Libri i Transparencës,Si të ankoheni në rast se ju është ulur nota
Maturantët që do të vërejnë parregullsi në notat e paraqitura në Librin e Transparencës do të duhet që menjëherë të ankohen në rrugë zyrtare në institucionet arsimore, në mënyrë që të mos merren si bazë notat e vendosura në libër, por notat reale, për renditjen e tyre në shkollat e larta
Libri i transparencës është shpërndarë tashmë në të gjitha shkollat e mesme të vendit dhe studentët kanë mundësinë të shohin totalin e notave të marra dhe se si konvertohen këto nota në pikë për secilën degë të zgjedhur. Por, maturantët duhet të kenë kujdes, pasi vitet e kaluara ka pasur raste të veçanta ku notat e tyre janë ngatërruar më së shumti për shkak të gabimeve teknike gjatë plotësimit të Librit të Transparencës, e si pasojë ata janë njohur me notat e tyre “të reja”, vetëm kur kanë parë listat e pranimeve në universitet. Ndaj, specialistët këshillojnë që të kihet më shumë kujdes ndaj notave të publikuara në këtë libër e nëse është e nevojshme të ankimohen brenda afateve të përcaktuara.
Ankimimi
Maturantët që do të vërejnë parregullsi në notat e paraqitura në Librin e Transparencës do të duhet që menjëherë të ankohen në rrugë zyrtare në institucionet arsimore, në mënyrë që të mos merren si bazë notat e vendosura në libër, por notat reale, për renditjen e tyre në shkollat e larta. Në këtë mënyrë, afati i përcaktuar është 10 ditë.
Maturantët do të duhet që të ankimohen me shkrim në drejtoritë e shkollave, drejtorinë apo zyrën arsimore rajonale, ku bën pjesë shkolla e tyre, e më pas ky ankimim do të përcillet në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. AVA-ja, pasi të kontrollojë ankesën, në rast se vëren se ajo është e gabuar dhe është bërë një gabim teknik, atëherë vendos notën reale të maturantit në bazën e të dhënave që përdoret për renditjen e tyre.
Procedurat e mëtejshme
Në datën 10 shtator do të kenë dalë fituesit në të gjitha shkollat publike të vendit, si edhe pikët që çdo maturant ka mbledhur në provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës, si edhe në mesataren e katër viteve. Kjo, pasi Ministria e Arsimit ka vendosur që këtë vit, në ndryshim nga pranimi në universitete një vit më parë, të nxjerrë fituesit në një ditë për të gjitha degët e universiteteve publike.
Çdo maturant do të dalë fitues vetëm në një degë gjatë këtij viti. Në këtë mënyrë, lënda e përzgjedhur më lart në Formularin A2 do t’i japë më shumë shanse maturantit për të fituar. Formulari A2, i plotësuar nga maturantët, përmbante 10 degë ku ata kanë dëshirë të vazhdojnë. Nëse maturanti ka shumë pikë, do të shpallet fitues në degën e parë të përzgjedhur, ndërkohë, nëse ka më pak pikë në degën e dytë të përzgjedhur dhe kështu me radhë.
Ndërkohë që afatet për regjistrimet me kohë të pjesshme nuk do të përcaktohen më 10 shtator. Sipas Ministrisë së Arsimit, ende nuk janë përcaktuar kriteret që do të duhet të plotësojnë maturantët për t’u përfshirë në sistemin me kohë të pjesshme. Në këtë mënyrë, procedurat e aplikimit nuk do të mund të fillojnë edhe pasi të nisë viti i ri akademik.