qëndrueshmërisë së enëve kryhen nga inspektorët e IQT-së. Ndërkohë që ligji e shpreh qartë që këto kontrolle duhet të kryhen nga entet palë e tretë apo nga trupat e autorizuar. Interesimit të gazetës “standard” pranë disa subjekteve që disponojnë enë nën presion, na u bë e qartë, që edhe pse këto subjekte kishin në punë disa enë të tilla, gjatë këtyre viteve nuk u është bërë asnjë kontroll për të verifikuar rrezikshmërinë e tyre për popullatën. Subjektet u shprehën se kanë pasur kontrolle nga inspektoratet e shtetit, por nuk iu është kërkuar kryerja e një kontrolli të tillë. Në këtë rast, faji duket se jo vetëm nuk është jetim, siç ndodh rëndom, por hija e tij bie në të dyja anët e medaljes: nga njëra anë peshon moszbatimi i ligjit për kryerjen e kontrolleve nga ana e një pale të tretë dhe indiferenca e pronarëve të këtyre enëve, të cilët akoma nuk janë ndërgjegjësuar për rrezikshmërinë e këtyre enëve të pakontrolluara dhe si për ironi të fatit, në çdo ditë duket se jetojmë, punojmë dhe argëtohemi pranë bombave gjigande me sahat me shpresën e vetme që ato të mos plasin kurrë.

Disa nga tipat e kontrolleve:

kontroll defektoskopik me ultratingull,

kontroll defektoskopik me rreze X ose rreze gama,

kontroll defektoskopik me provë hidrostatike

kontroll me pluhura magnetikë

kontroll me penetrant.

Disa tipa enësh nën presion:

Depozitë karburantesh (naftë, benzinë)

depozitë gazi

depozitë amoniaku

depozitë oksigjeni dhe hidrogjeni

kaldaja të tipave të ndryshme

autoklava.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›