Citi: BQE të garantojë borxhet
Programi Europian i blerjes së sigurtë të borxheve, është pjesë shtesë e marrëveshjes së Bashkimit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane, e 9 majit për të garantuar tregjet nga kriza e borxheve të eurozonës. Marrëveshja ka synuar qetësimin dhe garantimin e tregjeve nëpërmjet fondit 1 trilion dollarësh dhe blerjes së bonove drejtpërdrejtë nga Banka Qendrore Europiane. "Nëse BQE, kërkon funksionim më efiçent të tregjeve, atëherë ajo ka nevojë për një tjetër instrument," thotë kreu i produkteve të tregjeve kapitale të Citi, në një artikull të shkruar për një të përditshme. Artikulimi i idesë së re bëhet në momentet kur Sekretari Amerikan i Thesarit, Timothy Geithner, në vizitën e tij dy ditore në kontinentin e vjetër, ka kërkuar më tepër aksion për të zgjidhur krizën e borxheve të eurozonës. Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Japonia, janë të parat vende që kanë shprehur shqetësimin se kriza e marrëdhënieve të Europës me tregjet e kapitalit, riskon të dëmtojë ekonominë globale.
Apple, i merr treg Microsoft
Apple, bazuar në vlerën në treg, doli të mërkurën si kompania e parë e teknologjisë në botë, duke i zënë vendin rivalit të përjetshëm Microsoft. Të mërkurën aksionet e Apple u rritën deri në 2.8% në treguesin Nasdaq, duke e çuar vlerën e kompanisë në treg mbi 229 miliardë dollarë. Në mbyllje të sesionit të dyja aksionet shënuan rënie të vlerës, por Apple përfundoi sesionin në vlerën e 222 miliardë dollarë ndërkohë që rivali Microsoft, e mbylli në 219 miliardë dollarë. Aksionet e Apple ranë me 0.4% në 244.11 dollarë në Nasdaq, ndërsa ato të Microsoft ranë me 4% në pikën më të ulët 7 mujore në 25.01 dollarë. Vlera e aksioneve të Apple është aktualisht 10 herë më e lartë se vlera që ato kishin 10 vite më parë. Kompania ka përfituar nga revolucionarizimi i produkteve të elektronikës si iPod, iPhone, iPad dhe laptopwt MacBook. Hera e fundit që Apple kishte vlerë më të madhe në treg se Microsoft ishte 19 dhjetori i vitit 1989. Microsoft është kompania, sistemin operativ të së cilës, e përdorin 90% e kompjuterëve personalë në botë. Por ajo nuk ka arritur të realizojë synimet e normës së rritjes që nga pika kulmore në vitet 1990 dhe aksionet e saj tashmë janë 20% më të ulta, nga vlera që kishin 10 vite më parë.
Japoni, rekord eksportesh
Eksportet japoneze shënuan në prill, të pestën masë më të lartë, të rritjes në normë vjetore, një shenjë se kërkesa e lartë konsumatore e vendeve aziatike po i jep shtysë të mirë ringritjes së brishtë të ekonomisë së dytë të botës. Statistika tregoi se dobësia e euros shkaktuar nga kriza e borxheve sovrane, ka pasur pak ndikim në eksportet në rajon. Në muajin prill në normë vjetore eksportet u rritën me 40.4% dhe krahasuar me muajin mars eksportet u rritën me 2.3%. Eksportet në rajonin e Azisë, që përfaqëson edhe më shumë se gjysmën e totalit të eksportit japonez, u rritën në normë vjetore me 45.3%. Kërkesa ka qenë e lartë për produkte të elektronikës dhe pjesë të këmbimit për automjete. Rajoni i Azisë dhe në veçanti Kina, në këtë vit kanë gëzuar një rritje të fortë ekonomike. Sipas OECD-së ekonomia kineze do të rritet me 11.1% ndërkohë që për Japoninë parashikohet rritje me 3.0% dhe parashikohet rritje me 3.2% për Shtetet e Bashkuara. Eksportet në Amerikë u rritën me 34.5%, për shkak të kërkesës për pjesë këmbimi, ndërsa në Bashkimin Europian u rritën me 19.8%, krahasuar me një vit më parë dhe është rënie krahasuar me rritjen vjetore 26.7% të muajit mars.