Mungojnë likuiditetet, investimet private bien me 64 për qind në katër muaj
Investimet e biznesit kanë rënë me 64 për qind gjatë katër muajve të parë të vitit 2010. Ulja e investimeve do të pasqyrohet në rritjen e papunësisë dhe në efektet e tjera zinxhirë që rrjedhin prej saj. Shifra është bërë publike në raportin e
Bankës së Shqipërisë, ku mësohet se shkalla e ulët e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi, ritmet e ulëta të kredisë për investime dhe rënia e importit të mallrave kapitalë e të ndërmjetëm sinjalizojnë për një tkurrje të investimeve private. Sipas bankës, kërkesa për mjete monetare e sektorit privat vazhdon të jetë e ulët, duke reflektuar ngadalësimin e aktivitetit ekonomik. Ndërsa ritmi vjetor i rritjes së kreditimit për këtë sektor u ngadalësua më tej në 4.8 për qind në muajin mars. Kërkesa e bizneseve për kredi vazhdon të jetë burimi i vetëm i rritjes së kreditimit, ndërkohë që kredia për individë vijon të tkurret në terma vjetorë për të pestin muaj radhazi. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë dhënë edhe sinjalet e para për një lehtësim të kushteve të kreditimit nga ana e bankave, por ky hap është ndërmarrë vetëm për bizneset e mëdha.
Politika monetare
Banka e Shqipërisë, në funksion të përmbushjes së objektivit të saj për inflacionin, ka ndjekur një politikë monetare të kujdesshme, duke ofruar likuiditetin e duhur në treg në përputhje me nevojat e ekonomisë. Sipas bankës mësohet se tregjet financiare janë shfaqur të qëndrueshëm, me norma në rënie të interesit, luhatshmëri të ulët dhe reduktim të primeve të rrezikut. Ndërsa zhvillimet monetare gjatë muajit mars kanë konfirmuar zgjerimin e mëtejshëm të ofertës monetare në ekonomi, e cila u rrit me 10.2% në terma nominale vjetorë. Kjo ecuri është mbështetur nga rënia e nivelit të parasë jashtë bankave dhe nga rritja e qëndrueshme e depozitave në sistemin bankar. Sipas raportit të bankës mësohet se kë kushtet kur veprimi i përkohshëm i presioneve nga kahu i ofertës pritet të shuhet, presionet joinflacioniste si rrjedhojë e hendekut negativ të prodhimit nga kahu i kërkesës vlerësohet të përcaktojnë luhatjen e inflacionit rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Në të njëjtën kohë, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin në horizontin afatmesëm mbeten të ankoruara
Presionet inflacioniste
Presionet e brendshme inflacioniste kanë qenë të ulëta dhe inflacioni i çmimeve të konsumit në rënie. Tregjet monetare paraqiten më të qeta, të karakterizuara nga tendenca rënëse e normave të interesit, përmirësim i situatës së likuiditetit të sistemit bankar dhe një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit. Megjithatë, kreditimi i ekonomisë vazhdon të ruajë ritme të ulëta rritjeje. Vlerësime të tërthorta dhe paraprake sugjerojnë se ritmet e konsumit privat kanë qenë të përmbajtura, të kushtëzuara nga burime më të kufizuara të financimit të tij dhe nga orientimi më i madh i konsumatorëve drejt kursimit. Shkalla e ulët e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi, ritmet e ulëta të kredisë për investime dhe rënia e importit të mallrave kapitalë e të ndërmjetëm sinjalizojnë për një tkurrje të investimeve private edhe gjatë tre muajve të parë të këtij viti, thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë. Pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, ritmi vjetor i rritjes së kreditimit për këtë sektor u ngadalësua më tej në 4.8 për qind në muajin mars. Kërkesa e bizneseve për kredi vazhdon të jetë burimi i vetëm i rritjes së kreditimit, ndërkohë që kredia për individë vijon të tkurret në terma vjetorë për të pestin muaj radhazi. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë dhënë edhe sinjalet e para për një lehtësim të kushteve të kreditimit nga ana e bankave, por ky hap është ndërmarrë vetëm për bizneset e mëdha.
Ornela Manjani